Ca gjëra që nuk i dinit për dashurinë
Shpesh dashuria karakterizohet nga ndjenja ambivalente, ajo të sjell lumturi, por gjithashtu të çon në trishtim të thellë kur e humb atë. Dashuria ka intriguar filozofët, poetët, psikologët e të gjithë frymorët që janë ndjerë turbullt një herë në jetë. Por çfarë kanë thënë ata që kanë studiuar mbi ndjenjën e dashurisë. A kanë mundur dot ta përkufizojnë apo t'i japin ndonjë shpjegim asaj që pakkush ka arritur t’ia gjejë enën e duhur? Le ta eksplorojmë:
Dashuria si hyjni ose hyjneshë:- Grekët e lashtë kanë krijuar Afërditën dhe Erosin. Afërdita bindi Helenën të braktiste të shoqin e të rendte pas Paridit, ndërsa Erosi i shigjetonte viktimat e tij duke bërë të binin në dashuri pa e kuptuar.
Dashuria si nevojë për bashkim në një trup të vetëm:- Në veprën “Simpoziumi”, Platoni thotë që dashuria bazohet në nevojën e personit për t’u plotësuar nga një tjetër. Sipas tij qënia njerëzore ka qenë e ndërtuar në dy pjesë. Kishte qenie të përbërë nga dy burra, kishte të përbërë nga dy gra, dhe qënie të përbërë nga një burrë dhe grua. Këto qënie ishin shumë të fuqishme aq sa Zoti u ndje i kërcënuar nga fuqia e tyre dhe i ndau në dysh. Prandaj sot çdo burrë apo grua kërkon gjysmën e vet. Kjo teori shpjegon edhe homoseksualizmin.
Por dashuria e menduar më parë vetëm si objekt i poetëve e filozofëve, është temë studimi edhe për psikologët, pasi ajo ndikon jetën sociale të njeriut dhe është një sjellje njerëzore. Sipas psikologëve, dashuria ka të bëjë me një ngritje fiziologjike, thithje psikologjike të fuqishme nga partneri, interes për personalitetin e tij, fantazim për të, lëkundje emocionale. Dashuria karakterizohet nga momente të magjepsjes, dëshirës seksuale, ekskluzivitetit të marrëdhënies dhe kujdesit për njëri-tjetrin.
Ndërsa sipas Sternberg, një psikologu amerikan, dashuria përbëhet nga tre komponentë, intimiteti (ndjenja e afërsisë dhe e lidhjes), pasioni (motivimi, seksi, afërsia fizike, romantika) dhe vendim-angazhimi (përfshirjen në lidhje afatgjatë). Kombinimi i këtyre tre elementeve jep 8 llojet e dashurisë.
Pëlqyeshmëria karakterizohet nga përkujdesja, përqafimet, afërsia. Bëjnë gjëra për njëri-tjetrin, janë të dhënë pas njëri-tjetrit, kapen dorë për dore, nuk kanë marrëdhënie seksuale, kanë një marrëdhënie jo intensive.
Magjepsja kanë tërheqje fizike për njëri-tjetrin, shihen vetëm si objekte seksuale, angazhohen në marrëdhënie, zemra i shpeshton rrahjet, kryejnë marrëdhënie seksuale, nuk zgjat shumë lidhja. Bazohet në impresionet e para iracionale, shohin vetëm anët pozitive, gjithçka rrotullohet rreth personit, nuk njihen mirë.
Dashuria Platonike nuk është seksuale, jo fizike, mendojnë për partnerin, e idealizojnë, ëndërrojnë dhe mendojnë shumë për lidhjen e tyre, shpesh partneri është imagjinar ose lidhja është fantazi.
Dashuria Shoqërore nuk është seksuale, zgjat shumë sepse ndërtohet mbi bazën e respektit, njohjes dhe besnikërisë. Janë intim sepse i qajnë hallet dhe ndajnë gëzimet bashkë.
Dashuria Romantike përveç angazhimit në marrëdhënie afatgjatë janë intim dhe pasionantë. Kalojnë darka nën dritën e qirinjve, shëtitje buzë detit, shkëmbime dhuratash, bëjnë pjesë në ëndrrat e njëri-tjetrit, jetojnë si në përrallë, kanë marrëdhënie seksuale.
Koteledashuria ndodh në adoleshencë, është eksperienca e parë, nuk zgjat shumë. Adoleshentët janë të magjepsur, ndihen si në ajër, mendojnë vetëm për të, shohin vetëm anët pozitive të personit, veprojnë pa u menduar, u rreh zemra fort kur e shohin tjetrin, puthen e përkëdhelen, me ndjenja turpi ndaj njëri-tjetrit.
Dashuria boshe Për një arsye të caktuar dy njerëz rrinë bashkë, por jo sepse janë intim dhe pasionant për njëri-tjetrin. Ndodh të rrinë për shkaqe pasurore ose shqiptarçe, medemek për hir të fëmijëve dhe si rrjedhojë jetojnë secili jetën e vet dashurore. Mund të quhet edhe një lidhje e shqyer përveçse boshe. Dhe çuditemi në fakt se pse e klasifikojnë në dashuri këtë lidhje?
Dashuria e plotë zgjat shumë, ndërtohet mbi bazën e besimit, respektit, përkushtimit. Partnerët janë intim, tregojnë pothuajse gjithçka njëri-tjetrit, janë pasionantë, eksplorojnë rrugë të reja për të mbajtur në nivele të larta interesin për njëri-tjetrin. Bëhen mbështetje për partnerin në çdo aspekt, janë vërtet të interesuar dhe motivuar të mbajnë premtimin “derisa vdekja të na ndajë”.
Si vjen dashuria?
Ekziston teoria e dashurisë me shikim të parë sipas të cilës, çdo mashkull ka një përfytyrim jokoshient për seksin femër, dhe çdo femër ka një imazh të pavetëdijshëm për seksin mashkull. Kur ata takojnë dikë, figura e të cilit përputhet me këtë imazh atëherë ndodh tërheqja, dashuria me shikim të parë. Por ka raste kur një gjendje interpretohet si dashuri vetëm pasi ajo shoqërohet me ngritje fiziologjike e stimuluar prej ankthit apo frikës. Nëse një person pasi ka kaluar një situatë të vështirë e më pas takohet me dikë e ndihet sikur fluturon, i çliruar nga frika apo ankthi ia atribuon këtë gjëndje takimit me personin në fjalë dhe mendon se ka ndjenja për këtë person. Rënia në dashuri shkaktohet nga një tendencë biologjike e fuqishme për të formuar lidhje emocionale, për të vazhduar llojin, dhe thuhet se sa më e fortë lidhja me nënën në fëmijëri aq më e fortë do të jetë lidhja dashurore e fëmijës me partnerin e ardhshëm.
E megjithë teoritë e disiplinave të ndryshme, ende ka diçka të mistershme tek dashuria për të cilën s’gjendet shpjegim logjik. E rëndësishme është që njerëzit ta shijojnë atë siç u vjen për mbarë, pa menduar fare.
©FlasShqip.ca











