Ne, mikroborgjezët… - Nga Vangjush Saro
- Published in Bota Shqiptare

(Duke medituar për një version të dytë të librit “Shqipëria në dy kohë”)
Pas ‘90-ës, çuditërisht u shfaqën shumë “të persekutuar” e “disidentë”. Shpesh, flamurin e vuajtjeve e tundin edhe njerëz që asokohe kanë qenë në karrierë e në jetë normale. Por... edhe ca nga ata që vërtet vuajtën, tash janë bërë si Pal Vata (!)
Në fakt, “historia” është më e thjeshtë për disa breza që patën pothuaj të njëjtin fat; pra s’kemi pse të bëjmë si qaramanë. Mbaruam një shkollë të lartë; kishim një punë që nderohej; merrnim lejë krijuese; na paguheshin botimet. Nuk ishim kushedi çë më të lumtur se të tjerët, por e shtynim. Ishim - po e them me një term të përdorur herët - mikroborgjezë. Kujdeseshim për limitet, duhej të mbronim më së pari familjet tona. Ta themi me ndershmëri, përgjithësisht krijuesit (e mirë) - në liri apo pjesërisht në liri - ishin thjesht në një lloj ballafaqimi me gjendjen, me kohën. Me fjalën “ballafaqim” kuptoj përpjekjen për t’i interpretuar (edhe) ndryshe dukuritë e për të mos thënë: “Lepe? Peqe!” Kaq. Rrethanat nuk falnin. Kush mendon se ka bërë më shumë, bravo i qoftë!
Gjithë puna ishte: shko e përshtatu… Ashtu edhe e shtyva; në fillim në fshat dhe pastaj në gjimnazin e Gramshit e duke u marrë edhe me aktivitetin letrar e artistik atje. Thjesht, duhej të mbijetoja. E thashë, isha një mikroborgjez. Vija nga një familje e tillë. Im atë qe zanatçi. Gjatë Luftës u kishin premtuar se nuk do t’i trazonin, por pastaj ua morën dyqanet dhe lirinë. Familja e tij kishte pasur 3 partizanë, nga të cilët njëri dëshmor. Por ata (njerëzit e mi) nuk bënin pjesë ndër të partishmit e kohës; nuk ishin as ndër më të pakënaqurit.
Një aso isha dhe unë. Edhe kur ika në Tiranë. Nuk u bëra asnjëherë revolucionar; më pas, as kundërrevolucionar. Isha dhe mbeta një mikroborgjez. Edhe sot e kësaj dite, nuk i dorëzohem patetizmit, kursehem në deklarata dhe përpiqem të mos marr kahje, as ta rrah gjoksin për atdheun apo gjëra të ngjashme si kjo. Sapo hap sytë, unë mendoj për familjen time dhe për çfarë jam duke shkruar; i bindur se kjo, dhe të qenit qytetar korrekt, mjafton për ta treguar dashurinë ndaj vendit. (“Para se të japësh mendje për paqen në botë, shko në shtëpi e duaj familjen tënde!” Nënë Tereza) Më tej, për mua, vlen njohja e njësive të gjithëpranuara: në jetë, në histori, në gjuhësi, në art; po ashtu, qasja në shtyp me profesionalizëm dhe në art me veçanësi. Bujën e stisur dhe mëritë vanitoze t’i rrëmbejë kush mundet...
