Psikologji

Trauma emocionale

Trauma. Kjo fjalë të sjell në mendje efektet e ngjarjeve madhore si lufta, përdhunimi, rrëmbimi, pengmarrja, abuzimi ose mbijetesa nga katastrofat natyrore. Termi psikologjik për gjëndjen emocionale pas këtyre ngjarjeve është çrregullimmi i stresit post-traumatik. Por më pak familjare është trauma psikologjike ose emocionale.

Çfarë është trauma psikologjike ose emocionale?

Aftësia për të identifikuar traumën emocionale ka ndryshuar gjatë rrjedhës së historisë. Dikur trauma psikologjike u njihej si çrregullim vetëm meshkujve pas luftrave. Lëvizjet e grave në vitet ‘60 e përhapën përkufizimin e traumës emocionale duke përfshirë abuzimin fizik dhe seksual ndaj femrave dhe fëmijëve. Tashmë për shkak të zbulimeve të shekullit të ri, trauma psikologjike është zgjeruar në përkufizimin e  saj.

Studimet e fundit kanë arritur në përfundime që trauma emocionale mund të jetë rezultat  i ngjarjeve të zakonshme si një aksident me makinë, ndarja nga i/e dashuri/a, një poshtërim në vendin e punës, ose zhgënjime të thella, vuajtja nga një sëmundje e pashërueshme etj. Ngjarjet traumatike mund të shkaktojnë një goditje emocionale, edhe nëse ngjarja nuk shkakton dëm fizik. Pavarësisht burimit të saj trauma emocionale ka tre elemente të përbashkët: Është e papritur; Personi është i papërgatitur; Ngjarja nuk mund  të parandalohej.

Nuk është ngjarja ajo që përcakton nëse diçka është traumatike apo jo, por është përjetimi i saj prej individit.  Dhe gjithashtu nuk është e parashikueshme se si do të reagojë personi ndaj një ngjarjeje të veçantë. Për dikë që e ka në natyrë ti kontrollojë emocionet dhe ngjarjet, mund të jetë surprizuese, madje e sikletshme të zbulojë që diçka si aksidenti me makinë ose humbja e punës mund të jetë kaq e rëndë. Studimet  thonë se traumat emocionale zgjasin gjithë jetën, sidomos kur ato i mban brenda vetes.

@FlasShqip.ca