Dr.Tritan Kalo këshillon!
Mjeku i njohur Tritan Kalo këshillon përmes profilit të tij në Facebook miqtë por edhe pushuesit në këtë periudhë pushimesh të kenë kujdes nga “Conjuctivitis” e njohur ndryshe edhe si “Pink-eye”.
Ky është një inflamacion i konjuktivës, shtresës shumë të hollë veshëse të syrit dhe pjesës që edhe shtrihet në anën e brendshme të kapakëve të syrit. Skuqja, djegja, kruajtja e syrit, ndjesia e pranisë së një trupi të huaj në të, janë shenjat më të zakonshme klinike, të cilat nëse shoqërohen jo me rrjedhje të qarta nga syri apo sytë e sëmurë, por me rrjedhje disi më të trasha mukoide në të bardhë, janë një tregues për një infeksion bakterial dhe jo viral të tyre.
Syri apo sytë e skuqur, shumë lotues si dhe prania e gjëndrave limfatike të zmadhuara para ose pas veshit apo nënnofull, janë tregues shumë të qartë të një infeksioni viral, mjaft i përhapur në këto kohë.
Skuqja dhe ndjesia e të kruarit intensiv e të dy syve, duhet parë seriozisht edhe si një manifestim alergjik.
Kompresat e ngrohta, përdorimi i “lotëve artificialë” disa herë në ditë si dhe përdorimi i pikave në sy apo i pomadave me antiviralë, antibakterialë ose me përmbjatje kortikoidesh dhe antihistaminikëve (në rast konjuktivitesh alergjike), bëhet vetëm e vetëm pas një vizite te mjeku, dhe ato mbeten bazat e trajtimit të tyre. Vetëmjekimi shpesh është shumë i gabuar. Konjuktivitet virale janë shumë ngjitëse edhe nga një person te tjetri me anë të duarve. Në përgjithësi sëmundja nuk zgjat më shumë se një javë, por në disa raste e kalon këtë kufi kohor.
KUJDES me higjenën e duarve dhe përdorimin e pavend të antibakterialëve/antibiotikëvë në këto raste kur nuk ka indicie për një infeksion bakterial.