Bota Shqiptare

Çfarë ndodh në mendjen e një të riu që vendos të vrasë?

Intervistoi: Anila Dedaj

Psikologia Jeta Dedja bën një analizë të detajuar të tragjedisë së Selenicës. Ajo thekson se është kombinimi i faktorëve të mjedisit, neurobiologjisë dhe tipareve të personalitetit që i çon individë të caktuar në kryerjen e aktiviteteve kriminale. Psikologia Dedja shpjegon modelet e të menduarit kriminal të Ritvan Zykajt, përmes elementeve të frikës, zemërimit dhe krenarisë dhe elementit specific të filmimit të vrasjeve.

Çfarë ndodh në mendjen e një të riu që vendos të vrasë të afërmit e tij për motive banale dhe, çfarë mund ta shndërrojë një individ në një vrasës gjakftohtë? Tragjedia e Selenicës, ku 24-vjeçari Ritvan Zykaj, shtiu mbi njerëzit e tij, madje duke e filmuar më pas krimin makabër ka shokuar mbarë opinionin. Psikologia Jeta Dedja (Toçila), gjithashtu eksperte në çështjet e drejtësisë penale, bën një analizë të detajuar të ngjarjes tragjike, duke nxjerrë në pah motivet e mundshme që e bënë Zykajn të kryejë një krim të këtyre përmasave. Cili është roli i shoqërisë në këtë mes? Po i arsimimit, varfërisë dhe prindërimit? Psikologia shpjegon me radhë elementët që e bëjnë të mendojë se Ritvan Zykaj ka modele të të menduarit kriminal. Ajo argumenton ndër të tjera se pse “autori ka zgjedhur me dëshirë dhe vullnet të lirë të përfshihet në sjellje kriminale”…

Znj. Dedja, kohët e fundit është rritur krimi në familje, vrasjet e të afërmve. Çfarë ka bërë që përmasat e këtij fenomeni të zgjerohen. A ndikon varfëria?

Unë e kam theksuar edhe në disa shkrime në Flasshqip.ca. Shqiptarët po tëhuajësohen nga vendi, familja dhe shoqëria. Shqiptarët po ndihen të papërfaqësuar, të alienuar, të përjashtuar, të përzënë. Është një frymë që ndihet gjithandej, të rinjtë po ikin nga shkollat shqiptare duke iu drejtuar vendeve të tjera, profesionistët çdo vit bëjnë aplikime për Gjermani, Angli, USA dhe Kanada. Zhvillimet mediatike, politike, arsimore, shëndetësore, ligjore kanë krijuar frustracione të shumëllojshme. Si rrjedhojë ka prej atyre që jetojnë në Shqipëri me një gjendje mllefi të akumuluar, mungese shprese, frike dhe pasigurie që i bëjnë të ndihen keq. Dhe kush ndihet keq ka gjasa të eksplorojë disa forma çlirimi të dhimbjes shpirtërore. Ose të kërkojë ndihmë, ose t’i bëjë keq vetes ose të lëndojë të tjerët. Kush gjen forcë te vetja dhe ka të afërm që e duan çlirohet dhe merr ndihmë. Kush është i dobët dhe i vetmuar mund të lëndojë veten. Kush është i rënduar keqas psikologjikisht dhe nuk ka mbështetje emocionale, ekonomike, as familje të kujdesshme, as shoqëri, as kapacitete intelektuale, dhe as vëmendje nga shteti, me shumë gjasa që do marrë rrugën e krimit, pasi këta lloj njerëzish nuk kanë çfarë të humbin. Nuk e mbështes tezën se varfëria të bën vrasës. Varfëria është një faktor që përforcon, por nuk është motiv kryesor për të kryer krime. 

Si mund të shndërrohet një njeri në një vrasës gjakftohtë, për më tepër të njerëzve të tij brenda një dite sipas jush?

