Shëndet

Rëndësia e vitaminës D për çdo moshë

Fitnete Bitri-Nutricioniste, Toronto

Vitamina D e cila ndryshe quhet edhe si vitamina e diellit ka një rol të pazevëndësueshëm në organizmin e njeriut, pasi ka aftësinë që të preki çdo qelizë të trupit. Por, dashur pa dashur në jetën e përditshme një pjesë e mirë e njerëzve e anashkalojnë rëndësinë e kësaj vitamine që siç do e shohim më poshtë është e një rëndësie të veçantë.

Kjo vitaminë ka një rol të dyfishtë në organizmin tonë pasi kjo si fillim është vitaminë që trupi e ka shumë të domosdoshme dhe së dyti është edhe hormone, sepse trupi ynë mund të prodhojë vitaminë D me veprimin e dritës së diellit në lëkurë.

Cili është roli i Vitaminës D dhe Magnezit

Vitamina D ka disa funksione parësore në shëndetin tonë. Së pari rrit përthithjen e kalciumit dhe fosforin në traktin e zorrëve, dhe rregullon kalcifikimin dhe mineralizimin e kockave. Vitamina D gjithashtu është një kontribuese e fuqishme përsa i përket sistemit të shëndetshëm imunitar. Kjo vitaminë stimulon trupin të prodhojë një peptid të njohur si Cathelicidin. Ky peptid është një antimikrobik natyral që mund të sulmojë të gjithë patogjenët në periudhë griprash, përfshirë edhe viruset. Sa më i lartë të jetë niveli i vitaminës D në gjak, aq më i lartë është edhe përqendrimi i Cathelicidin dhe aq më të fuqishëm janë efektet antivirale. Një mineral mjaft i rëndësishëm në përthithjen e kësaj vitamin është edhe Magnezi. Ai është një lojtar i rëndësishëm-si për funksionimin e duhur të kalciumit, ashtu edhe për aktivitetin e vitaminës D, pasi konverton vitaminën D në formën e saj aktive. Po ashtu një rol të rëndësishëm vitamina D ka edhe përsa i përket funksionimit dhe mirëmbajtjes së qelizave të trurit. Një larmi e gjerë e indeve të trurit përmban receptorë të vitaminës D, dhe kur ato aktivizohen nga vitamina D, lehtësohet rigjenerimi i indeve të dëmtuara në trurin e njeriut. Studiuesit gjithashtu besojnë se nivelet optimale të vitaminës D rrisin nivelet e proceseve kimike të trurit, dhe mbrojnë qelizat e trurit duke rritur efektivitetin e qelizave gliale që janë të rëndësishme për të rikuperuar sadopak qelizat e dëmtuara të trurit. Vitamina D mund të ushtrojë disa nga efektet e saj të dobishme në trurin tuaj përmes vetive të tij anti-inflamatore dhe forcuese të imunitetit. Po ashtu nga studime të fundit ka rezultuar se mugesa e Vitaminës D ka lidhje me rritjen e nivelit të kolesterolit të lartë dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

Shkaqet e niveleve të ulta të vitaminës D në gjak

Një nga arsyet që bëjnë që vitamina D të jetë në nivele të ulta është mungesa e ekspozimit në diell. Në vende si Kanadaja apo Amerika e Veriut niveli i ekspozimi për një kohë të mjaftueshme në diell është e pamundur për arsye të klimës. Duke nisur nga Tetori deri në Mars ekspozimi në rrezet e diellit për të marrë sasinë e mjaftueshme të diellit është e limituar. Një tjetër arsye që bën që vitamina D të mos përthithet siç duhet është aciditeti i ulët i stomakut dhe mos funksionimi i mirë i mëlcisë dhe tëmthit pasi kjo është një vitaminë që ka nevojë të tretet në yndyrë. Po ashtu anomalitë metabolike në përthithjen ose metabolizmin e vitaminës D janë shkaqet më serioze të mungesës së saj. Një rol të rëndësishëm në mospërthithjen e kësaj vitamine mund të luajë dhe faktori gjenetik. Një tjetër faktor që ndikon është edhe mosha. Me kalimin e viteve trupi e ka më të vështirë që të përthithi vitaminën D nga rrezet e diellit dhe ta kthejë në formën përfundimtare që i duhet trupit tonë.

Cilat janë pasojat e mungesës së vitaminës D në organizëm?

