Aktualitet

'Si s’të desha pak më shumë'

Nga: Ndue Ukaj

Poezia-dashuri e përhershme për fjalën, njeriun, mungesën. Një melodi shpirti, që na zgjon në agimet e bukura, si cicërimat e zogjve që tregojnë madhështinë e fushave dhe të maleve, ku paqja shtrihet si në tregimet për Edenin. 

Poezia-kjo forcë magjike e magnetike, me gjuhën fisnike, na bën shtegtarë nëpër kohë e hapësirë, dhe na tregon ç’është e mirë dhe ç’është e keqe. Po, poezia është ilaçi i domosdoshëm për shpirt, për një shoqëri më humane, për t’i kuptuar betejat e ashpra të jetës, pra, për ta bërë jetën më të bukur dhe më humane, ashtu siç na ka treguar poeti i madh, Fatos Arapi, dhe siç na tregon vargu kumbues “si s’të desha pak më shumë”; varg të cilin e shqipton secila qenie njerëzore, në çaste humbjeje, gëzimi, dëshpërimi e mungese. Në fakt, ky varg, buçet me forcën e madhështisë së fjalës, në zemrën e secilit lexues dhe e thërret të drejtohet kah portat e dashurisë, për të dashuruar pafund. 
Ikja e Fatos Arapit, na tregon edhe njëherë, sa shumë kemi nevojë për gjuhën fisnike të artit, të artit të bukur, që nuk dorëzohet përballë gjuhës së egër të atyre që helmatisin jetën me dokrra e marrëzi. 
Fatos Arapi, poeti i përkorë, ka shkruar një poezi të ndjerë, me një figuracion mbresëlënës, në të cilën ndihen telat e zemrës së njeriut që e do njeriun, jetën, natyrën, paqen, atdheun, gjuhën, detin dhe çdo gjë të bukur, por që nuk dorëzohet as përballë shëmtisë...
Fatos Arapi është poet i madh, që i dha forcë poezisë shqipe. Me vargje të bukura, ka kënaqur dhe lumturuar mijëra lexues, dhe po ashtu, ka tronditur mijëra lexues. Sepse, vargjet e tij, janë si ato buqeta të zgjedhura lulesh, që i mbajmë në duar për ditë të shënuara, por edhe si muzikë e përmortshme, për ditë të hidhura. Po, lexuesi e ndien artin e tij dhe drithërimat shpërthyese, në çaste gëzimi e dëshpërimi, kur dërdëllitjet e shpirtit, e shpijnë njeriun në qiejt e lumturisë apo ato të dëshpërimit-në skëterrë. Dhe Poeti, di që mjeshtërisht realitetet e jetës t’i kthejë në realitete estetike, që buçasin dhe lëshojnë tinguj të bukur, dashurie e dhimbje. E këto mund t’i bëjë vetëm një shpirt i madh, një talent i zoti, që drithërimat e jetës di t’i shndërrojë në melodi, në këngë. 
Poezia e Arapit të grish kah madhështia, dashuria e pakusht, nga natyra dhe gjuha fisnike. Po, ajo na thërret, siç thërrasin këmbanat e një katedraleje madhështore, të hyjmë në të, të banojmë në të, dhe ta ndiejmë peshën e artit madhështor, të korit të jetës, të engjëjve që zbresin në figura dhe na tregojnë rrugët e jetës. 
Poezia e tij na thërret të shtegtojmë në botën humane, të pastërtisë së gjuhës, ku dashuria është ajo jeta e kristaltë, që asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Ashtu siç nuk është jeta. 
Poeti i madh, Fatos Arapi, iku në një vjeshtë plot ngjyra dhe pas vete la ngjyra të bukura dhe të pashlyeshme poetike. 
Ai la një varg veprash, dëshmi të një arti të madh dhe poezi antologjike, me të cilat ka gdhendur emrin e tij me shkronja të arta në letërsinë shqipe. 

Fatos Arapi, si askush, ka treguar ç’është Atdheu, dhe si duhet t’i blatohemi atij me dashuri pa kusht, ashtu siç i blatohet ai Tiranës që ka tiranë dhe që të vret: 
“Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi
E mban - dhe të mban ty në shpirt.”

Në rrugëtimin e tij poetik, ai ka lënë poezi të bukura për jetën dhe përplasjet që shfaqen në të:

“Jeta është stacion ndarjesh e takimesh. 
Jemi përherë udhëtarë 
dhe ndër duar, bagazh të pandarë, 
një valixhe të vogël 
përpjekjesh, sulmesh, kujtimesh.”

Ai na ka treguar ç’është forca e dashurisë:

Unë e desha përtej vdekjes,

Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…

Ndërkaq, telat e zemrës së poetit, në mënyrë të perfeksionuar, vijnë në këto vargje fantastike:

"Ti do të më dashurosh patjetër
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër,
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër. 
Në mallin tënd ky karafil i egër,
Ti do të më dashurosh patjetër!

Poeti Fatos Arapi iku, dhe, siç shkruan vetë në poezinë “Lamtumirë”
“Kudo që shkoj
jam një copëz peizazhi nga vendi im.”

Po, ai është copëza e ndritshme e peizazhit në atdheun tonë kulturor dhe estetik. 
Faleminderit, maestro!

Tagged under Ndue Ukaj Fatos Arapi