Vende & Zakone

Turizëm ditor në Savër të Lushnjes - Nga Marelba Fushekati

Nga: Marelba Fushekati

Ja, kjo është shtëpia ku kanë jetuar Shiti me Hajrien e Qazim Mulletit.

Tek një tjetër aty ngjitur kanë jetuar kushërirat e Enver Hoxhës, tre motra, të bijat e Vehip Hoxhës.

Tek kjo tjetra…

Dora e vockël e shoqes sime zgjatet drejt barakave të mbuluara me pupulit. Shtëpi mjerane. Të mbetura shëmtuar. Sikur i kemi hipur makinës së kohës e jemi kthyer vite mbrapa. Film bardhë e zi. Shiu i imët i Shtatorit bie butë, duke zhbërë jeshilen e kallamave që rriten buzë rrugës. Edhe vetë jam veshur errët. Të paktën kam një ombrellë rozë me vete. 

Vjeshtë e 2010-tës. Ish-kampi famëkeq i punës për të internuarit politikë të diktaturës, Savra, gjendet gati 4 kilometra në jug të qytetit të Lushnjes. Lëmë Tiranën. Unë me kuriozitetin për të parë një realitet të panjohur, shoqja ime udhërrëfyese po kthehej aty ku ish lindur. Në kamp. Nga ku doli 18 vjeçare, në kohën kur bashkë me murin e Berlinit, ra edhe Savra e harruar nga Zoti e nga njeriu.

Në Savër kanë lënë kokat vasalët shqiptarë në kohën e osmanllinjve. Konflikti mes Topiajve dhe Balshajve, favorizoi ushtrinë osmane të depërtonte në trojet shqiptare. Gjergj Balsha II mbeti i vrarë në fushën e luftës. Beteja e Savrës shënoi disfatën e ushtrisë së përçare arbërore. Fat i keq. Fshat i nëmur.

Shtëpia me mure kallamash dhe balte kish mbetur po ajo. Trokasim dhe derën na e hap e zonja e re e shtëpisë. Duhet të jetë nga e njëjta zonë dhe e kanë nisur jetēn e tyre të re në shtëpinë e braktisur. Nuk buzëqesh. Të sheh me frikë. Flokët i ka të prerë shkurt, me një pikë në mes nga ku i harlisen kacurrelat. Një kalama me sy bojëqielli dhe flokë bjondë del nga mbrapa kurrizit të mëmës së tij e na dhuron një buzëqeshje të përzierë me dyshim. Mërmërisim ca fjalë që jemi aty si ish banorë të shtëpisë, thjesht për mall. Hyjmë brenda.

Jetë njerëzish e kaluar mes atyre mureve. Dhomat janë të vogla e me mure balte të lyer vende vende me gëlqere. Dyshemeja është po prej balte të rrahur. Në cep të dhomës një djep i hedhur mbi një pirg rrobash. Jeta vazhdon.

Shoqja ime buzëqesh, flet e tregon, thua se ajo jetë ka qenë e dikujt tjetër. Unë nuk e di nëse do buzëqeshja po njësoj. Nuk di si është ashtu, diellore.

Baraka e Shitit dhe Hajrie Mulletit është pak më tutje. Shiti i urtë, që pranoi fatin e lig dhe e kaloi jetën mes baltës së Myzeqesë, nuk kish mbajtur më një ditë, kur pas shumë batutash e ngacmimesh që i bëheshin për komedinë "Prefekti", me të cilën për hir të së vërtetës qeshim edhe sot, plasi marazin dhe iu kujtoi ngacmuecve që komedia ishte vërtet e shkruar për Qazim Mulletin, e jo për brekushet e grisura të plakut të tjetrit. Hajrie Mulleti, e munduar nga skleroza e rëndë, u largua nga jeta 10 vjet para se sistemi politik të ndryshonte. Shiti pati mundësinë të gëzonte fare pak lirinë, për t’iu kthyer edhe një herë Tironës së tij në vitin 1992, ku shtëpia dhe pronat ishin zaptuar.

Kampi ka mbetur po ai, njerëzit kanë ikur. Banorë të rinj kanë ardhur, këtë herë me zgjedhjen e tyre. Shëmtia nuk zhduket vetë. Është e fortë. Më e fortë se kori i bretkosave që këndonin gëzueshëm anash rrugës. Lushnjarët i quajnë zhaba. Që ne i hëngrëm për drekë në kthim, në një lokal fshati në të dalë të Lushnjës.