Psikologji

Sizmofobia, frika që s’i bëjmë lehtë derman

Nëse jetoni në një zonë me rrezik sizmik, ka gjasa që një ditë të zhvilloni Sizmofobinë, frikën ekstreme, shpesh irracionale (ose jo) nga tërmetet. Por mos u shqetësoni (në kuptimin se po vuani nga ndonjë çregullim), sepse ne të gjithë kemi frikë nga tërmetet, askush nuk ka fuqi të kontrollojë fatkeqësitë natyrore. E rëndësishme është që frika nga tërmeti të mos ndërhyjë në jetën e përditshme. Shumë sizmofobikë mund të shfaqin edhe Agorafobi (frika e të qenit në një vend të vështirë për të shpëtuar), Thanatofobi (frika nga vdekja) ose edhe frikën e bllokimit ose varrosjes së gjallë (Tafifobi).

Shkaqet e sizmofobisë

Por Sizmofobia duket se nuk ka baza joreale. Njerëzit që jetojnë në zona të prirura nga tërmeti ka shumë të ngjarë të zhvillojnë këtë frikë ekstreme nga tërmetet. Ata përjetojnë lëkundje, gjëmime dhe dridhje herë pas here. Ata gjithashtu ndjejnë muret të lëkundën, strukturat e sipërme që bien poshtë, ose plasaritjet. Shumica e tyre jetojnë me frikën se ‘dridhja’ tjetër mund të jetë më e madhe, aq sa mund të shkaktojë shkatërrim masiv të pasurisë, deri edhe jetën.

Atyre që përjetojnë sizmofobi, frika u buron nga një përvojë e kaluar me një tërmet të fortë (ku dikush mund të ketë përjetuar humbje jete ose humbje financiare). Kjo mund të shkaktojë Sizmofobinë gjatë gjithë jetës.

Por edhe të lexuarit mbi tërmetet, të dëgjuarit e parit të lajmeve me njerëz të dëmtuar e mbetur nën rrënoja, ndërtesa të shëmbura, nuk bëjnë gjë tjetër veçse përforcojnë frikën dhe shtojnë ankthin.

Kohët e fundit me raportimet e shumta të tërmeteve në vende të ndryshme të botës, njerëzit që besojnë te Apokalipsi shpesh lidhen me këto ngjarje. Ata mund të mendojnë se tërmetet janë pjesë e planit të natyrës për të eleminuar popullsitë e mëdha ose ndëshkimit të Zotit për mëkatarët.

Simptomat e sizmofobisë

Sizmofobia është një shprehje e ankthit të brendshëm dhe në bazë të shkallës së frikës së një personi, mund të ketë simptoma të ndryshme si:

  1. Palpitacione, frymëmarrje e shpejtë dhe jo e thellë
  2. Dëshira për të ikur ose fshehur. Të qara ose të bërtitura sapo mendon goditjen e një tërmeti
  3. Tharje e gojës, marramendje, shqetësime gastrointestinale, dhimbje koke, etj.
  4. Fobia mund të arrijë deri në planifikime udhëtimesh për t’i shpëtuar tërmetit. Shpenzime shumash të mëdha parash për të siguruar shtëpinë a pasurinë.
  5. Frika e tërmeteve natyrisht ndikon në jetën e përditshme të njerëzve dhe madje kompromenton marrëdhëniet e tyre me të tjerët.

Përballimi i sizmofobisë

Vetëedukimi në lidhje me tërmetet është një nga mënyrat më të mira për të kapërcyer Sizmofobinë. Dikush mund të sajojë plane për të mbrojtur shtëpinë dhe familjen para tërmetit. Kjo përfshin mbajtjen e një plani shpëtimi me pajisje të ndihmës së shpejtë, mjete zjarrfikësish etj.

Teknikat e ndihmës vetjake siç janë frymëmarrja e thellë dhe meditimi i përditshëm prej 10 minutash gjithashtu mund të ndihmojnë në përballimin e ankthit. Megjithatë, nëse fobia është duke ndërhyrë në jetën tuaj të përditshme, flisni me një psikoterapist, i cili mund të rekomandojë mënyra për të përballuar ankthin por jo për t’i shpëtuar tërmetit. Ilaçet mund të përshkruhen si mjeti i fundit në raste ekstreme.

©FlasShqip.ca