Psikologji

Mburojat e Unit ose përballimi i vështirësive me mekanizmat mbrojtës - Nga Burim Bardhari

Mashtrimi i mekanizmave mbrojtës, vetëdija dhe vegimi

Në teorinë psikoanalitike frojdiane, sipas vajzës tij Ana Frojd, për ta përballuar barrën ngarkestare të jetës së përditshme dhe vrazhdësinë e ndodhive të veçanta, ne zhvillojmë prirjen për të përfituar vetëmashtrimthi nga disa lloje burimesh shpirtërore ose pajisjesh psikologjike të ndërdijes shkaku se nga mosnjohja, turpi, frika e pasiguria nuk jemi në gjendje ta përballojmë të vërtetën e hidhur me vetëdije të plotë. Më poshtë qëndiset radhoi i disa mekanizmave mbrojtës më të zakonshëm që mund të ndodhin këmbyerazi dhe bashkëpërfshirtas.

Shpërgjegjësim (Disclaimer): Mekanizmat Mbrojtës mund të jenë të mirë por edhe të dëmshëm.

Mekanizmat mbrojtës mund të shërbejnë dhe të luajnë një rol të mirë duke mbrojtur egon ose unin tonë nga stresi duke ofruar ‘rrugëdalje’ të shëndetshme. Në raste të tjera, ata pengojnë pjekurinë dhe mençurinë ndjenjore që të përballemi me realitetin e hidhur duke e mbuluar vetë-mashtrimin tonë dhe përjetësojnë dështimin.

Mohimi dhe mosnjohja përdoren më dendur, pothuajse nga çdokushi, saherë që realiteti është i vështirë për t’u pranuar ngase ‘vetëmashtrimthi lehtësohet jeta nëse mohohet e vërteta’; për shembull, dikush me ethe pohon se nuk eshtë i sëmurë që të mos shkojë te mjeku se ka frikë ose është shtrenjtë, gjithashtu mohimi i pasojave nga alkooli ose droga apo duhani, qoftë edhe nga ushqimi i tepruar si fëmijët që mohojnë ngrënien e çokollatës edhe kur i kanë njollat e saj në fytyrë.

‘Racionalizimi’ ose ‘Arsyetimi’ përdoret poashtu shpesh, si në fabulën e famshme të Ezopit, ku dhelpra vendosi se rrushi ishte i thartë, ende i paarrirë ngase nuk e kapte dhe arsyetoi mosveprimin e mëtutjeshëm - rrjedhimisht fshehu dështimin me arsyetim por ia hodhi vetes, ose kur dikush merr sende nga puna sepse firma arsyetimthi ‘ka plot’, qoftë vetem një letër printeri, ose kur dikush i shmanget pagesës së tatimit thjesht sepse politikanët i konsiderojnë si mashtrues që shpërdorin pasurinë shoqërore dhe kuletën popullore, ndërsa më e keqja është kur justifikohen vjedhjet dhe përdhunimet duke barazuar dinakërisht viktimat e pafajshme me abuzuesit pretar.

‘Shmangia’  është një ‘dukuri’ thelbësore pasiqë natyra njerëzore synon largimin nga gjendja e pakëndshme, por nëse i shmangim kokëçarjet për kohë të gjatë ato vetëm përkeqësohen dhe shtohen duke kërkuar më shumë vëmendje investimi më vonë.

‘Eskapizmi’ ose ‘Ikja e pavetëdijshme’ nga e vërteta i përket largimit nga ndonjë rast i padëshirueshëm që shmanget me stërmundim në mënyrë fuqishteruese e rraskapitëse, madje duke ndërmarrë veprime bishtnuese të paarsyeshme: të tilla pasoja obsesive si blerjet e panevojshme, teprimi me operacione plastike nga shtrëngimi shpirtëror, ose si varësia nga droga dhe pirja, ushqimi i tepruar, lojërat e fatit, marrëdhënie të paligjshme, ose duke u rrënjosur para pamësit televiziv me orë të tëra (sidomos komedi e seriale) apo duke djerraditur me lojëra kompjuterike, ose duke u bërë një ‘punëtoroman’ tejet i përkushtuar, ose papritmas duke u shndërruar në ideolog partiak apo ndonjë fanatik fetarist mjekrroshist paj edhe tifoz sportiv etj.

