Psikologji

Si mund ta bëjmë fëmijën të lexojë kur humb interesin për librin?

Në një postim në Facebook një nënë ngrinte shqetësimin se fëmijës 8 vjeç i humbte përqëndrimi sapo lexonte një faqe libri. Meqënëse është kohë pushimesh ajo ishte e interesuar që fëmija i saj të kalonte kohë në mënyrë të shëndetshme, midis tyre edhe përmes të lexuarit. Dhe kjo nënë ka shumë të drejtë, por problemi qëndron se si të mos mërzitet fëmija (i ciklit të ulët) nga të lexuarit?

Fëmijët e sotëm zgjedhin tabletin para librit dhe nuk kanë faj, pasi cilësia e botimeve të librave për fëmijë duhet të jetë më e lartë. Shumë libra të autorëve të mëdhenj botërorë për fëmijë janë ribotime me fleta të rëndomta dhe shkronja të vogla, saqë edhe mami i djalit me zor do të lexonte 3 faqe. Gjithsesi ky nuk është  problemi kryesor, por ama kontribuon. 

Për fëmijët që kanë vështirësi me përqëndrimin, primare është që leximi të bëhet rutinë si dhe duke u argëtuar. Mirë është që edhe prindërit të përfshihen në lexim së bashku me fëmijën dhe ta kthejnë në një aktivitetet argëtues, duke lexuar me zë të lartë dhe larg televizorit apo zhurmave. 10 minuta lexim do të ishin të mjaftueshme në ditë për fëmijët që humbin shpejt vëmendjen. Sapo e shihni që fëmija shpërqëndrohet dhe humb interesin ndërpriteni, bëni pushim dhe rifilloni më pas. Kështu ditë pas dite fëmijës do t’i bëhet libri pjesë e jetës.

Nga ana tjetër edhe librat duhet të kenë sa më shumë ilustrime, shkronjat duhet të jenë në një madhësi të përshtatshme, që të mos ia lodhë shikimin. Librat të zgjidhen me kapituj të shkurtër ose të ndahen me figura kur janë të gjatë. Librat të mos jenë shumë të mëdhenj që të mos i trembin para se të fillojnë leximin. Ose kur janë të mëdhenj patjetër duhet të jenë me ilustrime të shumta. Librat humoristikë janë më të pëlqyeshmit për fëmijët me probleme vëmendjeje dhe përqëndrimi.

Mundohuni t’u zgjidhni fëmijëve të tillë libra që tregohen përmes figurave dhe që kanë pak fjali. Kjo do t’ua përmirësojë qëndrimin ndaj leximit. Edhe librat që janë në seri janë të mirë, pasi fëmijët do të jenë në ndjekje të personazheve dhe do duan të dinë se ç’do ndodhë në librin tjetër.

Shënim!   Për çdo problem që ju shqetëson dhe nuk keni mundur t'i jepni një drejtim, mund t'i shkruani psikologut të redaksisë sonë në adresën:  Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.