Stil & Jetë

Çfarë të bëhemi? “Fillimi nga fundi” dhe “shkathtësia e dorës” si tregues - Nga Burim Bardhari

Sot nuk mjafton vetëm një zeje ose profesion deri në pension, ndaj jo vetëm të rinjtë vuajnë të hutuar e ankthuar, por edhe mesomoshatarët duhet ta vrasin mendjen se si ta rishpikin veten ribotimthi në qarkun e risisë dhe vazhdimësisë.

Sipas edukatorit shembullor Stiven Kavi, qasja më e qëlluar është “fillimi nga fundi” (anglisht: “begin with the end in mind”).

Le të paramendojmë veten kinse jemi në shtrat të vdekjes dhe vijnë të dashurit e miqësia për lamtumirën e fundit ndërsa ne i dëgjojmë përshtypjet e tyre se si do të na mbajnë mend. Ashtu siç duam ne të na mbajnë mend e kujtojnë, pikërisht atë gjë duhet të synojmë në jetë, si p.sh. arsimtar-e i/e dalluar dhe ai synim duhet ndjekur. Nëse ky synim nuk jetësohet atëherë duhet ripërjetuar ndonjë synim tjetër periudhtas.

Njeriut aq i duhet, një mendim i mirëfilltë madhor që e dallon nga tjerët, si shpikësi i shërbimit “PayPal” ose shërbimit taksist me “Uber”, gjësend nga asgjësend, nga energjia e bekuar në lëndën e uruar.

Mirëpo nuk duhet ta mashtrojmë ose t’i shkelim syrin vetes, prandaj si ndajshtesë duhet përdorur edhe shpikja ime e “dorës së shkathët” (anglisht: “sleight of hand”). Jo si shkopi magjistar por për vetëdijësim, lëvizim dorën mbi zemër sepse aty është foleja ku lulëzon edhe dashuria edhe dëshira. Pastaj lëvizim dorën në drejtim të kokës sepse muaji i mjaltit soset dikur dhe zemra duhet ta takojë mendjen, rrjedhimisht duhet përkuar e përputhur dëshira me aftësitë vetjake ose ristërvitur me aftësi të reja, ngase disa nuk marrin vesh as nga muzika dhe as nga politika, por bëjnë zhurmë e zukamë për ta mbuluar mungesën e njohurive.

Synimi nuk duhet të jetë përkushtim i lehtë por më i veshtirë, pasi jeta shpërblen vetëm me përballim të vështirësive, përgjatë vijës së rëndë qëndrestare, ngase sa më i madh flijimi aq më i madh fitimi, përfundimisht edhe urëlidhja e fundit me lëvizjen e dorës në drejtim të xhepit dhe thesarit vetjak, atë që përzgjedh të sjellë edhe të ardhura për mbijetim e mbarësi, sepse çdokush di ta argëtojë veten me përralla e mitologji por dhurata jetike shpërblen vetëm me vuajtje të vyera që t’ia dimë vlerën.

Zgjim e zgjuarsi, mbarësi e shëndet, paqe e planet!

© Burim Bardhari

*Në foto lart Stiven Kavi (Stephen Covey)