Psikologji

Shkruaji psikologes: Fëmija im është shumë nervoz..!

Shumë prindër janë të shqetësuar rreth sjelljeve që shfaqin fëmijët e tyre. Ka prej tyre që hapin librat ose faqet e internetit për të marrë njëlloj përgjigjeje mbi pikëpyetjet që ngrenë. Ka të tjerë që gjejnë forma të tjera. Në Shqipëri ka filluar një farë interesimi për çështjet e shëndetit mendor dhe për konsultat psikologjike, por sërish mbetet punë ndërgjegjësuese për t’u bërë lidhur me konsultimet me psikologun.

FlasShqip prej disa kohësh ka hapur rubrikën “Shkruaji psikologut”. Çdokush që ka një shqetësim mund t’i shkruajë psikologes së redaksisë sonë Orjola Plaku, e cila do të jetë e gatshme t’ju përgjigjet. Ju mund të kontaktoni me të përmes adresës Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose në profilin e saj në Facebook siç ka bërë edhe kjo nënë e shqetësuar.

Përshendetje! Jam një nënë shumë e shqetësuar për fëmijën tim, ka një muaj që fëmija trembet në gjumë dhe është shumë nervoz kur i flas. Ka filluar dhe refuzon ushqimin. Si t'ia bëj?

Përshëndetje, e dashur! Duke ju falenderuar që më keni shkruar dhe keni besuar tek mua personalisht si dhe në profesionin e psikologut, më duhet t’ju them se informacioni që ju më keni sjellë nuk është shumë i plotë. Unë ju kuptoj sa e vështirë është për ju kur hasni nervozizmin e fëmijës dhe pyesni veten se si të reagoni me të. Jam e bindur se keni provuar lloj-lloj formash komunikimi me fëmijën tuaj, sepse jeni një nënë që doni të edukoni sa më mirë fëmijën. Si fillim do t'iu rekomandoja, një konsultë pediatrike për të përcaktuar mos fëmija ka ndonjë problem organik. Do ishte me rëndësi që të takonit një psikolog zhvillimi pasi duhen përcaktuar nevojat që mund të ketë fëmija dhe mbështetjen në vijimësi për të zbutur vështirësitë psiko-emocionale që shfaq.

Për çdo gjë, jeni e lutur të më shkruani sërish.

Me respekt, Orjola