Shëndet

Shënoje datën 1 !

-“Ufff plasa,  jam shëndoshur. Do nis se s’bën palestrën”.

-“Bobo kam vënë bark, aman me zor lëviz. Lodhem edhe kur ngjis 4 shkallë. Do nis vrapin javën tjetër, ose më mirë po pres datën 1 ta filloj mbarë muajin”.

-“Iiiii m’është varur gusha palë-palë. Duhet të heq bukën urgjent”.  

Hahaha…Ju duken familjare këto monologje? Na ka ndodhur të gjithëve besoj, ose më saktë jo të gjithëve. Ka njerëz që hanë gjithë ditën dhe nuk vënë mish. Eh, çështje metabolizmi. Ose çështje maçoku në bark. Ku i dihet…

Por seriozisht…le të biem dakord. Nuk duhet ngrënë pa masë, ose me babëzi, ose pa kriter, ose joshëndetshëm.

Le ti vëmë gishtin kokës, nuk bëhet fjalë për paraqitjen, edhe ajo duhet sigurisht, por mendoni për shëndetin. Pse, kot i themi njëri-tjetrit ne si këshillë “Shëndeti mbi të gjitha o vëlla”! Apo arrijmë në këtë përfundim vetëm kur dëgjojmë histori të trishta dhe ndërgjegjësohemi për çfarë i fusim gojës. Ose kur kthehemi nga ndonjë vaki dhe rrugës kemi reflektuar për të gjitha, duhanpirjen, alkoolin, jetën parazitare…etj etj…

Ju e dini vetë se ç’është më e mira, por edhe pse lexoni diçka mbi dietat nuk bëni keq.

Ja për shembull, si thoni ta nisni javën me një rregjim siç këshillon Atkinsoni? Ka patur sukses në gjithë botën. Zgjat deri në 3 javë dhe mund të hiqni 5 kg në javë në varësi të peshës që keni.

Një shoqja ime e redaksisë ka rënë 15 kg për 4 muaj. Por kjo shoqja është shumë strikte. As kafen nuk e pinte me sheqer. Madje nuk tundohej as nga byreku fantastik i mamasë. Nejse hidhini një sy dietës më poshtë, reflektoni dhe në fund vendosni. Ia vlen apo jo?  Ej se harrova, po patët mundësi, për merak shkoni te dietologu dhe merrni dieta të personalizuara. Gjithsesi ta keni në xhep dietën e Atkinsonit nuk bën dëm. Suksese!

Mëngjesi

E Hënë – Kos frutash + Vezë të ziera
E Martë – Vezë+djathë i shkrirë të bëra sanduiç +Pjeshkë
E Mërkurë – Omlet me vezë + Mjaltë Vezë të ziera
E Enjte – Vezë me djathë + Biskota+ Lëng pjeshke
E Premte – Qumësht dhe luleshtrydhe
E Shtunë – Luleshtrydhe dhe vezë të fërguara
E Diel – Lëng frutash +Vezë të skuqura + Lëng limoni

DREKA

E Hënë – Gjel deti ose pulë + Djathë i shkrirë + frut
E Martë – Sallatë “Tuna”+ Rrush
E Mërkurë – Gjalp kikiriku + Banane + Kos frutash
E Enjte – Avokado + Sallatë me vezë
E Premte – Kek + Bizele
E Shtunë – Pica + Perime të ndryshme
E Diel – Biskota + Pjeshkë

DARKA

E Hënë – Krah pule + Rizoto /Mish i bardhë
E Martë – Makarona dhe sallatë
E Mërkurë – Patate furre + Biftek + Sallat fshati
E Enjte – Pulë e pjekur +  Fasule
E Premte – Rizoto + Bizele
E Shtunë – karrota + Turshi + Biftek i pjekur
E Diel – Pure patatesh