Shëndet

Çfarë të gatuajmë për Pashkë?

Sigurisht që për festë gatuhen pjatat më të mira, por disa festa kanë gatimet e tyre speciale të cilat janë kthyer në traditë në familjet shqiptare. Për shembull për Pashkë, besimtarët orthodoksë duhet të kenë patjetër në tryezë supën magjirica. E dini si bëhet?

              

Ja për shembull Zonja Kaliopi Dilo, mikeshë e portalit tonë ka gatuar sot plot gjëra të mira për të shtunën e madhe. Në fakt ajo ka nisur që me karkanaqet në formë lepurushi Pashke, byreku, sallatra të shumëllojshme e pa harruar supën e famshme magjirica, të cilën Kaliopi e qan fare.

Ja receta e Kaliopit për supën magjirica

Supa përgatitet me të përbrendshmet e barkut të qingjit. Vetëm mushkëritë e bardha e të kuqe, i presim me gërshërë në copa të vogla, i vendosim të ziejnë për pak minuta, më pas ua derdhim ujin, pastaj i skuqim me gjalpë.  Ndërkohë kemi përgatitur edhe 2 tufa qepë të njoma, pra nja 10 copë qepë të njoma si edhe 1 tufë kopër (magjirica do vetëm kopër se ajo i jep gjithë lezetin) asnjë lloj erze tjetër vetëm kopër, kripë, piper dhe gjalpë.

Pasi kemi trullosur të përbrendshmet e qengjit me gjalpin në tenxhere hedhim në të edhe qepën e grirë dhe koprën, 2-3 lugë oriz, i përziejmë për 5 -6 minuta pastaj hedhim ujë pothuajse 3 gisht mbi gjellë dhe e lemë të ziejë. Kur sigurohemi që mushkëritë e bardha kanë zier, (se të zezat ziejnë shumë shpejt) hedhim brenda në tenxhere gjysmë tufe sallatë jeshile (të cilën e kemi larë e grirë po në të njëjtën mënyrë që grimë qepët).

E lemë të ziejë për 5-6 minuta edhe me sallatën pastaj i hedhim 1 limon e gjysmë me 1 kokërr vezë. Pra rrahim vezën shtojmë limonin e shtrydhur dhe që të mos na pritet veza shtojmë pak nga pak nga lëngu i gjellës duke e rrahur dhe e hedhim në tenxhere.

Kjo pra është magjirica e Kaliopit. Provojeni dhe ju!  Që kur të ktheheni nga kisha pasi të keni marrë dritën e shenjtë me vete,

të mblidheni rreth tryezës për të ngrënë magjiricën e për të çukritur vezët. Dhe të dielën e Pashkës, tradita kërkon qingj të pjekur në hell. 

 

©FlasShqip.ca