Shëndet

Kujdes me kortizonin në kushtet e COVID19 - Dr. Shefqet Deliallisi

Dilema…

Ka një parim parim të vjetër në mjekësi: "së pari mos dëmto"... por dhe një tjetër: "para se të marrësh një vendim të diskutueshëm bëj bilancin përfitim-rrezik dhe vepro kur përfitimi tejkalon rrezikun..."

Dhe vetëm në fund të veprohet sipas parimit: "nuk ke çfarë humb"...

Pak fjalë për steroidet…

Steroidet (kortizonikët) janë të njohura si antiinflamatorë të fuqishëm, dobësues të imunitetit (imunodepresorë).

Për dekada përdoren për trajtimin e sëmundjeve inflamatore kronike, astma, artriti, çrregullimet autoimune, transplanti i organeve.

Nga ana tjetër steroidet janë edhe më të njohur për dëmet që shkaktojnë. Kur përdoret gjatë, me doza të larta, mund të shkaktojë insulinorezistencë dhe diabet. Shtojnë riskun për rritje të infeksioneve bakteriale apo mikotike, dobësim të muskujve dhe hemoragji gastrointestinale...etj.

Steroidet & Covidi

Mbështetur në studime që tregonin se trajtimi me steroide i pacientëve me Covid në gjendje kritike, mund të ulë rrezikun e vdekjes me një të tretën, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandoi përdorimin e tyre si trajtim i vijës së parë për Covid në format më të rënda. Që nga ajo kohë Dexamatazoni përdoret, madje edhe rutinë ambulatorisht tek pacientë me Covid.

Pak histori

Steroidet janë përdorur për infeksione virale të frymëmarrjes të ngjashme me Covid-19 edhe më parë. Në SARS, MERS, pneumoni virale të rënda, duke treguar rezultate të përziera.

Paradoks?

Në sëmundjet infektive ka dy komponentë: infeksioni dhe përgjigja imune e organizmit ndaj infeksionit.

Steroidet njihen si anti-inflamatorë të fuqishëm dhe barna që dobësojnë përgjigjen imune të organizmit.

Lind pyetja, pse duhet të çarmatosemi nga e vetmja armë që ne kemi kundër Coronavirusit, imuniteti i organizmit?

Steroidet e dobësojnë imunitetin, ngadalsojnë aftësinë e organizmit për tu pastruar nga virusi!?

3D...

Dobia e steroideve në infeksionet e rënda virale të frymëmarrjes varet nga përzgjedhja e pacientit të duhur, kohës së duhur dhe dozës së duhur.

Pacienti i duhur…

Cili është?

Covid-19 paraqitet në forma asimptomatike, forma me simptoma të lehta, mesatare, forma më pak të rënda, forma të rënda dhe stuhi inflamatore...

E rëndësishme, është të dihet se nga trajtimi me steroide nuk përfitojnë pacientë me Covid -19 asimptomatikë, as me formë relativisht të lehë pa probleme pulmonare që trajtohen në banesë. Për më tepër në këto forma kërkohet një përgjigje imune më e fortë e organizmit për të parandaluar përkeqësimin e infeksionit. Dhe steroidet si anti-inflamatorë të fuqishëm dhe dobesues të imunitetit jo vetëm që s'janë të dobishëm në këtë rast, por përkundrazi janë të dëmshëm.

Steroidet aq më pak nuk duhet të përdoren për të parandaluar forma të rënda, pasi një masë parandaluese e mundshme mund të jetë rrezik potencial i konsiderueshëm për njerëzit që ndryshe janë të shëndetshëm.

Sipas studimeve nga steroidet përfitojnë pacientët me Covid në kushte spitalore (presupozon gjendjet serioze).

Një raport paraprak në lidhje me përdorimin e Deksametazonit te pacientët e shtruar në spital me Covid-19 tregoi se ai uli mundësinë e vdekjes për ata që kishin nevojë për oksigjen shtesë ose ventilim mekanik, por jo te ata që nuk kishin nevojë për mbështetje të frymëmarrjes.

Stuhi inflamatore

Në format e rënda reagimi i sistemit imunitar është i egzagjeruar, një "stuhi inflamatore" që dëmton çfarë gjen përpara edhe vetë organet organizmit. Pacienti mund të shfaqë pamjaftueshmëri në frymëmarrje dhe të përfundojë në një ventilator, pamjaftueshmëri të qarkullimit të gjakut dhe të përfundojë në gjendje shoku, apo dhe pamjaftueshmëri të veshkave. Pikërisht te këta pacientët me Covid-19 përdorimi i steroideve ka kuptim. Dobëson përgjigjen imune të egzagjeruar dhe parandalon përparimin e dëmeve deri në fatalitet.

Doza e duhur…

Një pjesë e sfidës në trajtimin e pacientëve me steroide është përcaktimi i dozës dhe kohës së mjekimit.

Dozat e larta mund të jenë më shumë të dëmshme sesa të dobishme. Mund të vonojnë aftësinë e organizmit për tu pastruar nga virusi.

Studimet e reja tregojnë se njerëzit me Covid-19 në formë më të rëndë, veçanërisht ata me ndërlikime të frymëmarrjes, përfitojnë nga mjekimi me doza të ulëta të steroideve. OBSH rekomandon doza të ulta për 7-10 ditë.

Koha e duhur…

Koha e duhur zakonisht është pas javës së parë të sëmundjes.

Marrja e steroideve (Dexametazoni) shumë herët mund të pengojë sistemin imunitar dhe ta përkeqësojë sëmundjen. Bazuar në studimet e deritanishme, pacientët e shtruar në spital me pneumoni Covid-19 që kërkojnë oksigjen duhet të fillojnë me një dozë të ulët të steroideve.

Kjo sigurisht kur ata janë në njësinë e kujdesit intensiv dhe kërkojnë mbështetje më intensive të organeve, të tilla si të qenit në një ventilator, marrja e ventilimit jo invaziv ose marrja e oksigjenit me presion të lartë. Deksametazoni duhet të jepet për 10 ditë ose deri në daljen nga spitali.

Duke e mbyllur…

Në praktikë jo gjithmonë është e lehtë të merren vendime të vështira...

Ka një thënie në mjeksi. Sa më pak di, aq më guximtar je në marrjen e vendimeve të rëndësishme.

©Shefqet Deliallisi