Shëndet

Në qytetet e ndotura fëmijët shfaqin shenja të Alzheimer

Sëmundja e Alzheimer-it mund të shfaqet shumë herët në jetën e njerëzve që jetojnë në zona të ndotura. Ky është konkluzion i nxjerrë nga një studim i Universitetit të Montanës, i publikuar në Journal of Environmental Research.

Studiuesit janë të bindur se efektet e dëmshme fillojnë me grimcat e vogla të ndotjes, të cilat shkojnë në tru përmes hundës, mushkërive dhe aparatit të tretjes; këto grimca vazhdojnë më pas të thyejnë çdo barrierë në organizëm duke udhëtuar përmes sistemit të qarkullimit të gjakut.

Kërkuesit shkencorë studiuan autopsitë e 203 banorëve të qytetit të Meksikos, që ishin të moshave 11 muajshe dhe 40 vjeç. Meksiko ka një popullsi prej 24 milionë banorësh, të cilët janë të ekspozuar çdo ditë ndaj grimcave të imta e të përqëndruara si dhe ozonit mbi standardet e Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit të SHBA.

Studiuesit u përqëndruan në dy proteina anormale (hyperphosphorylated tau and beta amyloid) që tregonin zhvillimin e Alzheimer.  Ata dalluan fazat e hershme të sëmundjes te bebet nën 1 vjeç.

"Shenjat e sëmundjes Alzheimer fillojnë në fëmijëri në mjedise të ndotura, dhe ne duhet të zbatojmë që herët masa parandaluese efektive," shprehet Dr. Lilian Calderón-Garcidueñas, mjek toksikolog në Departamentin e Shkencave Biomedicale dhe Farmaceutike të Universitetit të Montanës. "Është e padobishme të ndërmerren veprime reaktive disa dekada më vonë".

Nga gjetjet përmes autopsive, u pa se nivelet e hyperphosphorylated tau and beta amyloid në trurin e atyre që kishin jetuar në qytet ishin më të larta. Këto grimca ndotjeje (PM2.5.) janë 30 herë më të vogla se diametri i fijes së flokut të njeriut dhe rregullisht shkaktojnë mjegulla tymi nëpër qytete.

Studiuesit zbuluan praninë e Apolipoprotein E (APOE 4), një faktor risku gjenetik shumë i njohur për Alzheimer.  

Shenjat e sëmundjes u dalluan në 99.5% të subjekteve të studiuara. Gjetjet e studimit sugjerojnë që Alzheimer fillon në fëmijëri dhe që progresimi i sëmundjes lidhet me moshën, gjendjen e APOE 4 dhe ekspozimin ndaj ndotjes.

Për më tepër, bartësit e APOE 4 janë më të rrezikuar ndaj përshpejtimit të Alzheimer.

Sipas studiuesve, ndotja e ajrit është një faktor rreziku i modifikueshëm për miliona njerëz në botë. “Prandaj masat neurombrojtëse duhet të fillojnë shumë herët, që në periudhën prenatale dhe në fëmijëri- thotë Calderón-Garcidueñas. “përgatitja e mjedisit pediatrik, ndërveprimi i faktorëve gjenetikë, nutricionalë, dhe matabolizmi janë çelsi për parandalimin e Alzheimer-it.”

Burimi: Universiteti i Montanës