Ç’ka thënë Kadare për diasporën?
- Published in Bota Shqiptare

Diaspora ka qenë dhe vazhdon të jetë një Shqipëri rezervë, një Shqipëri tjetër, një Shqipëri e vërtetë.
Deri para 2008 ishte një, tani janë dy Shqipëri, edhe sikur të ketë një Shqipëri të tretë, s’do kishte ndonjë gjë të keqe, (…e them këtë pa ndonjë përgjegjësi diplomatike).
Shqipëria ndonjëherë shkakton frikë irracionale, tremben prej saj, thonë se mund të ketë edhe pesë të tilla… Pra, sado Shqipëri të ketë, sot kemi dy Shqipëri në Ballkan, dhe duhet të jemi të lumtur për këtë. Sidoqoftë, shqiptarët sot kanë status të fuqishëm, janë bërë faktor i fuqishëm në Ballkan, gjë e cila nuk është e tepërt për ta. Për fatin tonë të keq faktori shqiptar në Ballkan ka qenë i tkurrur, ai nuk e ka zënë atë vend real që duhet të kishte. E kjo çfarë unë them nuk është as nacionalizëm, as patriotizëm.
Ka vite që ngatërrohen këto terma, me të cilat bëhen spekullime, nga më të çuditshmet, të palejueshme. Zakonisht, këto dy terma shpeshherë ngatërrohen me njëra-tjetrën, ose, lihet në mjegull kuptimi i tyre, apo i ngatërrojnë me qëllim. Sa për statusin e shqiptarit në Ballkan, ata nuk kërkojnë ndonjë gjë të tepërt, diçka kundër të tjerëve, diçka penguese. Përkundrazi, ata kërkojnë atë që meritojmë dhe kjo do ti bënte mirë të gjithëve, edhe të tjerëve, sepse krijon drejtpeshim në gadishull. Drejtpeshimi është i mirë për të gjithë, madje edhe për ata që mendojnë se urrejnë, më tepër se të gjithë, këtë status, këtë gjendje natyrale të shqiptarëve. Nacionalizmi i verbon dhe nuk e kuptojnë këtë.
Shqipëria diasporike, kjo Shqipëri rezervë, e ushqen sot Shqipërinë ballkanike, me dy shtete shqiptare. Ky ushqim shpirtëror është i shëndetshëm, i nevojshëm. Ajo jep dhe merr ide, i rikthen ato, bën riciklim vrullesh e mendimesh.
Do them një citat, përsëris: Kombi është një parim shpirtëror. Ai është truall, histori, traditë, para së gjithash, është vullnet për të qëndruar bashkë. Pas kësaj thotë që është një parim shpirtëror. Duket pak si shkencor, por ja që kështu është. Kombi ka diçka që të tërheq, ftohja ndaj tij, ose tërheqja ndaj tij ngjan sikur është irracionale. Nuk shpjegohet dot shumë me saktësi. Për shembull, pse bien njerëzit në dashuri, ose pse ftohen. Nga ana politike ngjan naive, nga ana shkencore ngjan naive, por ja që qënka e vërtetë.
Ka një ngatërresë me termat patriotizmi, kombtarizmi, atdhetarizmi, nacionalizmi, që janë nocione, përftime, të cilat shpesh ngatërrohen me njëra- tjetrën. Bëhen spekullime nga më monstruozet. Janë bërë dhe do të bëhen. Konceptet i ngatërrojnë, por nuk janë e njëjta gjë. Po bëj një parantezë, jo pedagogjike por pak a shumë shkollore. Nga këto të dyja (atdhetarizmi, nationalizmi) më i vjetër është Atdhetarizmi, i cili është i njohur që nga antikiteti grek, nënkupton toka e atit. Nationalizmi është koncept 200-300- vjet i vonë. Ai ka lindur me përmbysjen e feudalizmit në Europë. Fryma Europiane e ka përvetësur patriotizmin, nuk e kanë hedhur, ata e kanë përthithur, marrë nga tjetri. Sot Europa quhet e kombeve, jo kosmopolitike.
Pra, kombet e Europës e kanë këtë koncept dhe ne do ta mbajmë këtë si ata. Së paku, nuk do të marim ne të parët flamurin për ta prishur kombin tonë. Kur ta prishin gjermanët, francezët, anglezët… e me radhë, po e shohim edhe ne këtë punë! Pra, nuk do bëhemi të parët ne të vegjlit ta prishim kombin. Do të jetë një budallallëk i pafund, një naivitet, idiotësi e madhe, absurditet, një shkatërrim i tillë. Nuk është problemi ynë të krijojmë gjëra të paqena, gjëra fantazmë. Në emër të Patriotizmit janë bërë krime të mëdha. Në emër të nacionalizmit janë bërë krime të mëdha, e kjo s´do të thotë se ato nuk ekzistojnë.
Po ju jap një nocion tjetër, “Liria”. E njëjta gjë është thënë për lirinë. Liri, sa krime janë bërë në emrin tënd? Po tani do dalim ne të themi liria ështe e keqe? Jo, sepse liria është e paprekshme. Është vështirë të prekësh lirinë. (Atdhetarizmi) është ndjenjë e shëndetshme dhe natyrale, ndjenjë të duash vendin tënd. Se ai që nuk do veten s´do askënd. (Kadare në Këln, më 12.12.2010)/ topkadare.com