Mungesa e ndjeshmërisë çdokënd mund ta shndërrojë në shkelës ligji. Dashuria është frymë me të cilën fëmija rritet. Nëse nuk merr dashuri, ndjeshmëria e tij ndaj botës që e rrethon do jetë e ulët. Nëse edhe shoqëria nuk ia ushqen ndjenjën e dashurisë, sigurisht që njeriu shndërrohet në qenie antisociale. Dhe kjo nuk ndodh as brenda një dite e as për gjithë natën. Edhe gjenetika ka pjesën e saj, por më tepër në çështjet e kriminalitetit unë mendoj që autorët e krimeve makabre, nuk kanë lindur të tillë, ata janë krijuar ditë pas dite në sy të të gjithëve. Më saktësisht është kombinimi i mjedisit, neurobiologjisë dhe tipareve të personalitetit të tyre që i çon ata në kryerjen e aktiviteteve specifike kriminale. Në rastin e Selenicës, autori është trajtuar vazhdimisht si një kriminel prej komunitetit, për këtë arsye  sjellja e tij kriminale është një përmbushje e profecisë vetjake. Gjithashtu, për shkak të disorganizimit social në jetën e tij si: lënia e shkollës, kuptohet që autori prej vitesh kishte mungesë të kontakteve me institucionet. Ndërkohë që prania e armës ia lehtësoi shndërrimin e idesë në veprim konkret. Nëse autori do të ishte dorëzuar menjëherë pas krimit do të mendoja se e kishte kryer në kushtet e tronditjes psikike. Por fakti që e siguroi edhe një filmim të vrasjeve si provë materiale të autorësisë tregon, jo vetëm kryerjen e veprës në gjendje të përgjegjshme, por edhe dëshirën për t’u kapur nga policia dhe për të marrë ndëshkim. Por kjo duhet të ndodhte sipas skenarit të filmit të tij, me shumë personazhe, ku ai të ishte aktori kryesor me prozhektorë të drejtuar gjatë mbi të. Megjithatë, pavarësisht momentit dhe realizimit të krimit në gjendje të vetëdijshme, autori sigurisht që ka shenjat e çrregullimeve të ndryshme psikike, por, pa u diagnostikuar nuk mund t’i vihet emër.

Çfarë mund ta shtyjë një vrasës të filmojë viktimat e veta, që për më tepër janë dhe të afërmit e tij?

Sipas të dhënave që kam marrë përmes medias, por edhe profilit në Facebook të autorit të vrasjes së 8 të afërmve në Selenicë, di që ishte shumë i lidhur me telefonin e tij ku përdorte Facebook-un, për të publikuar disa krijime të tij, biçim vjershash, për të postuar foto, për të komunikuar me ata të afërm që edhe i vrau së fundmi, ku diku këshillohej nga xhaxhai për reduktimin e sjelljes së keqe dhe të ashpër që shfaqte me të afërmit e tij. Autori në përgjigjet e tij nëpër komente, lë të kuptohet që sjellja e tij vjen si përgjigje e sjelljeve të kushërinjve. Pra, gjykimi i tij lidhet me reciprocitetin, sy për sy e dhëmb për dhëmb. Mesa duket kanë pasur probleme komunikimi, por nuk kanë pasur aftësi dhe vullnet për zgjidhjen e tyre. Detaji i filmimit, përveç shpjegimit që i bëra më lart, si dhe dyshimeve për çrregullime psikike, më bën të mendoj gjithashtu se autori ka zgjedhur me dëshirë dhe vullnet të lirë të përfshihet në sjellje kriminale. Pra ai nuk vrau 8 persona vetëm për shkak se ishte viktimë e një prindërimi të keq, bullizmit apo shoqërie kriminelësh, por sepse kjo ishte zgjedhja që ai bëri. Kjo më çon drejt besimit se autori ka modele të të menduarit kriminal, i cili karakterizohet me elementet e frikës, zemërimit dhe krenarisë. Më lejo t’i shpjegoj me radhë. Unë mendoj se autori i masakrës së Selenicës është një njeri që ka pasur vazhdimisht frikë të madhe për jetën e tij. Ai që prej fëmijërisë ka  perceptuar në çdo moment përçmime, për shkak të ndonjë paaftësie fizike a mendore dhe kjo e ka bërë të jetë gjithnjë vigjilent për to. Pra, ka jetuar me frikën se mos tallet apo përqeshet nga grupi. Tjetër element kemi zemërimin, të mbledhur përgjatë kohës, i cili e ka çuar në shfaqjen e sjelljeve të papërshtatshme, përdorimit të dhunës e deri në kryerjen e krimit. Dhe më të rëndësishmin kemi si element krenarinë. Ky është një dimension kyç për autorin e veprës penale dhe procesin e të menduarit, të vepruarit dhe të ekzistuarit të tij. Krenaria e këtij autori është në mendjen e tij. Ai ka vetëvlerësim të lartë dhe nuk pranon një akuzë ordinere për vjedhje pulash. Ai është një poet që shkruan në Facebook dhe ka audiencën e tij. Pra, ai në mendjen e vet jeton me idenë se është më i mirë se një bari, më i mirë se kushërinjtë e tij që mund ta nënvlerësojnë ose akuzojnë. Ky lloj autori, ka filmuar vrasjet që të krenohet për aktin e kryer, për lehtësinë me të cilën ai i ka kryer, sepse në mendjen e tij ajo që ai ka kryer nuk është e keqe, pasi ai beson se di të dallojë të mirën nga e keqja. Në mendjen e tij ai është heroi që meriton daljen në gazetë.

