Shëndet

Të drejtat e njeriut dhe e drejta për jetën: Vaksinim po, detyrim jo! - Nga Dr. Erion Dasho

Të drejtat e njeriut u bënë që prej fillimit një prej lajtmotiveve të pandemisë së COVID-it.

-A ishte i drejtë vendimi për t'u karantinuar?

-A është i drejtë vendimi për të izoluar të prekurit nga COVID-i?

-A është i drejtë detyrimi për të mbajtur maskë?

-A është i drejtë detyrimi për t'u testuar?

-A duhen vaksinuar me detyrim qytetarët?

-Nëse jo të gjithë, a mund të vaksinohen me detyrim punonjës të profesioneve të caktuara?

Diskutimi rreth këtyre temave shpesh përfundon si paradoksi i berberit të fshatit. E drejta lidhet jo rrallë me këndvështrimin nën të cilin trajtohet problemi.

Si ekspert i shëndetit publik, unë isha dakord me karantinën gjatë muajit Mars 2020 dhe, po nën të njëjtin këndvështrim, isha kundër vazhdimit të saj duke nisur nga muaji Prill i të njëjtit vit.

Një përfaqësues i qeverisë e konsideronte karantinën të dobishme sa më gjatë që të mundej, ndërkohë që një aktivist i të drejtave të njeriut e konsideronte atë të papranueshme edhe në javët e para të pandemisë.

Të njëjtat qëndrime i shohim sot të përplasen gjatë diskutimit rreth vaksinimit. Është krijuar një kategori personash që çdo rekomandim që jepet për t'u vaksinuar e shohin edhe si dakordësi me përpjekjet e qeverisë për vaksinimin e detyruar. Këtu debati ngatërrohet dhe shpesh futet në hulli të pamenaxhueshme.

Pozicioni im që prej daljes së vaksinës ka qënë i qartë, i prerë dhe i pandryshuar.

-Unë nuk e mbështes dhe jam kundër vaksinimit të detyrueshëm, sikundër jam kundër detyrimit për t’iu nënshtruar çdo procedure tjetër mjekësore. Kjo është e papajtueshme me formimin tim si ekspert i shëndetit publik dhe formimin tim si qytetar.

-Nga pozita e mjekut dhe ekspertit të shëndetit publik, une ia rekomandoj kryerjen e vaksinës çdo personi që ka dëshirë të vaksinohet. Sidomos në Shqipëri ku njerëzit janë lënë në mëshirë të fatit nga një qeveri dhe ministri e papërgjegjshme dhe ku po zhvillove forma të rënda të sëmundjes, rreziku për të humbur jetëm është shumë i lartë.

Këtë rekomandim e jap me ndërgjegje të plotë, sepse në radhë të parë e kam zbatuar vetë dhe ua kam rekomanduar të afërmve të mi, të cilët gjithashtu e kanë zbatuar.

Vaksinat që rekomandoj të përdoren në Shqipëri janë Pfizer BionTech dhe Astra Zeneca.

Vaksinim po! Detyrim jo!

Kjo është deviza dhe rekomandimi im!

©Erion Dasho