Psikologji

Mbi disa nevoja psikologjike të paplotësuara - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Ka njerëz që jetojnë në të shkuarën, ngecin tek ngjarjet që u kanë ndodhur vite më parë dhe s’dalin prej andej. Ka të tjerë që jetojnë në të ardhmen duke fantazuar e imagjinuar një jetë që nuk e kanë.

Jeto të tashmen, ndjej momentin, ji këtu në këtë moment. Zhvendose vëmendjen nga e shkuara ose nga e ardhmja sepse nuk të ndihmojnë shumë në të sotmen - këshillojnë disa psikologë klientët e tyre.

Sigurisht ata nuk mohojnë se disa aspekte të së shkuarës janë të nevojshme të kuptohen, diskutohen e zgjidhen në mënyrë që të jetohet shëndetshëm e tashmja.

Ka eksperienca të shkuara aq të forta saqë mund të kenë lënë dikë në gjendje nevoje konstante. Për shembull, humbja e një njeriu të dashur në  moshë të re mund t’i lërë nevoja të caktuara të individit të paplotësuara e si rezultat t’i shkaktojë një zinxhir problemesh emocionale, zhvillimi, sjelljesh apo marrëdhëniesh.

Janë disa kategori nevojash psikologjike të paplotësuara që identifikohen shpesh në seanca këshillimi me të rinj e të rritur. Unë po shkruaj për më kryesoret.

Nevoja për dashuri: Kjo është nëna e të gjitha nevojave. Njerëz që ndihen sikur nuk vlejnë mjaftueshëm për të merituar dashurinë e prindërve të tyre, ose edhe të tjerëve të rëndësishëm. Besimi bazë që i shoqëron është që janë zero me xhufkë, që as prindërit nuk i duan, pale të tjerët. Këta janë të uritur për dashuri dhe nuk kanë patur dikë që t’ua japë. Ky mund  të jetë fakt por ndoshta edhe perceptim I shtrembëruar. Si rrjedhojë këta individë do të zhvillojnë pareshtur marrëdhënie të pashëndetshme dhe me gjasa të prirur të përjetojnë ankth e depresion.

Nevoja për miratim: shpesh duket tek ata persona që në mënyrë të vazhdueshme bëjnë çdo gjë që të pëlqehen dhe miratohen prej të tjerëve. Ndoshta kanë patur prindër kritikë që rrallë kënaqeshin me rezultatet e tyre në shkollë. Ndoshta kanë qenë të rrethuar me të rritur që nuk kishin kohë mjaftueshëm t’u kushtonin fëmijëve kur ata donin të tregonin diçka.

Nevoja për kontroll: kam patur rast të kem klientë që shfaqnin sjellje vetëdëmtuese, prerje me brisk në parakrah etj. Shumica e bënin jo për qëllim dhënie fund të jetës, jo. Thelbi ishte nevoja për kontroll. Një traumë e kaluar prej një abuzimi të vazhdueshëm, ku klienti ishte ndjerë i pafuqishëm, pa kontroll mbi atë çka ndodhte shprehej me sjellje vetëdëmtuese mbi të cilat klienti ndjente se kishte kontroll.

Nevoja për siguri: Çfarë ndodh me një fëmijë kur braktiset prej prindërve në çdo kuptim të kësaj fjale? Shpesh këta fëmijë rriten duke u ndjerë të pasigurtë, të frikësuar se kushdo tjetër që hyn në jetën e tyre do t’i braktisë një ditë. Edhe partneri, edhe shoku apo shoqja. Ndjenja e pasigurisë i shoqëron në çdo marrëdhënie. Nevoja e tyre më e madhe është të ndihen të sigurtë, të ndjejnë që përkasin diku ose dikujt. Ata mund të lidhen e zgjidhen shpejt për shkak të nevojës por edhe ankthit e frikës.

Nevoja për të vërtetuar se vlen: Mendoni një fëmijë që vizaton një lule të bukur e vrapon t’ia tregojë mamit por ajo i thotë se ka lule edhe më të bukura në kopësht dhe se ngjyra jeshile nuk i shkon petaleve, atëherë ky fëmijë do të zhvillojë prirjen që të kërkojë validim diku tjetër, jashtë familjes sepse ka nevojë për një kompliment, për një fjalë të mirë e të ëmbël. Sepse ai ka nevojë për provën e vlefshmërisë së tij në sytë e dikujt. Nëse nuk e merr në familje, do ta marrë jashtë saj.

Atëherë çfarë duhet bërë kur dyshoni se keni nevojë të paplotësuar të tillë që mund t’ju dëmtojë përditshmërinë dhe shqetësojë mendimet, emocionet e sjelljet? Sigurisht që nevojat duhen plotësuar, por plotësimi i tyre kërkon një ndërhyrje të planifikuar mirë dhe që të jetë e bazuar në praktikat më efektive që kërkuesit kanë vërtetuar që funksionojnë. Është e kotë të shkosh tek një psikolog vetëm se ky apo kjo mban titullin e tillë. Pyet fillimisht ç’lloj praktike përdorin, kërkoji detaje mbi drejtimin e tyre teorik, instrumentet e vlerësimit, hulumto, e pastaj rezervo takim.

Shënim: Ky artikull ka vetëm qëllim informativ dhe nuk zëvendëson këshillimin e trajtimin profesional. Kontaktoni një profesionist të kualifikuar për këshilla të personalizuara.

©JetaDedja/Flasshqip