Bota Shqiptare

Nevruz në karantinë – Nga Eriola Agalliu

Foto nga Hektor Pustina

Dr. Eriola Agalliu

Tirana është gdhirë si çdo vit me një diell të gëzuar. Më kujtohet gjyshja që gjithmonë na thoshte se Dita e Ashures dhe Dita e Pashkës ishin për të sherbetosur me gëlqere oborrin e vogël. E sigurt që do të kishte diell. Gjithë fëmijërisë nuk mbaj mend që kjo ditë ekuinoksi (kështu e kishim quajtur në shkollë) të mos ishte plot ndriçim.

Tirana mban sot ngjyrat e hareshme. Edhe pse pa zhurmat e makinave, pa kaosin e dyqaneve, pa tingujt e kafeneve, pa zërat e fëmijëve, Tirana shtriqet si e përgjumur, përballë asaj çka i ofron Natyra. Është dita e trembëdhjetë në karantinë. Fillimisht me lokale të hapura, pastaj me shoferë orarkufizuar, pastaj vetëm me markete e farmaci funksionale, qyteti ynë i ngjan një krijese të lidhur, që pasi është përpjekur të këpusë litarët, përgjon në heshtje të nesërmen.

Sepse përreth nuk ka asgjë tjetër. Ne vetëm mund të presim çfarë sjell e nesërmja. Është ndoshta një ndër ato të vetmet raste kur ndihma nuk vjen nga të afërm, nga kryeqytete simotra, nga popuj fqinjë, (të më ndihmojnë profesionistët me terma të këtij lloji). Ballkani, Evropa dhe Bota kanë ndalur frymën për vete dhe përgjojnë të nesërmen... E nesërmja nuk është më një metaforë për të ardhmen. Ajo është më faktike dhe më konkrete se kurrë,  në pasigurinë që mbart. E nesërmja, ndoshta ende, sjell armiq të padukshëm në portat tona...

Gjithsesi po flisja për Festën e Sulltan Nevruzit në Tiranë. Është dita e parë e vitit sipas besimtarëve bektashinj. Në Tiranën dhe Shqipërinë e Baba Tomorrit, është pranvera e parë (pas ndalimit nga diktatura) që dielli i gëzuar nuk përshëndetet nga njerëzit, rrugëve. Ai po kalon indiferent me karrocën e Heliosit dhe ne gjasme të painteresuar jemi strukur nëpër shtëpija, si në çarqet e vogla të ca krijesave mjerane. Kjo ditë po shkon, si gjithë ky muaj, me ankthin për të nesërmen (jo në kuptimin e saj të figurshëm)...

Ne jemi këtu, me shpresën se lutjet tona do të dëgjohen nga ëngjëjt, a Zoti. Diku, dikush, dikur, duhet të na përgjigjet...

Megjithë papërgjeshmëritë dhe fajet tona, ne ende meritojmë të endemi mbi këtë planet. Ka foshnja, të rinj, prindër, gjyshër, që presin të vazhdojnë itinerarin e tyre, me detyrimet që kanë dhe me dashurinë me të cilin e kryejnë këtë mision. Sepse jeta jonë është një mision. Që në çastin kur shohim diellin e parë. Mision ndaj vetes, ndaj tjetrit, ndaj racës njerëzore. Mision ndaj universit që na hodhi këtu. Ende shumë herët për të ikur nga skena. Ka zëra e monologje të tjerë që presin radhë.

Zoti patjetër është duke na parë me vëmendje, nga përtej, se çfarë mund  të servirim ende. Ai e di që brenda nesh ka mbetur shpirti krijues dhe dëshira e pafundme për të mos u dorëzuar. Ai e di sepse na njeh, sepse kështu na ka dashur që në fillim. Sepse jemi projekti i tij më gjenial. Dhe sepse, si të tillë, shpallim madhështinë e tij.

Gëzuar Festën e Sulltan Nevruzit!  

 

* Foto ilustruese nga Hektor Pustina

©FlasShqip.ca