Psikologji

Shkruaji psikologes: Shqetësohem për higjienën e tim biri!

Përshëndetje Znj.Orjola!

Jam shumë e shqetësuar për djalin tim 13-vjeçar. Një çështje që po më bën merak është se fëmija im ka probleme me higjienën personale. E keqja është se atë nuk e shqetëson aspak aroma e pakëndshme e trupit të tij. Kur bisedoj me të thotë se: Nuk i intereson fare të lahet. Në familjen tonë ka gjithmonë debate të mëdha për këtë. Ai nuk bezdiset nga aroma e keqe por as se si ndjehen të tjerët me të. Im bir nuk lan as dhëmbët.. rrobat e tij lahen çdo ditë por edhe ato vijnë erë së shpejti. Së fundmi ka filluar të refuzojë të ndjekë dhe shkollën. Kërkon që të qëndrojë mbyllur në shtëpi 24/orë. Nuk ka shokë dhe familjarët janë aq të angazhuar me punët e tyre. Unë po ndjehem keq sepse është e pamundur të qëndrosh në një ambient me të. E dua aq shumë tim bir, por ndjehem shumë e lodhur nga kjo situatë. U bë gati 3 muaj që është e njëjta situatë. Më thuaj, si t'ia bej të lutem? 

Përshëndetje, e dashur! Ju falenderoj që më keni shkruar.

E kuptoj sa ngarkesë emocionale po ju shkakton situata në të cilën gjëndet fëmija juaj. Humbja e interesit për t'u kujdesur për veten mund të jetë shenjë e problemeve emocionale që po kalon fëmija. Fëmija juaj, me sa duket nga përshkrimi që ju bëni mund të ketë humbur interesin për shumë aktivitete të përditshme. Individët me probleme të afektit bien në një gjëndje ku stopojnë kujdesin dhe refuzojnë realizimin e detyrave të përditshme, si psh: frekuentimi shkollës apo të bërit dush. Kur njerëzit fillojnë t'i shmangen duke mos shfaqur interes ndaj tyre kjo mund të bëjë të ndihen akoma edhe më keq. Kjo gjëndje mund të kalojë vetëm nëse ndërhyhet me specialistët përkatës. Bazuar në përshkrimin tuaj më rezulton se djali juaj ka bërë gjithmonë atë që ka dashur dhe pa asnjë konseguencë. Nëse ju dëshironi gjërat ndryshe, ju duhet të bisedoni me fëmijën për të takuar një psikolog klinicist, por që situata të përfundojë ju duhet t'i përcaktoni disa limite djalit tuaj dhe kjo do të bëhet me qëllim drejtimin në një mënyrë të drejtë. Për shembull: Ju mund t'i thoni atij se çdo sjellje e tij ka një pasojë. Bëje fëmijën që të kuptojë se ju jeni e qëndrueshme dhe se nëse kjo situatë vazhdon kështu, ju duhet të kërkoni një psikoterapist konjitiv-bihejvioral për të lehtësuar problematikat që manifeston fëmija.

Ju uroj gjithë të mirat. Me respekt, Orjola. 

Shënim: Çdokush që ka një shqetësim mund t’i shkruajë psikologes së redaksisë sonë Orjola Plaku, e cila do të jetë e gatshme t’ju përgjigjet. Ju mund të kontaktoni me të përmes adresës Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose në profilin e saj në Facebook.