Vaksina e COVID-19 në start… - Nga Dr. Shefqet Deliallisi
Një maratonë e vrapuar me ritëm sprinti është vlerësuar përpjekja e shkencës për zhvillimin e vaksinës COVID-19... Mbi 140 kandidatë u vendosën në start, të parët tashmë e kaluan finishin. Një garë tjetër, ajo e vaksinimit, sapo ka filluar. Sigurisht e pamundur të vrapohet me ritëm sprinti...
Pak histori…
Historikisht vaksinave u janë dashur dekada për t'u zhvilluar. Është hera e dytë që provohet një vaksinë e prodhuar me kaq shpejtësi. Hera e parë, që ka ndodhur në vitin 1976, përshkruhet nga Max J. Skidmore, në librin "Presidentët, Pandemitë dhe Politika" (2016). Një lloj misterioz gripi i derrit u shfaq në New Jersey (SHBA) në vitin 1976. Një ushtrarak humbi jetën. Shumë të tjerë u sëmurën rëndë. Shkaktari, virusi H1N1, ngjasonte me virusin gripit të tmerrshëm të vitit 1918-1919, të ashtuquajturin Gripi spanjoll. Fantazma e tragjedisë u kthye. Opinioni u trondit. Presidenti Ford edhe më shumë, aspironte rizgjidhjen pas disa muajsh. Pasi u këshillua me shkencëtarët e famshëm krijuesit e vaksinës së poliomielitit Jonas Salk dhe Albert Sabin, Ford shpalli një plan tepër të guximshëm. Prodhimin dhe shpërndarjen në kohë rekord të një vaksine. Një gjë e tillë s'ish provuar kurrë më parë. Kompanitë e sigurimeve, të shqetësuara për sigurinë e vaksinës s'pranuan ta financojnë; prodhuesit refuzuan prodhimin; Kongresi Amerikan miratoi një ligj që hiqte përgjegjësinë e tij për vaksinën...
Presidenti këmëbnguli në planin e tij. Dy milion doza u prodhuan. Vaksinimi filloi. Ndër të parët presidenti, madje u vaksinua publikisht nga mjeku i Shtëpisë së Bardhë. Por, shpejt probleme u shfaqën. Vaksina nuk rezultoi efektive tek fëmijët; vdekje sporadike, ndoshta të lidhura me vaksinën ndodhën; disa raste me sindromën Guillain-Barre, (sëmundje e rrallë, tepër e rëndë, ku sistemi imunitar sulmon nervat dhe paralizon organizmin) u zbuluan. Paniku u përhap. Kaosi pasoi. Vaksinimi u ndërpre. Për më tepër, kur edhe epidemia që pritej s'po dukej. Madje s'ndodhi kurrë.
Dhe vaksina erdhi…
Kur do kemi vaksinën? Kjo ishte pyetja e bërë pafundësisht në kohën e pandemisë COVID-19. Dhe vaksina erdhi! Njëra pas tjetrës kompanitë farmaceutike, "PfizerBioNTech", "Moderna", "Sputnik V", dhanë lajmin e shumpritur... Profesori i Universitetit të Oksfordit, John Bell, në një intervistë për BBC (9 Nëntor 2020), parashikoi, por "me njëfarë sigurie" se në pranverë gjërat mund të kthehen në normalitet. Optimizëm kish shprehur më parë edhe Bill Gate në fillim të pandemisë COVID-19, në një intervistë për Bloomberg: "Përmes inovacionit në diagnostikim, terapisë dhe vaksinimit, bota do të ketë dalë përfundimisht nga gjendja e pandemisë deri në fund të vitit 2021..."
Optimizëm i kujdesshëm…
Sigurisht lajmi i ardhjes së vaksinës është inkurajues. Ndalja e sëmundjes, vdekjeve, kufizimeve, rënimit ekonomik, e legjitimon. Por optimizmi duhet të jetë i kujdeshëm. Rezultatet e provave të vaksinave janë dhënë vetëm përmes njoftimeve për shtyp, duke lënë shumë paqartësi shkencore shkruan në editorialin kushtuar ngjarjes Lancet (21 Nëntor 2020).
Shumë pyetje kërkojnë kohë për përgjigje. Njohja e koronavirusit të ri është ende jo e plotë. Teknologjia e përdorur për vaksinën e paprovuar më parë. Shpejtësia e futjes së saj në përdorim, e jashtzakonshme. Rreziqet të mundshme. Vetëm 20,000 njerëz kanë provuar vaksinën. Kur të bëhen miliona, ndoshta miliarda, shumë të panjohura mund të bëhen të njohura.
Si do ndikojnë vaksinat në rrjedhën e pandemisë? Do parandalojnë transmetimin? Vetëm do na mbrojnë nga sëmundja? Nëse vetëm do na mbrojë sëmundja, imunizimi, pra fundi i pandemisë do jetë larg. A parandalon vaksina infeksionet asimptomatike? Pra mbron vetëm personin apo edhe njerëzit përreth? Sa efikase do jenë vaksina për parandalimin e formave të rënda të sëmundjes? Si do funksionojë te të moshuarit? Po në grupet që s'janë përfaqësuar në provën e vaksinës? Sa do jetë kohëzgjatja mbrojtëse që vaksina siguron? A ka efekte anësore afatgjata të vaksina?
