Shëndet

A është Kanadaja vendi më i mirë për të lindur një fëmijë?

Edhe pse Kanadaja është padyshim një vend i mirë për të lindur e rritur një fëmijë, me sistemin universal të kujdesit shëndetësor, lejen e lindjes 18 mujore dhe lejen e re të babait deri në një periudhë kohore pesëvjeçare të sapo shpallur në buxhetin kanadez, sërish kjo duket se nuk është e mjaftueshme për të qenë më i miri.

Një raport i UNICEF kohët e fundit, renditi vendet më të mira dhe më të rrezikshme për të lindur, sipas shkallës së vdekshmërisë foshnjore. Raporti i ka ndarë vendet në kategori me të ardhura të ulëta, të ardhura të mesme dhe të ardhura të larta. Nga 50 vende me të ardhura të larta, Kanadaja renditet e 35-ta, me një vdekshmëri foshnjore 3.2 për 1.000 lindje. Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 36-të me një vdekshmëri foshnjore prej 3.7 për 1.000. UNICEF konsideron se shkalla e vdekshmërisë së Shteteve të Bashkuara është shumë e lartë në raport me nivelin e saj ekonomik, ndërkohë që Kanadaja ndodhet vetëm një vend më lart.

Po cilat janë vendet e para në botë, më të favorshme nga kushtet për të lindur? Cilat janë avantazhet shtesë që Kanadaja mund të vendosë t’i marrë në konsideratë duke i shtuar në planin e saj të shëndetit e të lindjes.

Japonia

Me një vdekshmëri të porsalindur prej 0.9 vdekje për 1.000 bebe në 28 ditët e para të jetës, UNICEF e konsideron Japoninë si vendi më i sigurt në botë për të lindur. Shumë gra në Japoni pushojnë së punuari sapo mbeten shtatzëna. Gratë shtatzëna japoneze gjithashtu marrin shumë ultratinguj gjatë shtatëzanisë dhe episiotomitë gjatë punës janë të zakonshme. Shoqëria japoneze vlerëson mirëqenien mendore të nënës gjatë shtatzanisë dhe gratë marrin edhe kujdes nga anëtarët e familjes gjatë periudhës pas lindjes.

Islanda

Islanda vjen në vendin e dytë në renditjen e UNICEF me vdekshmëri foshnjore 1 për 1.000 lindje të gjalla. Islanda, si Kanadaja, ka kujdes shëndetësor universal dhe sipas një studimi të botuar në Gazetën Kanadeze të Shëndetit Publik, duke krahasuar qasjen e Kanadasë ndaj kujdesit të lindjes me atë të Islandës dhe Finlandës, "infermiere-mamitë" janë ofruesit kryesorë të kujdesit shëndetësor të lindjes. Pas lindjes së një gruaje, ka një periudhë "të shtrirë" që zgjat nga një deri në shtatë ditë dhe kur gruaja shkon në shtëpi me fëmijën e saj, mamia do ta vizitojë atë në shtëpi për disa ditë. Sa i përket lindjes dhe lejes së atësisë, nënat marrin tre muaj, baballarët marrin tre muaj me tre muaj shtesë dhe secili prej tyre mund ta marrë në çdo kohë gjatë 18 muajve të parë të foshnjës.

Finlanda

UNICEF e rendit Finlandën në vendin e katërt me normë vdekshmërie 1.2 për 1.000. Ashtu si Kanadaja, Finlanda ka kujdes shëndetësor universal dhe si Islanda, ofruesit kryesorë të kujdesit shëndetësor të lindjes janë infermiere-mami, që marrin pjesë në mbi 70 për qind të lindjeve. Atje të gjitha nënat e reja marrin një ndihmë ekonomike për foshnjen, e cila është konceptuar me idenë për t'i dhënë të gjitha bebeve një fillim të barabartë në jetë.

Sllovenia dhe Estonia

Sllovenia dhe Estonia janë në vendin e pestë në renditjen e UNICEF, të dy vende me një normë vdekshmërie prej 1.3. Mosha mesatare e nënës së parë në Slloveni është 28.5 vjeç dhe niveli i lindshmërisë është rritur që nga viti 2000. Në Estoni, mosha mesatare e nënës së parë është 26.6 vjeç. Në Estoni, baballarët marrin pjesë në 80 për qind të lindjeve sepse lejohen të jenë në sallën e operacionit gjatë lindjes. Ashtu si Islanda dhe Finlanda, Estonia mbështetet shumë tek mamitë. Për te inkurajuar lindjet, më 2004 Estonia gjithashtu vendosi tu garantojë nënave të reja të ardhura të plota mujore deri në 15 muaj pas lindjes.   

Pakistani, vendi më i rrezikshëm për të lindur

Sipas renditjes së UNICEF-it, vendi më "i rrezikshëm" për të lindur është Pakistani me një shkallë vdekshmërie prej 46 në 1.000 foshnje në muajin e parë të jetës, një shkallë prej pothuajse 1 në 20. Një foshnjë e lindur në Pakistan është ka 50 herë më shumë gjasa të vdesë se sa një fëmijë i lindur në Japoni, Islandë apo Singapor.

Megjithëse Kanadaja nuk është ndër pesë të parat, aty ka ende shumë përfitime përveç kujdesit shëndetësor universal. Çdo foshnje e lindur në Kanada konsiderohet në moment qytetar kanadez. Gjithashtu ekzistojnë Pagesat suplementare për fëmijët, Pagesat për Personat me Aftësi të Kufizuar si dhe sigurimi i punësimit për individët që presin një fëmijë.

 Albanian Montreal Press

Burimi: Huffingtonpost.ca