Disa nga pasojat e vitaminës D në organizëm janë si më poshtë:

  • Kariesi dentar dhe ngërçe muskulore
  • Nervozizëm dhe pagjumësi
  • Djegia e gojës dhe fytit
  • Zhvillimi i dobët i kockave
  • Numri jonormal i kaviteteve dentare, plasaritja e dhëmbëve
  • Osteoporoza (kocka e demineralizuar)
  • Osteomalacia (zbutja e kockave)
  • Dhimbje në nyje dhe dhimbje kockash
  • Ngërçe muskulore

Si mund ta përthithim Vitaminën D nga ekspozimi në diell

Rreth 30 minuta ekspozim të përditshëm të lëkurës ndaj diellit, pa vendosur krem dielli është mënyra më e mirë për të parandaluar mungesën e vitaminës D në periudhën e verës. Ekspozimi në diell duhet bërë midis orës 9-11 paradite. Duhet të përdorni kapele dhe syze dielli po ashtu duhet të pini ujë dhe te jeni të hidratuar. Një tjetër rekomandin është që pasi keni qenë të ekspozuar në diell, ose keni qenë në plazh opsioni më i mirë është që mos të bëni direkt dush pasi jeni kthyer nga ekspozimi në diell. Se dyti, nëse duhet me patjetër të bëni dush duhet që të mos e fërkoni shumë lëkurën me sfungjer gjatë larjes në dush për arsye se  forma e vitaminës D që kemi marrë depozitohet në lëkurë dhe trupit i duhet të paktën një periudhë 24 orëshe që ta përthithi dhe ta kthejë në formën e vërtetë të vitaminës D, që i duhet trupit tonë.

Burimet ushqimore:

Disa nga burimet ushqimore që mund të merrni vitaminën D përfshijnë vajin e mëlçisë së merlucit, vajin e peshkut Halibut, të verdhën e vezëve organike (free run). Po ashtu Salmoni, tuna, sardelet, janë një burim i mirë për marrjen e kësaj vitamine. Mëlcia është po ashtu burim shumë i mirë. Produktet e qumështit janë të fortifikuara me vitamin D, dhe ato mund të jenë një opsion për ata persona që i konsumojnë produktet e bulmetit.

Kur nevojitet suplementi i vitaminës D3 dhe shoqërimi me K2

Përmbushja me suplement rekomandohet në vendet me klimë të ftohtë, ku një ndër to është edhe Kanadaja. Një sasi e caktuar e përthithjes së vitaminës D mund të merret nga ekspozimi ndaj dritës së diellit. Për të qënë më të saktë për sasinë e duhur duhet që para se të fillohet suplementi të kontrolloni nivelin e gjakut për të përcaktuar dozat individuale. Në rastin e marrjes së suplementit të vitaminës D, sigurohuni që të merrni vitaminën D3 dhe jo atë sintetike D2. Po ashtu një këshillë e vlefshme do ishte që nëse do përdorni suplement të vitaminës D3 ajo duhet të jetë patjetër e shoqëruar me vitamin K2. Roli biologjik i vitaminës K2, është të ndihmojë lëvizjen e kalciumit në zonat e duhura në trupin tuaj, si në kocka apo në dhëmbë. Prania e vitaminës K2 në këtë rast do të ndihmojë që kalciumi mos të depozitohet në vende të padëshirueshme në trup si në inde të buta apo edhe arterie duke krijuar të ashtëquajturat ngurtësimi i arterieve. Ky është një efekt anësor që më parë mendohej se ishte shkaktuar nga toksiciteti i vitaminës D, por nga studimet e fundit ka rezultuar që kjo ka ardhur nga mungesa e vitaminës K2, e cila tani në suplement në shumicën e rasteve është e shoqëruar në formulën D3+K2. Tani e dimë se kalcifikimi i papërshtatshëm në fakt është më shumë për shkak të mungesës së K2 sesa thjesht shumë vitaminë D.

Vitamina D dhe fëmijët

Po ashtu e një rëndësie të veçantë është edhe suplementi me vitamin D3 i të sapolindurve dhe fëmijëve veçanërisht këtu në Kanada. Kjo është e rëndësishme për arsyet që renditëm edhe më gjërë në artikull, ku ndër më kryesoret mbetet klima e ftohtë dhe jo mjaftueshëm kohë me diell. Nevojat për këtë vitaminë janë të mëdha përsa i përket grupmoshave të ndryshme. Ndër to janë edhe fëmijët që janë në zhvillim dhe e kanë mëse të domosdoshme për zhvillimin e kockave dhe dhëmbëve. Po ashtu vlen për t’u përmendur që në ditët e sotme fëmijët janë gjithmonë e më pak të ekspozuar në diell edhe për shkak të kushteve të një jetë jo shumë aktive. Ato janë më shumë të lidhur pas teknologjisë gjë që i mban më pak aktive dhe nuk u jep shumë mundësi që të marrin edhe ato rreze dielli kur është e mundur.

 

Referenca: Nutritional Symptomatology. Lynne Hinton, BSc, BEd, RROHP, CHCP & Tracy Mc Burney, B.A., RNCP.