Shëndet

Reshedi vlonjate

Disa e njohin si revania e Vlorës por vlonjatët i thonë reshedi. E dini si gatuhet? E thjeshtë fare.

Merrni një tenxhere me bazë të gjerë, hidhni 3 litra ujë të ftohtë dhe shtoni 1kg niseshte duke u trazuar me një lugë druri. Shtoni 600 gr gjalp të freskët.

Në ngrohje e sipër hidhni 200 gr sheqer dhe 500 gr mjalt dhe bajame ose arra të shtypura. Mund t’i shtoni pak vanilje sipas dëshirës.

Trazohet gjatë gjithë kohës, në mënyrë që të shmanget kokrrizimi. Zjarri duhet të jetë pak mbi mesataren. Kjo procedurë zgjat rreth 20 minuta.

Pasi të ketë marrë një ngjyrë të artë në të kuqërremtë, e gjithë masa shtrohet në një tepsi të lyer me pak gjalpë. Nivelohet dhe lyhet me të verdhën e vezës në gjithë sipërfaqen e saj.

Futet në furrë për 35 minuta në temperaturën 90 gradë. Pritet në forma rombi dhe serviret e vakët. Ju bëftë mirë!