Psikologji

Kurthi i prokrastinimit !

Është e premte pasdreke dhe ora ecën. Ju duhet të mbaroni një punë me patjetër para se të mbyllni zyrën dhe ndërkohë që ora ecën mallkoni veten që e kishit lënë pas dore.

Po si ndodhi, si iku pra kështu? Pse u shfokusuat? E po disa minuta i harxhuat me emaile, disa të tjera duke lundruar nëpër faqet e mediave sociale. Një orë ju shkoi në kafe, dhe ca orë të tjera i harxhuat duke bërë punë që nuk ishin me afat.

Hajt mos u mërzisni. Nuk jeni i vetëm në botë!

Prokrastinimi është një kurth ku bien shumë prej nesh. (Termin nuk po e zëvendësojmë me fjalë shqipe, po e sjellim siç përdoret kudo në psikologji). Disa e ngatërrojnë me dembelizmin, por nuk janë e njëjta gjë. Prokrastinimi është një proces aktiv, ju zgjidhni të bëni diçka tjetër në vend të asaj që ju në fakt jeni i vetëdijshëm se duhet ta bëni. Ndërsa dembelizmi lidhet me apatinë, pasivitetin dhe mungesën e vullnetit për të vepruar.

Prokrastinimi zakonisht injoron një detyrë të pakëndshme, por edhe të rëndësishme, duke u marrë me diçka që është më e lehtë ose argëtuese.

Por nëse i dorëzohesh këtij impulsi mund të sjellë pasoja serioze. Për shembull, edhe episode e vogla të prokrastinimit mund të na bëjnë të ndihemi në faj ose të turpëruar. Për shkak të tij mund të mos arrijmë qëllimin ose të na bjerë rendimenti e produktiviteti në punë,

Nëse prokrastinojmë për një periudhë të gjatë kohore, ne mund të demotivohemi dhe zhgënjehemi, gjë që mund të na çojë drejt depresionit ose edhe humbjes së punës. Jo më kot nga populli ka dalë dhe urtësia “Punën e sotme mos e lër për nesër”. Prandaj, lëre facebook-un, ose programoje kohën që do merresh me komente apo lexime në internet, kafen merre me vete në dorë dhe ki parasysh se atë detyrën që të rri si çekan në kokë, ti do ta bësh gjithsesi, prandaj më mirë mblidhe mendjen dhe ulu bëje!

 

©Flasshqip.ca