Shëndet

COVID-19 dhe Gripi stinor, epidemi binjake ose Twindemi - Nga Dr. Shefqet Deliallisi

Mbivendosja e paralajmëruar e pandemisë COVID-19 me gripin stinor është në prag... Europa ka hyrë tashmë në sezonin e gripit...

Sfida e sistemit shëndetësor, por jo vetëm, për menaxhimin e mbivendosjes COVID-19 me gripin stinor parashikohet e vështirë. Barra e rëndë e gripit stinor në kulmin e ashpërsimit të pandemisë COVID-19, mund të shkaktojë pasoja katastrofike...

Dilemë diagnostike

Grip apo COVID-19? Me këtë pyetje do ndeshemi shpesh...

Ndërsa para daljes së COVID-19, nga një kollë apo dhimbje fyti, nuk do shqetësoheshim. Aq më pak në një stinë gripi. Nëse kjo na ndodh sot, gjëja e parë që na vjen në mend: "mos jam me Covid"!

Epidemi binjake…

Një emërtim i ri është shfaqur për diagnozën e dyfishtë Covid & grip stinor: twindemi (epidemi binjake). Kjo se gripi stinor, ashtu si dhe COVID-19 në fillimin e tyre ndajnë simptoma të njejta: temperaturë, kollë, dhimbje fyti, dhimbje trupi, dhimbje koke, lodhje... Po ashtu prekin sistemin e frymëmarrjes. Si dhe gripi, COVID-19 shkaktohet nga viruse. Por gripi s'është Covid. Ndonëse janë binjakë, janë josiamezë. Kanë dallime të rëndësishme mes tyre. Mjafton të theksohet se Covidi vlerësohet 10 herë më vdekjeprurës se gripi.

Prandaj, duhet ndarë. Vetëm simptomat e njejta në fazën fillestare të sëmundjes mund të mos mjaftojnë për t'i dalluar...

Një dallim i shpejtë që mund të flasë për COVID-19, është humbja e shijes dhe nuhatjes, që nuk takohet te viruset e tjerë.

Por...

I sigurt testimi

Gjëja më e sigurt për diferencim është një test për Covid. Dhe, deri në marrjen rezultatit personi duhet të qëndrojë i izoluar në shtëpi.

Nuk duhet të harrojmë se ka edhe teste për diagnostikimin e gripit, madje disa prej të tyre mundet ta japin shpejt rezultatin.

Vaksina e Gripit

Një mënyrë për të shmangur dilemën diagnostike, grip apo Covid, është edhe vaksinimi për grip të cilin ekspertët e rekomandojnë si një masë mbrojtje.

Vaksinimi zvogëlon jo vetëm riskun për t’u prekur nga gripi, por dhe mundësinë për raste të rënda të COVID-19.

Një befasi…

Dy viruset, si i gripit edhe i COVID-19, transmetohen pak a shumë në mënyrë të ngjashme.

Kjo është e rëndësishme për masat e shëndetit publik që mund të zbatohen, të cilat mund të jenë të efektshme për të dy viruset...

Rastësi apo…!?

Kur COVID-19 u përhap në mbarë botën si pandemi, hemisfera Jugore ishte në stinën e dimrit. Vendet e ndodhura në këtë hemisferë sapo kish hyrë në sezonin e gripit. Përvoja ishte befasuese. Gripit i përvitshëm stinor pothuajse mungoi në vendet e hemisferës Jugore.

Në Australi, edhe pse vemendja ishte përqëndruar në testimin për COVID-19, u bënë më shumë testime për gripin se në vitin 2020. Rezultati: u zbuluan më pak raste pozitive me grip se një vit më pare.

Çfarë ndodhi? Na kurseu Natyra nga dy të këqija njëherësh? Apo thjeshtë një rastësi? Me rastësi është zbuluar dhe penicilina…

Të dhënat vëzhguese ende nuk munden të përcaktojnë shkakun. Por paraprakisht mbështesin hipotezën se ndërhyrjet e shëndetit publik (maskat, mbyllja e shkollave, mbyllja e pergjithshme, distancimi fizik, kufizimet e udhëtimit, kufizimi i grumbullimeve masive, të gjitha sëbashku, të përdorura për kontrollin e përhapjes së COVID-19, mund të kenë parandaluar epideminë dimërore të gripit, duke ulur në mënyrë dramatike barrën e gripit.

Anthony Fauci, ekspert i shquar i Shëndetit Publik do të shprehej: "Hemisfera Jugore (e cila e kaloi stinën e virozave) ka pasur një stinë shumë të lehtë gripi, ndoshta edhe prej masave të Shëndetit Publik për frenimin e përhapjes së koronavirusit, kanë kufizuar perhepjen e COVID-19 kanë frenuar edhe përhapjen e gripit".

Nëse kjo është e vërtetë, dogma që masat mbrojtëse të Shëndetit Publik, specifike për COVID-19, kanë një efikasitet të kufizuar për kontrollin e gripit sezonal, do binte.

Le të shpresojmë

Masat kufizuese të Shëndetit Publik të rivendosura në Evropë për të kontrolluar shtimin e numrit të rasteve me COVID-19 në këtë valë të dytë të pandemisë, mbeshtetur në  të dhënat që vijnë nga hemisfera Jugore, mund të parandalojnë edhe gripin sezonal në Europë.

Duke e mbyllur…

Gripi & Covidi po konsiderohen si një epidemi binjake (Twindemi).

Është e vërtetë që Gripi & Covidi ngjajnë shumë me njeri-tjetrin, e vërtetë është dhe që mund të rëndojnë së tepërmi njeri-tjetrin, por mesa duket edhe masat për t'u mbrojtur nga njeri, mbrojnë dhe nga tjetri. Dhe kjo është e rëndësishme.

Masat e Shëndetit Publik për frenimin e përhapjes së Koronavirusit do të ndihmojnë edhe në parandalimin e përhapjes së infeksioneve të tjera të transmetueshme, veçanërisht gripin stinor, i cili ka një sëmundshmëri të lartë, vdekshmëri jo të pakët, dhe kosto të konsiderueshme për kujdesin shëndetësor.

Kjo e dhënë vlen të vlerësohet për të ardhmen.

©Shefqet Deliallisi