Fundi s’duket afër…
Të dhënat nga testimi i antitrupave sugjerojnë që rreth 90% e njerëzve janë ende të ndjeshëm ndaj Covid-19. Duke pranuar, që për arritjen e imunitetit të tufës duhet 60 deri në 70% e popullsisë të jetë imune, në planetin tonë me 7.8 miliardë banorë, duhet që 5.6 miliard njerëz të jenë imunë, që pandemisë t'i jepet fund! Por kjo s'është e lehtë ose më saktë e shpejtë. Ata që presin të vaksinohen janë miliarda. Prej tyre shumë miliona janë me rrezik të lartë, që presin të imunizohen shpejt. Sikur kjo të mos mjaftonte, një pjesë e vogël e studimeve te të mbijetuarit e COVID-19 sugjerojnë që antitrupat fillojnë të zhduken brenda disa muajve. Pra mbrojtja nga vaksinat mund të zbehet shpejt?! Kjo bën që ekspertë skeptikë të pyesin: do t'i japin vërtetë fund pandemisë vaksinat? Dhe, për sa kohë mbrojtja e prodhuar do jetë e kufizuar, njerëzit duhet të vazhdojnë me maska, distancim social dhe kufizime të tjera të shëndetit publik edhe pas vaksinimit.
Në pritje të altruizmit…
Një pjesë e vogël e vendeve me të ardhura të larta e kanë siguruar mundësinë për të blerë qindra milionë doza vaksinë. Vendet e varfëra dhe ato me të ardhura të mesme shpresojnë te altruizmi. COVAX, një mekanizëm financiar i drejtuar nga një organizatë ndërkombëtare e krijuar në vitin 2000 për përmirësimin e aksesit në vaksinat e reja për fëmijët në vendet më të varfra, ka marrë përsipër sigurimin e vaksinave për këto vende. Ka mbledhur 2 miliardë dollarë, por nevojat për 2021 janë 5 miliardë më shumë.
Do ketë barabarazi në marrjen e vaksinës? Barazi në kohën e marrjes, barazi në cilësinë e vaksinës? Ajo që dihet, “Pfizer” dhe “Moderna” nuk kanë arritur marrveshje me COVAX për ta furnizuar me vaksina... Sfidat logjistike për shpërndarjen, zinxhirin ftohës, janë problem më vete për vendet e varfëra.
Gara e vaksinimit kundër COVID-19 është bërë gara më vendimtare e kohës. Përcaktuese s'duhet jetë kush do përfundojë garën i pari, por si të shpërndahet vaksina në mënyrë të barabartë për të gjithë vendet. Të pasur dhe të varfër. Barazia për t'u vaksinuar duhet të jetë përparësi kryesore.
Një tjetër problem…
Ndonëse njerëzimi ka përmbi dy shekuj që përfiton nga vaksinat, hezitimi për t'u vaksinuar vazhdon. Në vitin 2019, OBSH e ka vlerësuar hezitimin për t'u vaksinuar, një nga dhjetë kërcënimet më të mëdha për shëndetin global!
Nga koha e krijimit të vaksinës së parë për sëmundjen e Lisë nga Edward Jenner, në vitin 1790, shqetësimet për efikasitetin dhe sigurinë e vaksinave, frika e publikut ndaj agjentëve të inokuluar, financimi, janë shfaqur e rishfaqur. Ndonëse është pranuar që vaksina është thelbësore për të arritur më shpejt imunitetin, fundin e epidemisë, gatishmëria për vaksinim të përgjithshëm, s'është aspak e përgjithshme. E tregojnë sondazhet. Në Amerikë, vetëm gjysma e të anketuarve pranojnë se do vaksinohen, shumë të tjerë të pavendosur. Në Zvicër një në pesë e refuzojnë vaksinën, në Francë 18%, në Mbretërinë e Bashkuar një në gjashtë. Kjo përbën një kërcënim për kontrollin e COVID-19. Dhe në një botë ku antiglobalizmi, nacionalizmi dhe populizimi janë në lulëzim, gjithçka bëhet më e vështirë.
Themeli i pranimit të vaksinave është besimi ndaj tyre. Dhe themeli i besimit është transparenca. Mungesa e saj, mosinformimi, dizinformimi, ushqejnë lajmet e rreme që përhapen më shpejt dhe më lehtë sa vetë virusi... Shpresa që vaksina do të pranohet gjerësisht nuk është strategji. Duhet të shpjegohen ato që dimë dhe ato që s'dimë për vaksinat dhe ato që dimë keq, përfitimet dhe rreziqet, vlerat për individin dhe komunitetin.
Duke e mbyllur…
Dikush mund të thotë: nuk jam i moshuar, jam i shëndetshëm, pse të mos shfrytëzoj natyralisht sistemit tim imunitar? Pse të ngutem për të bërë vaksinën?
Në të vërtetë si kalimi i sëmundjes ashtu vaksina sigurojnë imunitet, por sëbashku e sjellin më shpejt fundin e pandemisë.
Është e vërtetë që pjesa më e madhe e njerëzve nuk shtrohen në spital, fare pak intubohen, akoma më pak vdesin. Por e vërtetë është dhe se ne ende s'dimë pse disa njerëz sëmuren rëndë, pse disa vdesin, pse të tjerë s'kanë asnjë simptomë.
"Kam kaluar COVID, kam antitrupa, do të marr edhe vaksinën. Ju lutem të gjithëve që të bëni të njëjtën gjë"- shkruan Jag Singh mjek, shkencëtar dhe profesor në Harvard.
Epidemia COVID-19 vazhdon me egërsi. Vaksinat janë urgjentisht të nevojshme!
©Shefqet Deliallisi