Shëndet

Përsëri për zemrën - Nga Ilir Allkja

Meqenëse në rutinën e përditshme ndesh shpesh pacientë që kanë një sërë çrregullimesh, të cilat i referojnë si “aritmi”, po përshkruaj disa elementë përkujdesje për këta pacientë.

Dieta, stërvitja dhe faktorë të tjerë të mënyrës së jetesës ndikojnë në rrezikun për sëmundje zemre. Faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet e zemrës, si dhe vetë predispozicioni, janë të gjithë të lidhur ngushtë me rrezikun e zhvillimit të fibrilacionit atrial.

A mundet një mënyrë jetese e shëndetshme nga zemra të parandalojë fibrilacionin atrial? A mund të zvogëlojë simptomat e tij?

Ekzistojnë prova paraprake që amvisimi i faktorëve të rrezikut për sëmundje zemre mund të përmirësojë afatgjatë kushtet për njerëzit me fibrilacion atrial. Në një nivel praktik, kjo mund të nënkuptojë më pak episode të fibrilacioneve dhe përmirësime të simptomave, me pak fjalë, një cilësi më të mirë jete për ata që vuajnë nga ky çrregullim.

Aftësia e ndryshimit të mënyrës së jetesës për të zvogëluar barrën e fibrilacionit atrial mbetet një zonë aktive e hulumtimive.

Përveç ilaçeve dhe trajtimeve të tjera standarde të fibrilacionit atrial duhet doemos që:

-Nëse pini duhan, hiqni dorë.

-Kontrolloni presionin e lartë të gjakut, në mënyrë që shifrat e TA sistolik të mos jenë mbi 130 mm Hg.

-Merrni trajtim të rregullt për apnean e gjumit nëse e keni atë.

-Mbani një peshë normale. Mbipesha i përkeqëson sëmundjet e zemrës, fibrilacionin po ashtu.

-Mos pini alkool ose konsumoni vetëm në sasi të moderuar.

-Mbani kolesterolin dhe trigliceridet tuaja brenda vlerave normale.

-Bëni stërvitje të rregullt, ecje në natyrë.

Sigurohuni që të pyesni mjekun ose farmacistin tuaj për çdo ilaç të ri që merrni, përfshirë ilaçet pa recetë që merrni vetë, si dhe suplementet bimore. Ndonjëherë këta mund të bashkëveprojnë në një mënyrë të dëmshme me warfarinë, xarelto etj., antikoagulantë oralë, ose ilaçe që kontrollojnë ritmin.

Edhe pse aftësia juaj për të parandaluar ose trajtuar fibrilacionin atrial me një mënyrë jetese të shëndetshme ka kufij, shumica e njerëzve janë në gjendje të kontrollojnë simptomat shqetësuese për një kohë të gjatë me ilaçe, procedura ose të dyja.

Disa njerëz mbajnë mjekime të sigurta ose efektive, por kaq nuk mjafton. Masat e tjera plotësuese janë të domososhme për të rritur efikasitetin e mjekimit që jep kardiologu.

Shpesh pacientët që kërkojnë shërbimin e urgjencës, për rastet kardiake, perfshirë fibrilacionin atrial, janë mbipeshë ose që nuk kontrollojnë yndyrnat në gjak si dhe nuk kanë aktivitet fizik.

Duhet që me “një sjellje të mire” karshi vetes, të minimizoni rrezikun për goditje në tru, ndërlikimin më të rrezikshëm të këtij çrregullimi të ritmit të zemrës, i cili rezulton fatal shpeshherë.

Jeta një herë vjen, duhet vlerësuar!

© Dr. Ilir Allkja