Shëndet

Recetë e një specialisti të njohur të mjekësisë alternative për të forcuar imunitetin

Nga: Florent Cavaler (Autor dhe redaktor i revistës Pure Santé)

Përktheu nga frengjishtja: Edlira Dedja

Simptomat e para: Këshilla që ndoshta autoritetet nuk i japin

Temperaturë (në 87% të rasteve)

Kollë e thatë

Vështirësi në frymëmarrje

Lodhje

Rrufë (më e rrallë)

Para së gjithash: nëse nuk keni probleme serioze, mos nxitoni të shkoni në urgjencë (rrezikoni të infektoni njerëz të tjerë).

Ashtu si ju kanë këshilluar edhe autoritetet, është mirë që të qëndroni në shtëpi, të shmangni kontaktet me njerëzit e tjerë dhe të thërrisni menjëherë një mjek.

Me pas, ndiqni rekomandimet që ju janë dhënë nga mjeku përmes telefonit.

Mbi të gjitha, shmangni marrjen e ilaçeve anti-inflamatore. Ju mund të keni dëgjuar se medikamentet anti-inflamatore josteroide (AINS) si ibuprofeni ose kortizoni, mund ta përkeqësojnë infeksionin dhe të shkaktojnë efekte anësore.

Nëse dëshironi të veproni që në shfaqjen e simptomave të para, kjo recetë është një bombë artizanale kundër infeksioneve (që lexuesit e mi e dinë mirë).

Zgjidhja më e mirë kur kemi zënë shtratin:

Receta është e thjeshtë e bashkon barërat dhe ushqimet më të mira për të forcuar sistemin imunitar dhe për të luftuar infeksionet. Për ta realizuar atë ju duhen:

1. Xhenxhefili (xhinxher)

Ndihmon rruazat e bardha të gjakut që të mbrrijnë më shpejt tek mikrobet, duke stimuluar kështu qarkullimin e gjakut dhe vazodilatacionin periferik. Ai forcon imunitetin tuaj kundër sulmeve bakteriale ose virale (ftohja, bronkiti, angina, kollitjet, gripi).

2. Mjalti

Njihen vetitë e tij të fuqishme anti-infektive. Sipas disa studimeve, mjalti mund të veprojë edhe kundër bakterieve rezistente ndaj antibiotikëve, si stafilokoku aureus.

3. Curcuma ose Shafran i Indisë

Ka qenë subjekt i qindra studimeve për efektet e tij shëndetësore. Ai pengon dobësimin e sistemit imunitar gjatë trajtimeve të kancerit (kimioterapi, radioterapi, etj.)

4. Kanella

Veçanërisht në formën e vajit esencial, ka një aktivitet të fortë antibakterial për të cilin thuhet se vepron në 98% të mikrobeve. Ajo rrit reagimin imunitar ndaj sulmeve dhe mund të ndihmojë në luftimin e infeksioneve të ORL.

5. Limoni

Stimulon sistemin imunitar (falë vitaminës C që përmban) dhe ka veti të forta antivirale.

6. Thym ose Trumzë

Antiseptik i fuqishëm dhe anti-infektiv, është i pari që duhet të merrni në rast të infeksionit të frymëmarrjes, dhimbjeve të fytit, ftohjes ose anginës. Përdorimi i tij terapeutik është çertifikuar edhe në Gjermani nga Komisioni prestigjoz E.

7. Rozmarina

Një antiseptik natyral, qe është në gjendje të frenojë shtimin e disa qelizave bakteriale. Rozmarina përmban acid rosmarinik dhe carnosic me veti antioksiduese, anti-inflamatore dhe anti-infektive shumë të dobishme në rast të përfshirjes infektive të sferës ORL.

Besoj e kuptoni se me një përzjerje të tillë mund të përgatisni pa frikë një bombë imunitare për të shkatërruar viruset që ju sulmojnë. Të gjitha së bashku përmblidhen pra në një pije.

Së pari, merrni përbërësit e mësipërm dhe ndiqni me kujdes procedurën e mëposhtme:

Filloni duke hedhur dy lugë gjelle thym dhe rozmarinë në një filxhan të madh me ujë të valuar e duke i lënë 10 minuta në të.

Më pas hidheni këtë përzierje në një shishe qelqi.

Ndërkohë që infuzioni ftohet, grini një copë të madhe xhenxhefil (xhinxher) të freskët (në madhësinë e gishtit të madh) sa më hollë e nëse mundeni, mund ta grini edhe në mikser.

Shtoheni xhenxhefilin (xhinxher) në shishe dhe pudroseni mirë këtë përzjerje me kanellë dhe shafran të Indisë (curcuma).

Shtoni një lugë mjaltë dhe një limon të shtrydhur (pasi përzierja të jetë ftohur sepse vitamina C është e ndjeshme ndaj nxehtësisë). Mund t’i shtoni edhe ujë të freskët nëse është e nevojshme.

Mos harroni ta tundni mirë shishen para se ta pini. Rezultat i garantuar!

Në fillim, mund të jeni pak të befasuar nga shija e theksuar e xhenxhefilit dhe shafranit të Indisë. Por do të mësoheni dhe do ta shihni se shpejt do të keni kënaqësi ta pini.

Këshilla ime për përdorimin e kësaj recete: konsumojeni këtë sasi gjatë gjithë ditës e sa herë që të merrni një gotë nga shishja, shtoni ujë përsëri në të, në mënyrë që të jetë gjithmonë plot. Përzierja do të hollohet gjithnjë e më shumë, por mund t'ju siguroj se mbetet e shijshme dhe efikase.

Kjo është receta më e fuqishme që mund t'ju ofroj në këtë periudhë të epidemisë.

Shpresoj të jetë e dobishme për ju!

 

Mars 2020

©FlasShqip.ca