Misteri i vetë-besimit
Një lloj vuajtje është kur ndihesh keq sepse nuk ke guxim të mjaftueshëm e nuk beson te aftësitë e tua. Ti mund të ndihesh sikur në çdo aspekt të tjerët janë më mirë se ty. Kjo ndjesi ju bën që ti qaseni jetës me ndrojtje, mbrojtje ose me sjellje që u bëjnë qejfin të tjerëve. Por ti edhe pse ke kapacitete e aftësi sërish druan të besosh se i ke. Ti ke nevojë për konfirmim të aftësive nga dikush tjetër që në sytë apo mendjen tënde vlen shumë.
Por nga ana tjetër ka tipa që edhe pse janë bosh brenda e jashtë shesin vetë-besim e çajnë malet me krenarinë e tyre për hiçgjë që kanë bërë në jetë. Nga u vjen xhanëm gjithë kjo forcë? Vetë-besimi mos u vjen këtyre prej budallallëkut? Mos ndoshta mbivlerësimi i vetes është tipar i injorantëve dhe sigurisht që injoranca kudo e kurdoherë gjen terren të lulëzojë e përparojë? Avash-avash mos nxitoni! Nuk po e ngatërrojmë vetëvlerësimin me vetëbesimin. Thjesht u kujtuam se tipat me vetë-besim kanë shpesh mbi-vlerësim pa baza reale. Megjithatë i kthehemi vetë-besimit, të cilit studiuesit i kanë dhënë një shpjegim.
Vetë-besimi është gjenetik 50% dhe pjesa tjetër kultivohet.
Atëherë, doni të kultivoni vetë-besim? Vazhdoni leximin…
Ushtrimi më i lehtë për të ndërtuar vetë-besimin është të mbash shënim sukseset e vogla që keni arritur gjatë ditës. Vetëm 3 minuta ju duhen për të sjellë ndër mend gjërat e mira që keni bërë në një ditë. Suksesi nuk është e thënë të jetë një arritje e madhe, një fitore e vogël që ju ka kënaqur është ok. Duke u fokusuar në këtë aspekt ju do të ndërtoni e përforconi veprimet dhe mendimet pozitive për veten.
Që t’jua lehtësojmë punën do t’ju rendisim disa ide të fitoreve të vogla që ndoshta ju i përjetoni, por nuk e kuptoni se këto quhen suksese të jetës tuaj.
- Keni marrë një vendim të drejtë
- Gjetët kohë për ushtrimin
- Ju erdhi keq për veten kur bëtë një gabim dhe nuk i bëtë gjyq si gjithmonë
- Pushuat kur u lodhët dhe nuk e sforcuat veten
- Ndihmuat dikë
- Përparuat në një detyrë
- Vendosët të hiqnit dorë prej diçkaje që nuk ishte e mirë për ju
- Bëtë një gabim, por nuk lejuat që ky gabim t’ju nxinte ditën
- Vendosët objektiva për ditën dhe ia arritët
- Ju i thatë jo kërkesave të paarsyeshme dhe i vendosët kufij të tjerëve
- Morët iniciativë më në fund
Kështu pra pasi keni listuar gjërat e mira që keni bërë gjatë ditës, bëjini komplimente vetes për këto arritje. Megjithatë ne po të bëjmë të parët komplimentin për arritjet e ditës së sotme. Urime!
©FlasShqip.ca