‘Kompensimi’ ose ‘Plotësimi’ ndodh kur dikush shfaq një sjellje ose veprim ndryshe nga një sjellje tjetër ku paraqiten pengesa dhe ata ‘mangësojnë;’ për shembull, kur dikush kalon më shumë kohë në punë, dallon e përparon por tërthoras ‘arsyeton’ mungesën e përkushtimit shtëpiak.

- ‘Zhvendosja’ merret me synime që nuk mund të arrihen qëllimthi, por shprehen përshtatshmërisht në mënyrë dytësore nëpërmjet parimit të zëvendësimit si për shembull arti, vizatimi ose thurja e një vjershe dashurie, dëgjimi ose kushtimi i një kënge apo më keq kur mllefi i drejtohet dikujt që duron.

‘Disasocimi’ ose ‘Shpërbashkimi’ ndodh kur ‘zhbashkon’ veten ose shtyn ndjenjat që rëndom do të shoqëronin një gjendje ose mendim, si për shembull pas tronditjeve shpirtërore sikur ndahet vetja nga trupi, ose përkushtimi i gjatë i njëanshëm (dogmatik e ideologjik) saqë ndryshon veten.

‘Ndrydhje ndjenjash’ ose ‘Shtypje shpirtërore’ nga përjetimet e së kaluarës të dhimbshme ose të frikshme që nxisin ‘vetë-fajësim,’ turp dhe pavlefshmëri ndaj vetes prandaj janë të ruajtura në rafshin e pavetëdijshëm të mendjes, qëllimisht shtypen ose ndrydhen në ndërdije që të mos shkridhen e sipërfaqësojnë në vetëdije e të mos shkaktojnë sërish vuajtje. Konsiderohet të jetë burimi kryesor i zemërimit dhe mllefit. Për shembull, nëse ndonjërin e ka kafshuar qeni në fëmijëri mund të vuajë nga frika e qenve. Mirëpo duhet patur kujdes se është plotësisht e mundshme që kujtimet e së kaluarës të jenë të rreme. Kësaj kategorie i takon edhe ‘shkarja Frojdiane,’ ose popullorçe njihet si rrëshqitja e gjuhës dhe pahiri zbulohet e vërteta e ndrydhur ose enkas e trysnuar me vetëdije. 

‘Humori’ ose ‘Hokatar-ia’ e tepruar me gazmore tek disa përdoret për të shpërqëndruar vëmendjen larg vetes dhe ridrejtuar tek qeshja që të lehtësohet shqetësimi ose ankthimi (si në ikje). Nuk duhet marrë kallëp thënia se ata që qeshin nuk mendojnë keq, ndoshta vërtetë nuk mendojnë keq për tjerët, por disa prej tyre kanë bërë vetëvrasje sepse përfundimisht lodhen nga roli që e përvetësojnë (ose ia ka ‘caktuar’ shoqëria) prandaj të afërmit duhen pyetur nësë mund të flasin edhe për shqetësimet.

‘Idealizimi’ ose ‘Përsosmëria’ e përfytyruar është një formë e mohimit të lartpërmendur në të cilën objekti i vëmendjes paraqitet si përsosmëri, ideal i patëmetë duke u përpjekur për të maskuar çdo mangësi në raste të tilla si dashuria e verbër, fëmija ose rinia, dogma dhe ideologjia (qofshin fetë sektare apo partitë politike) etj.

