Korça historike dhe turpi i këshillit të sotëm bashkiak - Nga Klodi Stralla

Kujtimet e mia për vendlindjen, Korçën historike, zenë fill aty rreth viteve ’57-58 të shekullit të kaluar, kur isha ende një fëmijë 6-7 vjeçar. Fatmirësisht banoja në një shtëpi në qendër të qytetit, kështu që ato rrugë, atë bulevard dhe ato ndërtesa historike përreth, i kam të gjalla në kujtesë ende sot pas 60 vitesh.
Korça, si pak qytete të tjera të Shqipërisë, ishte një qytet me fizionomi urbanistike origjinale, që nga rrugët e ndërtuara me sistem, bulevardin qendror dhe deri tek godinat me vlera historike dhe arkitektonike që zbukuronin qendrën e saj. Një qytet që regjimet, që shkonin e vinin, duhet t’ia respektonin individualitetin dhe jo t’ia përdhosnin siç ndodhi në vitet e komunizmit dhe siç po ndodh sot në vitet e babëzisë për të fituar para me çdo çmim.
Vizitori, që nisej nga “Lëndina e loteve” e merte rrugën përpjetë, do të haste nga të dy krahët e bulevardit (dikur i quajtur “Piro”), vila të shumta banimi të qytetarëve korçarë, me oborre të qëndisur bukur, plot lule shumëngjyrëshe e trotuare gjithë pastërti. Në të majtë shtëpia e prof. Ilia Tilit dhe karshi saj shtëpia e dikurshme e Kondilëve, shtetëzuar në kohën e komunizmit (ish-turizmi i vjetër); më sipër bar-lulishte “Plakoci” (plaku Koci), më vonë “Dinamo”, edhe ajo dikur pronë private e shtetëzuar dhe karshi saj shtëpia e Vangjo Bodes; më tej të ashtuquajturat Pallacinat, ndërtime italiane që, në kohën e komunizmit, u shndërruan në Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit dhe përkarshi shtëpia e Lakove (shndërruar më vonë në hotel); pak më sipër shtëpia impozante e Xexove dhe vila e Tezhave, për të vazhduar me embëltoren e Koci Bezhanit, e njohur në gjithë qytetin; përkrah saj shtëpia karakteristike e ish-kryetarit të parë të Bashkisë, Vasil Avramit, që ne fëmijët e thërrisnim “Konsulli”; në krahun tjetër lulishtja e Themistokli Gërmenjit me monumentin e tij punuar me mjeshtëri dhe dashuri nga Odise Paskali, paguar me kontributin e vetë qytetarëve korçarë dhe brenda atij kompleksi “Bibloteka”, dhuratë për qytetin e filantropit Thoma Turtulli. Pak më sipër, në të majtë, kafeneja e “Splendit”, shoqëruar nga ndërtesa historike e Kishës së vllehëve (Shën Sotiri), e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 1931-shit dhe për karshi shtëpia e Zadove.
Këtu bulevardi zgjerohej në formën e një sheshi me kinema Majestik-un, ku Raqi Mano i sillte qytetit filmat europianë më në zë të kohës, me Liceun francez, një godinë guri e ndërtuar posaçërisht për shkollë dhe në krye shtëpia karakteristike e Emanoilëve. Këtu bulevardi degëzohej: rruga në të majtë të çonte tek sheshi i madh i Mitropolisë, kurse degëzimi në të djathtë tek sheshi i Luftëtarit kombëtar.
Edhe kjo pjesë bulevardi 300-400 metra e gjatë, që ne femijët e quanim “Tuneli” për shkak të pemëve dekorative të trotuarit që kryqëzoheshin në lartësi, i jepte një pamje mbresëlënse xhiros karakteristike që banoret e qytetit benin aty çdo mbrëmje, dimër e verë. Aty gjendeshin shtëpitë korçare të Nukeve, Shqaut, Evangjelit, Zikos, Angjeliut, Kotokos etj.
“Tuneli” hapej me një shesh në qendër të të cilit ishte monumenti i Luftëtarit kombëtar, edhe kjo vepër e skulptorit Odise Paskali; përreth fura e Mavros, “Vapori”, shtëpitë e piktorit Vangjush Mio dhe Mihal Gramenos, shtepia karakteristike e Rakos (ish-Komiteti i Partisë), dyqani i Bopit, Mësonjëtorja e parë shqipe, shtëpia e Themistokli Germenjit, ajo e Tashko Ilos (shtëpia rumune), kinema “Lluksi”, shtëpia impozante e Kosturëve, Hotel “Pallas”, për të përfunduar me Katedralen monumentale të Shën Gjergjit në njërin krah dhe shtëpinë e Flamurit në krahun tjetër. Pas tyre fillonte Pazari, një kompleks historik më vete.
Sa histori, art e kulturë në kaq pak metra! Por dora vrastare, dashakeqe e injorante e xhahilëve vendas shkatërroi shumë nga këto vepra arti të ndërtuara me mund e dashuri nga paraardhësit tanë.
Këto pak rreshta kujtimesh, të shkruara me ngut, morën shkas nga një ngjarje që më la shije shumë të hidhur: Këshilli Bashkiak i qytetit i akordoi arkitektit Peter Wilson titullin e lartë “Qytetar Nderi”, atij që, për mua, vrau dhe po vret për ditë kujtesën historike të qytetit tone. Shumë turp!