Psikologji

Shkruaji psikologut: Një nënë e shqetësuar për disiplinimin e fëmijës!

Përshëndetje psikologu i Flasshqip! Jam një nënë me një fëmijë të moshës 6-vjeçare dhe kam nevojë për disa këshilla lidhur me disiplinimin. Unë jetoj në familje të madhe dhe fëmija im shpesh herë bëhet konfuz lidhur me rregullat. Kur bën gabime nuk e lejoj të shohë tv ose të luajë në kompjuter, ose nuk e marr me vete kur dal. Por kur unë e ndëshkoj, del gjyshja, gjyshi ose i ati që e fal. Dhe në njëfarë mënyre fëmija ime nuk ma njeh autoritetin. Ndonjëherë e kam qëlluar dhe ka patur rezultat. Fëmija im është bindur dhe ka ndryshuar sjellje. Por të nesërmen e ka përsëritur. Si t’ia bëj?

E dashur zonjë! E kuptoj shqetësimin tuaj. Është e vërtetë që prindërimi bëhet i vështirë kur kemi edhe të rritur të tjerë që nuk ndjekin të njëjtën linjë edukimi në familje. Fillimisht duhet të bini dakord në familje, për hir të interesit të fëmijës tuaj, që të mbani të njëjtin qëndrim të gjithë kur fëmija shfaq një sjellje të papërshtatshme. Shpeshherë ndodh që vetë prindërit të imitojnë padashje sjelljen e prindërve të tyre. Prindërimi mund të nxjerrë më të mirën por edhe më të keqen tonë. Është sfidues njëlloj si edhe martesa. Shumëzohet me dy, dy të rritur me histori të ndryshme familjare që jetojnë bashkë. Shpesh stilet e prindërimit bien ndesh me njëri-tjetrin, ku secili ndjen se ka të drejtë. Në rastin tuaj me sa po kuptoj paska më shumë se dy të rritur në familje. Procesi vështirësohet dhe shumëzohet me numrin e të rriturve që jetojnë aty. Por nuk dua t'ju dekurajoj. Fakti që më keni shkruar do të thotë se keni vullnet për të përmirësuar situatën dhe sigurisht inteligjencë. Më poshtë do të të jap disa këshilla që duhet ti lexoni të gjithë ju të rriturit në familje. Janë mendime që ju të gjithë i keni kaluar nëpër mendje, por kur vjen puna te zbatimi, aty kërkohet disiplinë edhe nga ana juaj. Uroj t'ju ndihmojnë! Më shkruaj sërish nëse ke nevojë. Faleminderit!

1.Vendosni rregulla: uluni të gjithë së bashku dhe vendosni rregullat e familjes suaj. Sigurisht ju nuk jeni robotë të funksiononi me manual, por disa rregulla janë të nevojshme në familje. Kujtoni incidentet e shkuara të sjelljeve problematike të fëmijës në mënyrë që të parashikoni çdo problematikë të ardhshme. (kini parasysh se rregullat mund të modifikohen në çdo kohë, në varësi të situatave që do t’ju ngrihen).

2.Çdo rregull duhet të ketë të parashikuar edhe pasojën e thyerjes së tij. Nëse rregulli thuhet, fëmija duhet paralajmëruar 1 herë, duke përdorur teknikën e pikës 4. Nëse sjellja përsëritet, duhet t'i jepet ndëshkimi menjëherë, pa asnjë përjashtim. Ndëshkimi duhet të jepet i shpejtë dhe i shkurtër. Ndëshkimi duhet të jetë diçka që do të ketë ndikim tek fëmija. Dhe të ketë lidhje me rregullin e thyer.

3.Kur të keni vendosur mbi rregullat, bëjani me dije fëmijës dhe mbani mend që me fëmijën nuk duhet të hyni në debat. Thjesht prezantojini rregullat dhe pasojat e thyerjes së tyre. Mund edhe ti shkruani këto rregulla dhe t'i ngjisni te frigoriferi ose në ndonjë vend tjetër të dukshëm

4.Kur fëmija ka thyer një rregull, ndërpritni gjithçka jeni duke bërë dhe uluni në nivelin e syve të fëmijës suaj për të folur. Vendosini duart tuaja në shpatullat e tij/saj, shikojeni drejt e në sy, dhe flisni qetë, me zë të ulët. Bëjeni të ditur që e theu regullin. Jepini paralajmërimin. Nëse pas kësaj e përsërit sjelljen, jepini ndëshkimin.

5.Kur përdorni si ndëshkim një kohë të përcaktuar, si psh të rrijë ulur në karrige, ose në një dhomë që nuk i pëlqen, keni 2 zgjedhje: mund ti jepni këtë pushim për një kohë të përcaktuar në bazë të viteve të moshës që ka fëmija ( një minutë për çdo vit). Ose mund ti thoni se do të shkoni tek ai sapo ai të qetësohet për ti dhënë mundësinë e shfajësimit. Në këtë rast kujtojani “ngjarjen” në mënyrë që ai ta dijë se për çfarë do kërkojë falje.  Psh, je gati të kërkosh falje që qëllove vëllain apo dikë ? Mbani parasysh, kur përdorni këtë lloj ndëshkimi, mos e dërgoni të rrijë vetëm në ndonjë dhomë ose vend ku ai gjen gjëra për tu argëtuar. As tualetin nuk e këshilloj.

6.Shpesh fëmijët bëjnë luftë nervash me prindërit. Ata sfidojnë autoritetin. Ata ndihen të fuqishëm kur i mërzisin prindërit, e çuditshme duket e di. Por ju mos ndëshkoni nëse jeni me nerva. Prisni të qetësoheni vetë, pastaj rigjykojeni situatën. Shpesh prindërve u ndodh që të japin ndëshkime pasi stresohen nga sjelljet e fëmijëve që i pengojnë ata të kryejnë disa punë që duhen kryer në shtëpi. Ky lloj frustracioni i bën agresiv me fëmijët dhe situata degradon në ulërima të dyanshme.

7.Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, përdorni shpërblime për sjelljet e mira. Jam e bindur se fëmijët sillen më shpesh ”mirë” sesa “papërshtatshëm”. Por prindërit e marrin për të mirëqenë dhe nuk ia vënë në dukje. Jepini vëmendje sjelljeve pozitive, buzëqeshini, përkëdhelini duke i parë në sy.

Shënim!   Për çdo problem që ju shqetëson dhe nuk keni mundur t'i jepni një drejtim, mund t'i shkruani psikologut të redaksisë sonë në adresën Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.

Për çdo informacion shtesë që ekspertit do ti duhet lidhur me problemin tuaj, ai/ajo do t’ju kontaktojë. Ju bëjmë me dije se në portal  publikohet vetëm rasti, pa asnjë të dhënë personale që mund t’ju dëmtojë identitetin tuaj.  Faleminderit!