‘Projektimi’ ose ‘Tejbartja’ ndodh kur dikush i bart tiparet e veta të pakëndshme tek njerëzit e tjerë, transferim klasik i fajit. Për shembull, përgjegjësi që vjedh vetë i fajëson punonjësit për mbishpenzim ose humbje të mallit. Poashtu ndodh edhe tek ata që vuajnë nga kompleksi i vlerës së ulët dhe inferioritetit, sepse dinakërisht fajësojnë të tjerët për strehimin e mendimeve të tyre të pahijshme. Njeriu që flet shumë u thotë tjerëve se nuk janë dëgjues të vëmendshëm.

‘Prapakthimi’ ndodh kur në kohë stresi sjellja jonë mund të bjerë në nivel të kalamajve. Ky mekanizëm mbrojtës i prapavajtjes ose prapakthimit na çon të kthehemi në një nivel më të ulët të mençurisë ndjenjore ose inteligjencës emocionale për ta mbrojtur veten nga përballja me vështirësinë. Paramendoni nëse shpërthen grindja në bashkëshortësi dhe përplasni derën duke kthyer edhe shpinën ose largoheni nga shtëpia për disa ditë, ndërsa pastaj gjakftohtësisht do të pendoheni që keni lejuar sjelljen fëminore të bëhet vetëshkatërruese ose shkaktare e ndarjes.

‘Reagim i pavetëdijshëm’ ndodh kur fshihet motivi i vërtetë nga vetja duke kryer veprime që shfaqin të kundërtën. Për shembull, dikush mund ta urrejë vjehrrën e tij por ka turp të strehojë të tilla ndjenja dhe del jashtë vetes për të qenë shumë i këndshëm ose kur ndonjë çun ngacmon e bezdis butësisht vajzën të cilën ndoshta e pëlqen në ndërdije.

‘Intelektualizimi’ dhe (Izolimi) ose ‘Arsyeshmëria dhe Ngujimi’ kur duhet të veprojmë në mënyrë abstrakte me përballimin e situatave stresuese me anë të shkëputjes mendore nga ndonjë aktivitet profesional ku përkatësisht vuajtja dhe vdekja janë të pranishme përndryshe dikush mund të çmendet; mjekët, policët, ushtarët, shërbime funerali etj. Mirëpo mjerisht, ky mekanizëm mbrojtjeje u keqpërdor nga diktatura komuniste dhe nga ideologjia fashiste kur i shpallnin kundërshtarët e tyre si ‘armiq të popullit’ që të ushtrohej ndëshkimi i qytetarëve të pafajshëm më kallzime të trilluara.

‘Sublimimi’ ose ‘Fisnikërimi’ i gjendjes shpirtërore ndodh kur i shndërrojmë ndjenjat e mospëlqimit, dëshirat e paplotësuara ose ndërhyrjet e papranueshme në rryma vetëshërbimi. Për shembull, kur keni një ditë të pambarë pune shkoni jashtë për të ecur, ose kur ndez zënka e dashnorëve, kështuqë i drejtoheni vizatimit, muzikës ose poezisë. Fisnikërimi i ndjesive bashkë me intelektualizimin janë në fakt nga shembujt pozitivë të mekanizmave mbrojtës dhe në të vërtetë mund të ndihmesojnë sendërtimin e synimeve, mirëpo mund të shkaktojnë edhe pasoja negative nëse përdoren shprehishëm dhe për kohë të gjatë duke bishntuar zgjidhjen e çështjeve për të ecur përpara.

Derisa nuk mund të pritet zhdukja plotësisht e mekanizmave mbrojtës nga jeta e përditshme, mund të punojmë përmes atyre më dëmtues, në mënyrë që të bashkëjetojmë më mirë me tjerët dhe ta këndellim mirëqenien shpirtërore.

‘Vetëdija’ si fjalë e shqipes sonë të lashtë është shumë e qëlluar për këtë rast, sepse duhet ta dimë veten ose njohim veten tonë duke zbërthyer psikologjinë e mekanizmave mbrojtës, që të mos shkasim në vegim vetëmashtrimi, as të mos i shmangemi përballjes me atë se si ndihemi vërtetë, jo duke ia shkelur syrin vetes.

©Burim Bardhari