Nga tragjedia e Selenicës, një djali të ri i kanë vrarë katër anëtarët e familjes. Ka mbetur i vetëm përpos dhimbjes edhe në gjendje ekonomike të vështirë. Ç’mund të bëhet për këtë të ri në këndvështrimin tuaj nga ana sociale por edhe psikologjike?

Shteti duhet të aktivizojë mekanizmat e tij për menaxhimin e rastit. Ky është një rast që nuk zgjidhet me një lëvizje të shkopit magjik. Trauma e tij është e jashtëzakonshme, për të cilën duhet të hartohet një plan i mirëmenduar ndërhyrjeje me psikiatrit më të mirë, mjekë, punonjës socialë, mësues, përfaqësues të fesë së cilës personi i përket, komshinj, shokë, të afërm, dhe çdokënd që do të mendohet si i dobishëm për rehabilitimin, përfshirë këtu edhe ndonjë idhull-vip të personit.

Në rastet e vrasjeve të familjarëve apo të afërmve, si në ngjarjet e fundit. Mungesa e pendesës çfarë tregon sipas jush?

Unë mendoj që pendesa vjen me ndërgjegjësimin dhe kthimin në realitet. Autori i Selenicës është ende në burgun e tij mendor dhe nuk është çliruar as prej krimit që kreu. Ai do jetë në këtë gjendje për disa kohë, nuk besoj se do të kthjellohet shpejt.

Një fenomen tjetër është ai i reagimit të shoqërisë në rrjetet sociale. Në ngjarje të rënda si këto të fundit, vrasësi, fajtori etj, ka edhe një dënim tjetër që është ai i përdoruesve të rrjeteve. Dënimi që jepet në formë virtuale shpesh është i përmasave alarmante, duke përdorur fjalë  si “duhet djegur”, “duhet vrarë”, “duhet copëtuar”. Çfarë tregon e gjitha kjo në këndvështrimin tuaj?

Janë të pritshme reagime të tilla për raste kaq tragjike. Njerëzit kanë nevojë të shprehin kundërshtitë, papajtueshmëritë dhe kur për më tepër kanë një fajtor para syve, i cili u bën edhe karshillëk me komente në Facebook, ndërkohë që policia e kërkon, dihet që do ta kryqëzojnë. Sulmi kalon nëpër disa etapa. Në ditën e parë reagimet e shoqërisë i drejtohen ashpër autorit, në ditën e dytë turma merret mes vedi, komentojnë komentet e njëri-tjetrit, ndërsa ditën e tretë fillojnë e ftohen gjykimet. Madje ka syresh që arrijnë deri në justifikimin e autorit dhe fajësimin e viktimave, sepse autori, të cilin e sulmuan të gjithë, tashmë ndodhet në gjendje inferiore, i pambrojtur, i rrënuar, pra i mbaruar. Për të fillon era e mëshirës.

Për shkak të ngjarjeve të ndryshme jetësore, ka individë që shfaqin përmes sjelljeve të tyre shenja të traumave psikologjike. Nga ana tjetër pjesa dërrmuese e shoqërisë këtyre individëve u përgjigjet me paragjykim e zemërim. Çfarë do të sugjeroje që të mos ndodhë kështu?

