Psikologji

Shkruaji psikologut: Një adoleshenti i 'ka ikur truri'

Një adoleshent i mprehtë na shkruan në inbox: Përshëndetje! Edhe pse nuk besoj te psikologët po e provoj një herē. 

Shpesh herë më ikën truri. Më duket sikur nuk i kontrolloj dot nervat apo emocionet. Ua shfryj njerëzve të shtëpise, sepse me të tjerët bëhem si një pulë ose gjel i dështuar. Po nga ana tjetër më kap ankthi dhe frikësohem kur ndodhem në ambiente me të panjohur. Sidomos në darkë më vjen të qaj kur përfytyroj se dikush nga familja mund të vdesë. Para gjumit më kap frika se dikush do hyjë nga dritarja. Më shpeshtohet frymëmarrja dhe më shtrëngon kraharori. Ditën ndihem i/e lodhur dhe nuk më bëhet asgjë tjetër. Dembelosem për gjithcka. Mami më thotë që e kam për shkak të hormoneve. Por mua më duket se kam diçka më shumë. Çfarë problemi mund të kem? Ju lutem më jepni një shpjegim. 

Përgjigje:  Mendoj se ke nevojë për pakëz ndihmë. Në një pikë mami ka të drejtë kur flet për hormonet. Në adoleshencë vrulli i tyre shkakton turbullira emocionale. Por ndoshta nuk duhet të mjaftohemi me kaq shpjegim. Do doja që fillimisht të kryesh një kontroll tek mjeku, pasi mund të kesh mungesa vitaminash në organizëm. Por para se të shkosh te mjeku, të lutem mbaj një ditar të regjimit të gjumit dhe ushqyerjes përgjatë dy javëve. Shkruaj çdo ditë se sa orë ke fjetur dhe çfarë ke ngrënë. Ky raport do ta ndihmojë mjekun  të gjejë diagnozën e duhur. Gjithashtu lër një takim me psikologun e shkollës ose dikë tjetër që ke më kollaj. Bashkë mund të ndërtoni disa mekanizma për përballimin e gjendjes së ankthit ose të një ataku paniku të mundshëm. Me psikologun do të punosh për të menaxhuar dhe eliminuar frikërat dhe të rrisësh vetëbesimin tënd. Nëse nuk bën asnjërën nga këtë meqënëse nuk ke besim te psikologët, më shkruaj sërish mua siç bëre herën e parë.

Unë jam i lumtur që më shkrove dhe e ndave me mua shqetësimin tënd. Ti nuk e meriton t'i harxhosh vitet e adoleshencës duke u ndjerë kështu. Kërkoje ndihmën e nevojshme dhe shijoje jetën!

Gjithë të mirat,

Psikologu ! 

Shënim!

Për çdo problem që ju shqetëson dhe nuk keni mundur t'i jepni një drejtim, mund t'i shkruani psikologut të redaksisë sonë në adresën Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.

Për çdo informacion shtesë që ekspertit do t'i duhet lidhur me problemin tuaj, ai do t’ju kontaktojë. Ju bëjmë me dije se në portal do të publikohet vetëm rasti, pa asnjë të dhënë personale që mund t’ju dëmtojë identitetin tuaj.  Faleminderit!