Shëndet

Tavë dheu nga ija tironce

Na ka ndodhur të asimilohemi me kulturën e një vendi ku jetojmë në shumë aspekte. Na ka ndodhur që shpesh herë gjendemi duke eksperimentuar gatime ndërkombëtare dhe sigurisht është bukur të servirësh larmi në tavolinë. Por na ka ndodhur që ti biem telefonit të mamit që jeton në Shqipëri për ta pyetur se si bëhet pula me përshesh, arapashi apo tava e dheut. Mirë është ti kthehemi hera-herës traditës për ta përcjellë  brez pas brezi dijen. Ja për shembull le të kujtojmë gatimin tradicional të Tiranës.

 Tavë dheu 

Përbërësit: 30 gr qepë, 30 gr spec i kuq (djegës), 30 gr  spec jeshil, 70 gr mish vici, 30 gr gjizë, 50 gr salcë domatesh, 10 gr miell, 3 gr majdanoz, 2 gr kripë, 2 gr piper,  pak gjalpë, gjysmë thelpi hudhër, vaj ulliri.

 

Për përgatitjen e tavës së dheut, si fillim presim mishin në kubikë të vegjël. Më pas grijmë në rende qepën dhe specin jeshil. Në një tenxhere hedhim pak vaj ulliri dhe hedhim qepën, mishin dhe specin. I shtojmë edhe miellin dhe i kaurdisim deri në momentin që të marrë një ngjyrë të kuqërremtë. Më pas i shtojmë salcën e domates, specin e kuq djegës, që më parë e kemi grirë në rende dhe pasi i kaurdisim përbërësit, shtojmë pak ujë dhe gjizë dhe i lemë të ziejnë për 2-3 min. Pas zierjes e heqim tenxheren dhe e lemë mënjanë. Marrim tavën e dheut, e lyejmë me gjalpë dhe e vendosim në sobë, në mënyrë që të nxehet sa më shumë.

Në momentin që tava është zier, i hedhim përzierjen e përgatitur dhe e fusim në  furrë për 5 minuta në temperaturën 200 gradë. Pasi nxjerrim tavën nga furra, ajo është gati për t’u shërbyer. Ju bëftë mirë!