■
Ku e kisha fjalën? Herët, ndonjëherë, e merrja inat Sekretarin e Parë të Rrethit, Manxhar Fejzon - nuk më ndihmoi për strehimin - por pastaj, kur mendoj se çfarë ndodhi në rrethe të tjera, prapë e vlerësoj. Atje ku drejtuesit ishin karrieristë, shumë krijues u dënuan ose u përndoqën. Për të rënë në sy, për të treguar besnikërinë ndaj Partisë, këta sekretarë vunë përpara (gjer edhe i pushkatuan) poetë e krijues të tjerë. Dhe pjesa tjetër e dhimbshme e këtij episodi ishte që ti, si drejtues i LSHA për rrethin, mund të rrezikoje të dëshmoje kundër vullnetit tënd. Për fat, Manxhari - që në dukje ishte i pandjeshëm, i ftohtë - nuk e inkurajoi asnjëherë urrejtjen ndaj këtyre artistëve; nuk u arrestua ndonjë krijues, edhe pse rregullat apo parimet e ashpra (të kohës) i mbanin disa prej tyre larg nesh. (Klito Fundo, Alejdin Topçiu, Gëzim Llalla.) Por ani, nëse Manxhari dhe të tjerët do të donin me çdo kusht të binin në sy e të bënin karrierë në kurriz të të tjerëve, kjo do të na kishte hapur punë edhe ne “mikroborgjezëve”.
Zoti dhe shoqëria më shpëtuan nga këto halle, që nuk di si mund t’i përballoja e si mund të jetoja më tej me ato në kurriz. Po, shpëtova. Sekretari, Manxhari, ishte burrë i mirë, sepse nuk qe karrierist, nopran, nuk ishte nga ata që shkelin mbi të tjerët për t’u ngjitur vetë ca më lart. Kjo është e rëndësishme. Por ndërkaq, unë ndjehesha qetë edhe ngase pata miq të cilët kishin influencë, ishin të ekuilibruar, u dëgjohej fjala: Meçan Hoxha, Anesti Misha, Afërdita Haxhia, Shyqyri Fejzo, Luan Jaupi, Hysen Godole, Jaup Zenuni, Enver Qose, Shefqet Zani, Koço Suljoti, Sulo Dani, Dhimitër Gjika, Dervish Zaimi, etj.
Në fakt, unë nuk u pashë asnjëherë me sy të keq. Dhe s’isha ndonjë i pakënaqur klasik, edhe pse i shprehja pakënaqësitë: Për punë të strehimit - e thashë më lart - dhe kur im atë duhej të vizitohej te një mjek i famshëm që ishte i internuar atje (Fadil Spahiu). Por ai u arrestua (për agjitacion e propagandë, oops!) dhe, pas disa kohësh, kur im atë vdiq, unë mbeta në peng; mendoja se Fadili mund t’ia kishte zgjatur jetën…
■
Është e vështirë të flasësh për paqe dhe drejtpeshim, për guxim e çiltërsi, për karrierë e modesti; sepse fjala deformohet. Ata që vuajtën vërtet ose ata që mbase përcollën në publik diçka më shumë se të tjerët (I. Kadare, P. Marko, etj.) mund ta kenë një fjalë më shumë. Por jo shtiranjakët. Njëri, që pas ‘90-ës nxitoi të rrëmbente soj-soj shkëlqime - ka disa aso që vazhdojnë të vjellin vrer mbi gjithçka të së shkuarës - zotëria pra, ky demokrati i ardhshëm, kjo raca e këtyre që marrin nëpër gojë Kinostudion, kohë më parë, për filmin tim “Shkëlqim i përkohshëm”, kishte shkruar në gazetën “Drita”: “Autorët nuk e kanë pasur parasysh fjalën e shokut Ramiz Alia me të rinjtë e Kolonjës.” (!) E kuptoni ju me ç’njerëz kemi të bëjmë këtyre anëve, ku shumëkush mendon se po faktorizohet duke tundur ende flamurin e antikomunizmit? Hidhu, skuth, po ke këllqe, bëje më të mirë e më të njohur artin, letërsinë (atë tënden në radhë të parë). Por aq të ka dhënë Zoti, pra qepe (!)
Që ta mbyll, këta ta shpifin, në çdo kohë. E unë - shumë kolegë e miq të tjerë po ashtu - këtë rol s’do ta luanim kurrë. Njëherësh, them se në mënyrë të sforcuar nuk mund të përfitohet asgjë dhe nga asgjë. Mbetem “mikroborgjez” (?!)
Nëse nuk isha krejt i qartë (siç thotë një personazh i Dikens-it) “faji” është imi…
© Vangjush Saro