Bota Shqiptare

Aroma që s’ndjehen - Nga Ylli Pango

-Vjen një si era përç. Kakërdhi. Si dhën. Si dhi…

“E mo janë ata barinjtë që zbresin nga lart, nga mali, me bagëti… Ja po kalojnë… do shkojnë në vend të tyre… Kaq ishte…”

-Ore se ç’po digjet. Era e djegur, tym dynjaja. Kena dalë për ajër të pastër a si?

“Jo mo nuk ka problem… ka ndezë ndonjë zjarr ndonjoni.”

-Po mos merr gjë zjarr pylli?

“Jo, mo jo… Ja do shuhet dhe…”

-Ore e ndjeni apo jo… po bie si era mut…

“E mo e, se ashtu të duket se ishim pa hale fare në qytet… Tani ka shtu bashkia numrin e WC-ve publike. Të atyre inekzistente. Distanca e afërt nga njera te tjetra mjafton për t’ua mbajtur në hundë erën… konstante gjatë gjithë xhiros… Janë aq të shpeshta. Të frekuentuara. Pa fund.”

-Po mirë mo, po nuk durohet.

“Epo tani... unë dhe ua sqarova shkencërisht… është konstante, Konstantja M. Duket si një… si e vijueshme… por nuk është era m… është vijimësia e pandërprerë e nevojtoreve. Duhet me qenë mirënjohes.”

-Ore po ku e kini mendjen? A i kini sytë a jo? Veshët? Po na bombardon Jarani. Ka hudhë nga lart, nga larg…lëndë kimike. Pas atij sulmit kibernetik… Përshkallëzim…

“Ku mo ku? Mos ja fut kot. Përhap panik…”

…I zë besë, kyç gojën e zë eci mes njerëzve që baresin me sy përdhe… Seç kërkojnë mes kufomave… Shikoj mos më del ndonjë i njohur përpara t’i them…ta pyes: “Ç’bëhet kështu?”

Asnjë i njohur për be…

…Oh… Ja më në fund njëri, i njohur…

“Hej…hë mo vlla…ç’bëhet? A po sheh gjë më në fund? A kanë sy me pa, veshë…hundë për të nuhatur, ky milet?”

“Vllai” mban mbi njerin sup një trup njeriu… nuk merret vesh të gjallë a të vdekur. Krahët e koka e atij trupit, i varen mbi shpatull. Këmbët e atij i lëkunden mbi bark: “Nuk di gjë për të tjerët o vlla”, më përgjigjet me një zë të dalë shpirti, “unë për vete…kufomën time e gjeta…”

©Ylli Pango

Tagged under Flasshqip.ca Ylli Pango