Në shoqërinë shqiptare, ashtu si edhe në shoqëri të tjera ndjeshmëria shoqërore ka pësuar rënie. Njerëzit janë më të fokusuar te përmbushja e nevojave të tyre dhe pak interes tregohet për rritjen e vetëdijes sociale. Në çdo lloj situate unë mendoj që shoqëria bën mirë që shprehet e të mos jetë asnjëherë indiferente, por e rëndësishme është që të reflektojë mbi shkaqet dhe pasojat e fenomeneve para se të dalë në konkluzione. Për mua gjykimi i tjetrit është gjëja më e thjeshtë, prandaj mirë është të lihet për në fund të procesit. Ne dallohemi për kulturë të varfër sa i përket çështjeve psikologjike apo të shëndetit mendor ndërkohë që mund të kemi njohuri mbi llojet e makinave apo varieteteve të kanabisit. Dukemi popull i edukuar, por në fakt jemi veçse një popull i shkolluar, referuar numrit të diplomave që disponojmë. Shqiptarët shfaqin probleme në çështjet e prindërimit, ashtu edhe të edukimit që vjen përmes shkollës, shoqërisë dhe medias. Prindërimi shfaqet me modele kaotike, të marra andej-këtej e të aplikuara si një eksperiment mbi fëmijët, sepse mungojnë programet kombëtare për prindërimin. Çiftet e reja sjellin në jetë fëmijë dhe askush nuk u thotë si të prindërojnë me sukses. Në ditët e sotme, nuk mjafton modeli i prindërve të tyre, as modelet e librave. Duhen programe orientuese të certifikuara nga ekspertët. Përsa kohë këto mungojnë do të kemi prindërim instinktiv, ku përfshihet edhe dajaku, ndëshkimi, neglizhimi emocional pra abuzimet e formave të ndryshme. Në këto kushte do të rriten fëmijë me trauma të instaluara, të cilat dikur do të ngrenë krye. Dhe përballë këtyre fëmijëve, shoqëria do të ofrojë ose indiferencë, ose bullizëm, ose abuzime, ose ndëshkime. Nga ana e tij, shteti përmes përfaqësuesve në institucionet e edukimit duhet të ndërhyjë, dhe jo të vazhdojë të thellojë traumën e këtyre fëmijëve duke i neglizhuar, përbuzur e përçmuar më tej. Mësuesit duhet të trajnohen rregullisht e të përditësojnë njohuritë, të punojnë sa më shumë për komunikimin mësues-nxënës, mësues-prind. Duhet ndjeshmëri, përgjegjshmëri, shpirtmadhësi, hapësirë e mjaftueshme për vendimmarrje, buxhet dhe punonjës të aftë të edukimit për të marrë përsipër mbështetjen e fëmijëve me probleme të caktuara.

Në zonat periferike, veçanërisht në fshatrat e vegjël, vihet re mungesa e aktiviteteve sociale dhe kulturore. Madje në disa prej tyre janë mbyllur edhe shkollat, ose janë bashkuar klasat (prej numrit te vogël të frekuentuesve). E gjitha kjo si ndikon tek një individ që formohet dhe rritet në një zonë provinciale?

Në pyetjen tuaj dalloj tre prej aspekteve të rëndësishme të jetës së njeriut. Shoqërizimi, kultura dhe arsimimi. Ju më kërkoni të gjej një lidhje mes bjerrjes së këtyre dhe të jetuarit në zona periferike. Mirë do të ishte të flisnim bazuar në studime, për të qenë më të saktë rreth korrelacioneve, por në kushtet kur në vendin tonë studimet janë të pakta dhe disa prej tyre janë fiktive dhe plagjiaturë le të flasim teorikisht. Në vendin tonë, për shkak të valëve të imigrimit kohë pas kohe, problemeve ekonomike, reduktimit të vendeve të punës, mungesës së vëmendjes së shtetit dhe kompanive private, fshatrat dhe rajonet e tjera të vogla kanë pësuar një shok psikologjik, social, ekonomik, e kulturor. Në shumë familje gjenden vetëm moshat e treta, bashkë me personat me probleme të shëndetit mendor, të aftët për punë kanë marrë udhët, ata të mbeturit janë vetëpunësuar duke ngrënë veten me dhëmbë, të lidhur me tokat e papunuara apo shtëpitë 3 katëshe të pabanuara. Mungesa e shpresës për të ardhmen, tkurrja e perspektivës ka reduktuar popullatën. Si rrjedhojë janë mbyllur shkolla, qendrat kulturore-artistike, qendrat shëndetësore, madje as zyra elektorale nuk ngrihen në këto zona meqënëse numri i votuesve aty është simbolik. Duke mos patur asnjë tregues të jetës që gjallon, destini i zonës është vdekja shpirtërore. Kush ka mundësitë e teknologjisë ndonjë celular me internet nëpër duar, do të sajojë një dritare me botën, duke jetuar kështu në realitete paralele. Por, këtyre, “të dënuarve” për të jetuar në një fshat të harruar nga shteti, të detyruar për të bërë kilometra rrugë për të shkuar në shkollë, për të marrë shërbime sociale, shëndetësore e kulturore, do t’u zhvillohet shpirti i revoltës së brendshme, i mërisë, i urrejtjes, inatit, zilisë. Do të akumulojnë vite frustrimi, do të ndihen të izoluar, të pafat, të pashpresë, të harruar, të pavlerë, të huaj me vendin, të cilit ligjërisht i përkasin.

