Bota Shqiptare

Apokalipsi i politikës apo shqiptarët s’e duan ndryshimin? - Nga Xhevdet Nasufi

Që kur koalicionet ndëretnike u afishuan në publik, u qartësua mundësia se BDI do e “kontrabandojë” fitoren e radhës në zgjedhje, jo se “agjenda e gjelbërt” është në duart   e pushtetit vendor, apo se ajo e avancon çështjen shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por që të pengohet votuesi shqiptar të sjellë ndryshimin. Kjo tani e shtron dilemën sensitive: Vallë i pengoi Ali Ahmeti shqiptarët që të sjellin ndryshimin, ose shqiptarët nuk e duan atë?

Zaevi e mundi Gruevskin autokrat dhe antishqiptar në zgjedhjet politike, kurse zgjedhjet vendore të parafundit i fitoi me plebishit, 57 komuna në nxitimin e kondicionuar edhe nga të tjerët. Tani për shkak të qeverisjes së dobët dhe abuzive i njejti Zaev në zgjedhjet vendore epilogoi me fiasko, mbrohet vetëm nga BDI dhe Grubi (nuk e lëshojmë ne Zaevin?!) dhe reflektoi papjekurinë e politikanit dhe individit, imagjinoj dorëheqjen.

Tërë këto zhvillime dhe ndryshime demokratike të natyrshme te maqedonasit, sikur aspak nuk tanguan shqiptarët. Si rrjedhojë e këtij holokausti politik shtrohet natyrshëm dilema: Pse Ali Ahmetin nuk e përcjell fati i njejtë sikur Gruevskin dhe Zaevin për shkak të keqeverisjes? Pra qeveri e njejtë, fajtor për gjynahe të njejta, kurse përgjegjësia e ndryshme, apo ajo mungon për shqiptarët në pushtet?

Gjithsesi, anticipimi i papërgjegjësisë në BDI që po bëhet rregull për kaq vite ngërthen edhe gjynahun e pabarazisë së shqiptarëve, apo të barazisë së pritur me maqedonasit. Realisht përkundër këtij objektivi kombëtar, BDI ka arritur që në tërë mandatin e saj vetëm të punësojë shqiptarë në administraten publike, por vetëm nga përkatësia e BDI-së. Realisht të gjithë parametrat e tjerë të barazisë kanë mbetur në kornizat e paraluftës së vitit 2001.

Gjithsesi, shumëçka është e njëtrajtshme në kampusin politik shqiptar gjatë tërë këtyre njëzet viteve. Amullia e mosndryshimit ka shtrirë hijen e zezë për kaq vite këtu duke ndarë si me murë kinezë në këtë rrafsh shqiptarët dhe maqedonasit për kah reflektimi politik në zgjedhje. Ndërsa maqedonasit praktikojnë ndryshimin, shqiptarët praktikojn status quo. Dhe përsësëri dyzimi i dhimbshëm: vallë votuesi shqiptar nuk e dëshiron ndryshimin?

Gjithsesi, për këtë mosndryshim (edhe Merkel e supersuksesshme u ndërrua) nuk mund të fajësohet votuesi shqiptar. Është amorale që kombinacionet, teknikat perfide dhe propaganduese zgjedhore, mjegullojnë ambientin politik shqiptar, devijojnë verdiktin qytetar dhe cenojnë mendësinë e pavarur të tij. Pikërisht për këtë edhe vetflijimi i shqiptarëve në zgjedhje përjetohet si kënaqësi individuale, përtej dëmtimit që u bëhet shqiptarëve nga qeverisja kontraverse e BDI-së dhe liderit të saj.

Në këtë amalgamë politike, BDI mbart edhe një pjesë të fajit për mosprofilimin e suksesshëm të opozitës shqiptare. Gjersa blloku politik maqedonas profiloi vetveten pa pengesa në dy parti të standardizuara si e Majtë dhe e Djathtë, kjo nuk po ndodh te blloku politik shqiptar. Për të keqen tonë kombëtare, nuk u profilua kampi opozitar që të pengojë regjimin e qeverisjes së BDI-së dhe Ali Ahmetit. Të gjitha opozitat që u çfaqen gjer tani për kaq vite u tretën sikur akulli në rrezen e parë. Vetëm BDI dhe Aliu mbetn, por demokracia pluraliste u dëmtua, zhvillimi nuk evoluon, tranzicioni po zgjatet, vendi çpopullohet.

Në këtë holokaust politik brendashqiptar, opozita nuk mund të rezervojë pafajsi dhe të anashkalojë sjelljen neglizhuese ndaj humbjeve. Butësia kritikuese e saj është e pakuptueshme dhe shqetësuese. Sjellja komode sikur e të vetëdashuruarit, sigurisht që e mjegullon shikimin real dhe racional në politikë. Andaj reflektimi është i domosdoshëm dhe është përgjegjësi kombëtare dhe demokratike që ky të ndodhë sa më parë në bllokun opozitar shqiptar.

Ta pranojmë të gjithë sëbashku, koalicionet parazgjedhore joprincipiale ndëretnike që i futi BDI dhe Ahmeti në përdorim, praktikisht janë dëmtuese për çështjen kombëtare dhe demokracinë brendashqiptare. Luftërat në Slloveni, në Kroaci, por pse jo edhe në Bosnjë e Kosovë së fundi, u legjitimuan si luftra për shtetndërtim etnik, si për sllovenët, kroatët, malazezët, maqedonasit, të cilat i pranoi edhe Europa si modele për zgjidhjen e çështjeve etnike të tyre. Nëse është kështu, edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë të drejtë per shtetndërtim të barabartë me maqedonasit, ashtu sikur edhe Kosova në sovranitet të tërësishëm mbi territorin e saj.

©Xhevdet Nasufi