COVID-19: Paradoksi i Izraelit - Nga Dr. Shefqet Deliallisi
Kampioni botëror i vaksinimit, Izraeli, tashmë është kthyer ndër kampionët për nivelin e lartë të infektimit. Në pranverë me vaksinimin masiv Izraeli mposhti pandeminë. Shënoi një rënie të shpejtë të infeksioneve, hoqi pothothuajse të gjitha kufizimet. U mendua se fundi ishte afër, por katër javë më pas, qeveria u detyrua t'i rivendosë kufizimet ndërsa varianti Delta u përhap në gjithë vendin. Dimri i “egër” i vitit të shkuar po rikthehet. Një valë e katërt infeksioni e ka përfshirë Izraelin, vendin ku mbi 80% e popullsisë është plotësisht e vaksinuar. Euforia mori fund. Gjysma e rasteve të reja janë persona plotësisht të vaksinuar.
“Në Izrael ne po shohim një shpërthim të konsiderueshëm, njerëz që vdesin, edhe pse janë plotësisht të vaksinuar. Shpresoj që qeveria të ndryshojë kursin nga vetëm kontrolli i epidemise, në eliminim e saj, duke mbrojtur fëmijët derisa të vaksinohen të gjithë, me shpresë në tremujorin e parë të vitit 2022. Një lockdown për disa javë është i mundur nëse nuk veprohet me më shumë agresivitet” - deklaron këshilltari i qeverisë izraelite për pandeminë.
Përhapja e gjerë e variantit Delta ka ndryshuar epidemiologjinë. Ajo çfarë në fillim u tha, që njerëzit e vaksinuar infektohen rrallë, akoma më rrallë sëmuren dhe me pak masa mund të jemi pranë imunitetit të tufës nuk po ndodh. Duket të vërtetat për virusin origjinal, nuk janë të vërteta për variantin e ri pas mutacionit.
Variantit Delta po zhvlerëson strategjinë e vaksinimit që synon imunitetin e tufës. Varianti Delta infekton në të njëjtin nivel si personat e vaksinuar dhe ata të pavaksinuar, duke rritur pragun e imunitetit të tufës nga 65% në 85%.
Nuk ka vend për eufori! Lufta do jetë e gjatë.
©Shefqet Deliallisi