Shpesh tek ne, dhe kur identifikohen sjellje jonormale tek të afërm, mbetet ende tabu drejtimi për tek specialistët përkatës, psikologë, psikiatër etj. Nëse diçka e tillë vazhdon të haset në qytete, po në zonat provinciale ku vështirë se mund të gjesh qendra ambulatore apo mjek (infermierë) të përgjithshëm si e shikoni situatën? Çfarë zgjidhje mund t’i ofrohet dikujt që jeton në fshat?

Për formimin apo ndryshimin e qëndrimeve shoqërore ndaj një fenomemi apo prurjeje si për shembull konsultimi me psikologun/psikiatrin ka një rol të padiskutueshëm media. Nëse kujdesi për shëndetin mendor do të trajtohet njëlloj si kujdesi për dhëmbët, me publicitetin e duhur atëherë do të kthehej në normalitet. Megjithatë është edhe çështje besueshmërie e ngritur prej profesionalizmit dhe përvojave të mira. Çdo profesionist, më vete apo i organizuar, duhet të luftojë për t’i bërë vend vetes dhe të kërkojë të mbrojë e përligjë ekzistencën e profesionit të tij. Identifikimi i sjelljeve të papërshtatshme si rregull ndodh në mjedisin ku personi ndërvepron rregullisht, në familje, në shkollë, shoqëri, farefis, qendër mjekësore.  Janë këta aktorë përgjegjës parësor (prindër, të afërm, kujdestarë, mësues, mjek, shokë, ) që duhet të adresojnë rastet për këshillim ose ndihmë tek specialistët. Por në kushtet kur këta aktorë nuk munden, sepse nuk dinë ose sepse mungojnë, kush duhet ta ketë përgjegjësinë? Tek personi që vuan nuk mund të mbështetemi pasi shpesh ai nuk mundet të kuptojë veten se diçka nuk shkon. Po atëherë? Unë mendoj që herë pas herë duhet bërë një depistim i popullatës nga qendrat shëndetësore rajonale, ku të përfshihet edhe vlerësimi i gjendjes së shëndetit mendor. Dhe ky vlerësim të jetë real dhe jo shkel e shko për të mbushur kartelat siç ndodh kur aplikojmë për leje qarkullimi automjeti. Unë do sugjeroja që Urdhri i Psikologut, kur të legjitimohet me vendim gjykate të ngrejë grupe vullnetarësh për të ofruar ndihmë psikologjike në rajonet më të thella të vendit. Do të doja që termi vullnetarizëm të mos marrë ngjyrim negativ nisur nga e kaluara komuniste, përkundrazi të konsiderohet si një sjellje prosociale në ndihmë të njëri-tjetrit. Gjithashtu në nivel vendor, drejtoritë e shërbimeve sociale pranë bashkive të ndërtojnë programe për këto çështje. Unë kam bindjen se nëse krijohen ekipe të mira pune, të gjitha idetë realizohen dhe kanë sukses.

Biografia e shkurtuar

Jeta Dedja (Toçila) është psikologe me përvojë të gjatë si eksperte në çështjet e drejtësisë penale, me fokus abuzimet, krimet e dhunshme dhe trafikimet e qenieve njerëzore. Për shumë kohë ka qenë Pedagoge e lëndës Psikologjia Forensike. Autore e qindra artikujve problematikë, si dhe teksteve dhe artikujve shkencorë. Ajo është ndër të paktat profesioniste të fushës së psikologjisë, e cila me një sens të theksuar realizmi, deklarohet hapur për çdo problem sensitiv të shoqërisë shqiptare. Në kohën e lirë, Znj. Dedja punon vullnetarisht në shërbim të komunitetit shqiptaro-kanadez si Kryeredaktore e portalit Flasshqip.ca duke kontribuar në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.

16.08.2018

Burimi: Shekulli.com.al