Çfarë duhet të dimë mbi frutat?
Përgjigjet Dr. Shefqet Deliallisi
Cili është roli i frutave?- Të gjitha frutat, nga agrumet tek pjeshkët e qershitë, nga shalqini tek frutat e pyllit, janë ushqim i pazëvendësueshëm. Ato janë të pasura me antioksidantë që kanë efekt mbrojtës mbi shëndetin, janë të pasura me vitamina, kripëra minerale, acide organike dhe esenca aromatike që luajnë rol të rëndësishëm në reaksionet biokimike të organizmit. Frutat përmbajnë dhe karbohidrate, në pjesën më të madhe glukozë, fruktozë dhe saharozë, si dhe fibra e ujë. Ndër mineralet i rëndësishëm është kaliumi.
Vitamina C ndodhet në sasi të lartë në disa fruta, agrume, luleshtrydhe, ananas, kivi. Vitamina A ndodhet në formën e karotenit në frutat me ngjyrë të verdhë në portokall, hurmë, bostan, kajsi. Frutat kanë dhe një veprim të rëndësishëm hidratues, freskues dhe diuretik. Ato veprojnë si tampon për substanca acide toksike të krijuara nga degradimi i mishit dhe ushqimeve yndyrore si dhe metabolizmi i qelizave dhe indeve tona. Pra frutat kontribuojnë në plotësimin e nevojave në karbohidrate, vitamina dhe minerale.
Ç’janë antioksidantët?- Antioksidantët janë nutrientë specialë që mbrojnë organizmin nga toksinat e dëmshme të quajtura oksidantë ose radikale të lira, të cilat dëmtojnë qelizat, shpejtojnë plakjen dhe shkaktojnë sëmundje.
Oksidantët janë bashkëprodukte të oksigjenit që çlirohen nga gjithçka që digjet, përfshirë cigaret, karburanti, dhe ushqimet e fërguara apo të zgarës. Madje dhe procesi i “djegies” së ushqimeve brenda qelizave të organizmit për të prodhuar energji, krijon çdo vit një sasi të madhe oksidantësh. Quhet antioksidant një komponim natyral ose sintetik që duke u oksiduar vetë me shumë lehtësi i ruan indet nga oksidimi duke i kthyer oksidantët në diçka të pa rrezikshme. Të tilla janë enzimat si suproksid dismutasa, katalasa dhe peroksidazat, vitamina E (farat, arrat, peshk), vitamina C (fruta zarzavate), vitamina A dhe betakaroteni (portokalli dhe ushqimet e kuqe), glutationi (qepë dhe hudhra) dhe anthocianidinat (manaferra, rrënjët e zarzavateve).
Antioksidantët janë të pranishëm natyralisht në ushqime, i shtohen ushqimeve të përgatitura, dhe mbahen në organizëm në një ekuiliber delikat nëpërmjet një mekanizmi homeostastik.
Cilat fruta përmbajnë më shumë sheqer?- Në varësi të sasisë së karbohidrateve që përmbajnë, frutat ndahen në fruta me pak sheqer (5–7%) si luleshtrydhe, mushmollë, shalqi, bostan, limon, fruta mesatarisht me sheqer (8–12%) si kajsi, pjeshkë, qershi, ananas, portokall, mandarinë, mollë, dardhë, greipfrut, kumbull dhe fruta që përmbajnë shumë sheqer (13–20%) si banane, hurma, fiku, rrushi.
Mund të përdorim frutat pa kufizim? -Kalimi i masës është i dëmshëm, sidomos kur doni të bini në peshë.