Psikologji

Pse nuk është ashtu siç thua ti-Nga Rudina Koromani

Përgatiti: Rudina Koromani, Psikologe Klinike

Shumë studiues bien dakort se fjalët janë të parat që përdoren për dhënien e një informacioni, ndërkohë që gjuha e trupit përdoret për negocimin e qëndrimeve ndërpersonale e në shumë raste përdoret si zëvëndësuese e komunikimit verbal.

Një vështrim i ngrohtë na thotë shumë më tepër se një fjalim i tërë që mund të na duket dhe i mërzitshëm ndonjëherë. Një komunikim i mirë është baza e një bashkëjetese të suksesshme.

Komunikimi është shumë më kompleks nga sa mendohet. Nuk është dhe aq e lehtë dëshifrimi i gjithë informacionit që ne marrim. Është shumë e thjeshtë fokusimi tek fjalët, por ato janë vetëm një fraksion i informacionit që përcillet. Ndonjëherë dhe pa folur përcjellim mesazhe shumë të rëndësishme.

Mungesa e aftësive të mira komunikative çon në situata destruktive, e rrjedhimisht vështirësi për të punuar me emocionet (menaxhimin e tyre) si dhe në vështirësi për të zgjidhur problemet.

Problemet vijnë kur partnerët keqkuptojnë mesazhet e njëri-tjetrit. Edhe çiftet më të forta e të sinkronizuara mund të kenë komunikime shpërthyese të karakterizuara nga kritika ekstreme, mbrojtje të pavënda, ankthi, sulmimi, mospërfillja, përbuzja, këmbëngulja, kundërshtia e refuzimi për të komunikuar.

Komunikimi këmbëngulës në çift konsiderohet nga ekspertët e marrëdhënieve si mjaft toksik e destruktiv. Ky lloj komunikimi ndodh tek çiftet kur të dy partnerët janë kokëfortë/këmbënguës e refuzojnë kompromisin. Në këtë rast, është si një rrugë me një kalim, ku dy makina s’i hapin rrugë njëra-tjetrës.

Komunikimi këmbëngulës nga të dy palët mund të krijojë një mur mes partnerëve. Nëse dikush fiton, çifti humbet. Mendoni për një moment pse është e nevojshme të fitoni? Një individ me pasiguri emocionale mund ta kompensojë duke u dukur si më superior se pala tjetër. Duke u ndjerë fitimtarë, ndjehen më të fortë. Dobësia për ta, ekspozon pasiguritë, të cilat bien në kundërshtim me besimet e tyre që janë të fortë e të suksesshëm. S’keni nevojë të fitoni që të jeni të lumtur.

Kemi dhe rastin e komunikimit këmbëngulës nga njëri prej partnerëve. Këtë lloj komunikimi Psikologjia Sot (Psychology Today) e quan sindroma e Qukapikut “Woodpecker's Syndrome” një person i fiksuar tek ndjenjat e mendimet e tij vazhdimisht e vazhdimisht, ndërkohë që partneri tjetër tërhiqet në mbrojtje. Njëri nga partnerët nuk heq dorë, duke vazhduar komunikimet toksike e duke përsëritur ligjërata të nxituara e ofensive, ndërkohë që tjetri ndihet i shkëputur gjithnjë e më shumë. Një cikël toksik që përkeqëson marrëdhënien duke ezauruar të dy palët.

Ndonjëherë jemi dhe gabim: kombinimi gabim, të inatosur dhe kokëfortë është shumë problematik. Një përzjerje e qëllimeve të mira dhe vetëdrejtësisë, të ngarkuara nga zemërimi dhe përsëritja, nuk do të prodhojnë kurrë një mënyrë të shëndetshme për të komunikuar.

Woodpeckers janë këmbëngulës, kritikë dhe insistues në këndvëshrtimin e tyre: janë të prirur të fajësojnë, mos dëgjojnë, të përsërisin më forcë gjërat, sepse realiteti i dikujt guxoi të mos pajtohet me realitetin e tyre. Qëllimi i tyre nuk është të komunikojnë, por të fitojnë me çdo kusht, duke kompromentuar besimin dhe humbjen e cdo shprese për t’u lidhur dhe për të dëgjuar tjetrin (Nadia Persun, 2018).

Në momentin që ktheheni në një Woodpecker, ju në mënyrë të vazhdueshme shponi në kokën e partnerit për të hapur një rrugë për të depërtuar në trutë e tij/saj, duke injoruar agoninë e dhimbjen që shkaktoni tek ai/ajo që ndjehet i/e frustruar, mbrojtës, duke u munduar të izolojnë veten e tyre me heshtje, duke krijuar situata agonike dhe të pashpresë për çiftin. Duhet vetëm të ndaloni së foluri. Qetësohuni e kërkoni një mënyrë tjetër për t’u afruar.

Një komunikim efektiv është një aftësi që përmirëson shumë marrdhënien në çift. Këto aftësi ndërpersonale komunikimi janë verbale, joverbale dhe komunikimi i shkruar.

Mes teknikave efektive të komunikimit për çifte përdorni dëgjimin, bëni “luftë të drejtë”, përdorni fakte, jepni dashuri mirëkuptim e respekt, vëzhgoni dhe lejoni të ndihmoheni nga palë të treta të besueshëm (miq, familjarë, terapistë).

Marrëdhënia në çift ka të bëjë me Ne në vënd të Unë. Nëse fokusoheni vetëm tek vetja asnjëherë nuk do të mundësoni një komunikim efektiv e rrjedhimisht një marrëdhënie të lumtur në çift.

Marrja në konsideratë e këndvështrimit të partnerit/es thjesht zbukuron më shumë ditën tuaj. Ndryshoni komunikimin e gabuar duke ndryshuar zakonet tuaja (Erika Crull).

E nëse asgjë nuk funksionon sërisht, provoni t’i shkruani ato që doni të komunikoni, por jo me mesazhe elektronike…

 

Shënim: Nëse ke pyetje shkruaji psikologes Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.