Shëndet

A dështoi vaksinimi në Izrael? - Nga Dr. Erion Dasho

Brenda pak javëve, Izraeli u kthye nga vendi model, me zero vdekje nga COVID dhe me një jetë plotësisht normale, në një prej vendeve me numrin më të lartë të rasteve për banorë në botë. Kjo megjithëse mbi 78% e popullsisë me moshë mbi 12 vjeç ishte vaksinuar plotësisht me dy doza Pfizer ose Moderna.

Pse ndodhi kjo? A tregon vala e tretë e Izraelit se vaksinimi nuk funksionon? Le t'i marrim me radhë.

Arsyet e shpërthimit të valës së tretë në Izrael, ishin si vijon:

-Izraeli nuk kontrolloi dot sjelljen e variantit Delta nga turistët izraelitë që vizituan vendet e tjera gjatë pushimeve verore.

-Varianti Delta u tregua më i aftë se sa besohej për të depërtuar mbulesën imunitare dhe për të shkaktuar infeksione depërtuese. Shpejtësia e përhapjes, po ashtu luajti rol të rëndësishëm.

-Shkalla e vaksinimit 78% nuk ishte e mjaftueshme. Ishin mbi 1 milion fëmijë dhe të rinj të pavaksinuar që, me sa duket, shërbyen si mjet për transmetimin e variantit Delta.

-Me sa duket imuniteti që ofron vaksina dobësohet pas muajit të gjashtë.

-Vaksina nuk mjafton. Përballja me variante të reja, të panjohura të SARS-CoV-2 duhet të shoqërohet me masa të tjera parandaluese, përpjestimore me shkallën e rrezikut.

A dështoi vaksina?

Jo! Megjithë rritjen e rasteve, edhe vaksina e aplikuar në Dhjetor dhe Janar u tregua mbi gjashtë herë më efikase për të parandaluar komplikacionet dhe vdekjet tek personat me moshë mbi 60 vjeç.

Ky është një lajm shumë i mirë që flet për domosdoshmërinë e vaksinimit të personave në risk. Sigurisht, me një vaksinë cilësore.

Si reagoi Izraeli dhe si paraqitet gjendja sot?

Masa kryesore ishte ofrimi i dozës rikujtuese për të gjithë personat mbi 60 vjeç (kufi që më vonë u ul në 50 vjeç). Afërsisht 2 milionë doza të treta u aplikuan në më pak se një muaj. Rezultati është ulja e numrit të rasteve të reja, rënia e koeficientit "R" nën 1 dhe rënia e numrit të rasteve të komplikuara pa arritur as 60% të atij që vlerësohet si pragu kritik.

Përfundim

Shembulli izraelit i javëve të fundit e vendosi sërish shkencën në provë dhe rihapi dilemën mbi efektivitetin e vaksinimit.

Fatmirësisht, edhe njëherë u provua se parimet e shkencës mjekësore, kur aplikohen në kohën, vendin dhe mënyrën e duhur, funksionojnë.

Sa më shumë vende dhe njerëz ta kuptojnë këtë mesazh, aq më mirë do të jetë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve të tyre!

©Erion Dasho