Vende & Zakone

Ditë Vere në karusel

Nga: Marelba Fushekati

Në 14 Marsin e vitit 1936, Behixheja, në moshën e saj më të bukur të rinisë së parë, e veshur me fustanin më të mirë, kaloi rrugicën e shtruar me gurë dhe mori drejt qendrës së qytetit, afër Rrapit të Bezistanit. Vuri këmbën në dollap dhe mori qëndrim prej zonjusheje. Dollap quhej karuseli, që rrotullohej duke u tërhequr me krahë nga burrat. Një farë tempulli beqarësh, ku gocat e pamartuara bënin “pamjen” dhe çunat beqarë bënin zgjedhjen e jetës. Vathët me napolon floriri në veshët e Behixhesë ishin të rëndë, aq sa mënd i shkaktonin dhimbje. Çmimi i bukurisë peshon.

Aty e pa Ademi, e sipas traditës kërkoi dorën e Behixhesë. U martuan e u trashëguan.

Kjo ishte një nga rëndësitë e veçanta të Ditës së Verës në Elbasanin e gati 100 viteve më parë. Në qytetin e bollëkut dhe njerëzve të paqtë.

Në memorien time, mëngjesi i ditës së verës mbetet gjithmonë i lidhur me një ngastër dheu të njomë me bar jeshil, që ime më e merrte nga bahçja që në sabah dhe e fuste në shtëpi. Me lulet e egra të zonës së Kërrabës, që fshatarët e asaj zone i shisnin me tufa të vogla. Me degë kumbulle të çelura e manushaqe të egra. Me rrahjen pambarim me lugë druri të sheqerit dhe gjalpit derisa të përftohej masa që duhej për përgatitjen e ballakumeve, Me dërgesat e tepsive në furrën e lagjes, me vështrimet e komentet e komshinjve dhe shikimet kureshtare nëpër tepsitë e njëri tjetrit të sapodala nga furra. Krenari kulinarie, sekrete recetash e mburrje për enët antike prej bakri të trashëguara ndër breza ku përgatiteshin ballakumet.

“Ullini i Qefit”, një zonë periferike në veri të qytetit, e mbjellë me ullinj, ka parë shumë nga ahengu i festimeve familjare për ditë vere. I quajtur me këtë emër edhe për faktin sepse Isuf Myzyri me shokë është mbledhur kaherë te ky ulli ku këndoheshin këngët e Elbasanit. Ulliri, ky simbol i paqes, në kohën e apokalipsit të parë që bota njohu kur Noa u mbyll në një barkë gjatë përmbytjes që Zoti i dha tokës si shenjë zemërimi ndaj pabindjes së njerëzve, iu dha banorëvë të izoluar të barkës me anën e një pëllumbi, që u kthye më në fund me një degë ulliri në sqep, duke lajmëruar kështu gëzimin që kish gjetur tokë, terra, jetë.

Ulliri, edhe simbol i festimeve dhe kohës së kaluar mirë.

Të krishterë e muslimanë në Elbasan kanë festuar për ditë vere duke ndarë të njëjtin gëzim e tradita, duke festuar përtëritjen e jetës nga dimri i gjatë.

Jeta është si një karusel, një herë të ngre lart e një herë të ul poshtë, e ngjanjëherë veç të rrotullon e të sjell sërish nga u nise. E rëndësishme është të mos harrojmë që është qejf të jesh në karusel.

Për shumë vjet Ditën e Verës!

Shënim: Fotoja e Behixhe dhe Adem Jahja është postuar me aprovimin e familjarëve, ndërsa fotoja e karuselit është marrë nga elbasaniad.org.