Parim i pathyeshëm - Nga Zejadin Dedinca
- Published in Bota Shqiptare
Misioni im “Dhuratë një kompjuter” më gjeti rrugës për në Bujanoc. Nuk është hera e parë që nisem në këtë rrugë, duke e ditur se sa më afër kufirit të afrohemi, aq më shumë kujtimet e kohëve kur ishim nën okupim fillojnë të dalin para nesh. Të njëjtat ndjenja, të njëjtat pamje. Po ato rroba policie, që ende qëndrojnë para syve tanë si një shenjë e kohëve të kaluara, na përcjellin gjithmonë. Ndërkohë, ata nuk kanë ndryshuar asnjëherë sjelljet e tyre janë të njëjtit që ishin dikur. Ata ende krenohen me gjuhën dhe identitetin e tyre, dhe ndoshta as që ndiejnë nevojën të flasin shqip ose anglisht. E megjithatë, ndoshta janë mësuar që ne t'iu flasim në gjuhët e tyre. Po ndodh që ata fillojnë të flasin mes tyre me një ton të ashpër dhe arrogant, duke u shprehur për arsye të paqarta pse nuk iu flas dhe pse nuk ua kuptoj gjuhën. Ata duket se harrojnë se çdo individ ka të drejtën e tij të shprehjes dhe të zgjedhjes së gjuhës që komunikon.
Unë kam parimet e mia. Flas në gjuhët ndërkombëtare, që na bashkojnë të gjithëve, dhe në gjuhën time amtare, që është një shenjë e identitetit tim dhe e lidhjes me historinë dhe kulturën time. Nuk mund të më kërkojnë të heq dorë nga kjo. Komunikimi duhet të jetë një urë, jo një barrierë. Unë respektoj gjuhët e të tjerëve, por gjithashtu kërkoj të më respektohet gjuha ime. Çdo herë që përpiqem të komunikoj, më dalin pengesa që më bëjnë të mendoj se ata nuk e kuptojnë se në botë ka më shumë se një gjuhë dhe më shumë se një histori. Pas provokimeve të vazhdueshme dhe arrogancës që shfaqin, më thonë “Ec!”, pa aspak respekt Dhe më refuzojnë edhe urimin më të thjeshtë, si “Ditë të mbarë”.
Kjo më tregon më së miri se sa larg janë ata nga një komunikim i mirëfilltë, i vërtetë dhe i ndershëm, mes dy popujve të ndryshëm. Në mua kanë goditur në gozhdë të ndryshkur, as nuk shitem e as nuk blihem, dhe aq më pak t’iu lëpihem. Ata më lënë një shije të hidhur që nuk do të harrohet lehtë. Rrugëve nuk mungon as ushtria e tyre, një prani që vetëm e thellon frikën dhe kujtimet e tmerrshme të asaj kohe kur ishim nën okupim. Çdo herë që shoh uniformat e tyre, ajo ndjesi e pashlyeshme e frikës dhe e nënshtrimit kthehet. I gjithë ai tmerr që kaluam tashmë është bërë një pjesë e pandashme e kujtesës sime dhe çdo shenjë që e ringjall atë, më thellon edhe më shumë dhimbjen dhe ndjenjat e pasigurisë. Të gjithë e dimë se shumë nga ata janë asimiluar dhe integruar në atë kulturë që sot ngrihen kundër gjakut të tyre. Sigurisht ndikimi i fesë e besa, si dhe ushtrimi i dhunës ka ndikuar që ata të ngrihen kundër njëri-tjetrit. Ky gjak nuk i lë rehat dhe siç e kam thënë, janë më Pierre se vetë Pierri. Seç kanë një ngjashmëri të frikshme me Pierre.
Dhe pastaj, siç e quaj unë, “stili serbo-francez”, ku policia rrugore është e fshehur pas ndonjë shtëpie apo lugine dhe vetë kur dalin, nuk ka rëndësi nëse ka pasur shpejtësi të makinës apo të aeroplanit. Ajo që ka rëndësi është që të përfitojnë ca para. E dimë të gjithë se kjo është një formë e fshehtë e korrupsionit dhe shfrytëzimit të qytetarëve. Me ligj, nuk është e lejuar që të fshihen për të dhënë dënime, por këtu ku ka ligj, ku respektohet ligji? Kjo është një pyetje që vazhdon të mbetet pa përgjigje, sepse, siç ndodh shpesh, ligji është më shumë një fjalë e bukur në letra sesa një realitet që zbatohet. Çdo ditë, kjo situatë përkeqësohet, dhe ajo që është më e hidhur është se askush nuk duket të ketë guximin ta ndryshojë.
Por, përkundër të gjitha këtyre vështirësive dhe provokimeve nga policia, ka një moment që më bën të harroj lodhjen dhe frikën që kam ndjerë gjatë rrugës. Takimi me vëllezërit aty, në Bujanoc, ishte një moment që më dha forcën të shoh përtej gjithçkaje. Ata ishin aty, me zemrat e tyre të hapura dhe miqësinë e sinqertë, një mbështetje, që edhe pse e provokuar nga shumë faktorë të jashtëm, mbeti e pathyeshme. Ata ishin të bashkuar, jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht, duke krijuar një lidhje të fortë që asgjë dhe askush nuk mund ta thyejë. Dhe këtë e kemi traditë mijëra vjeçare. Ky takim më bëri të harroj gjithçka, lodhjen e gjatë dhe frikën që më kishte shoqëruar gjatë gjithë rrugës, më solli një ndjenjë të re të forcës dhe bashkimit. E kuptova se, pavarësisht pengesave, misioni im vazhdon me sukses dhe nuk ka fuqi që e ndalon. Ata ishin aty, duke më pritur si vëllezër, duke më dhënë mbështetje dhe dashuri, diçka që ia vlen më shumë se çdo përpjekje për të na ndarë. U gëzova që i pashë të bashkuar, dhe kështu dua t’i shoh gjithmonë të fortë, e të bashkuar, dhe me shpirtin e paepur që asgjë dhe askush nuk mund ta shkatërrojë e t’i mposhtë.
Kompjuterët u dhuruan dhe fëmijët ishin të lumtur, duke ndarë atë gëzim të pastër që vetëm ata mund ta ndiejnë kur marrin një mundësi të re për të mësuar dhe për të arritur më shumë. Ajo buzëqeshje në fytyrat e tyre ishte çdo gjë që kishte vlerë për mua. Në duar mbaja një letër të shkruar nga ata, një falënderim të sinqertë për dhuratën që atyre u dhashë. Ata kishin shprehur ndjenjat e tyre me fjalë të thjeshta, por të ngrohta, duke më falënderuar me gjithë shpirt. Ani pse ishin të rinj në moshë, kishin një shpirtbardhësi të paparë. Kështu mirënjohja që ata fëmijë shprehën, si dhe mikëpritja që mua m’u bë nga vëllezërit tanë nga Bujanoci, bënë që t’i kujtoja vetes se sa popull i fortë jemi ne shqiptarët, nuk dorëzohemi përpara askujt dhe nuk i thyejmë parimet tona as përpara mbretit e as përpara akrepit.
© Zejadin Dedinca










