Vende & Zakone

Dyqani i vogël - Nga Bamir Bebeziqi

Është një dyqan i vogël në Durrës, sapo del nga rrugica e Kuminit e merr drejtimin në krah të majtë, për tek ish-Lavanteria. E kam vizituar shpesh atë dyqan, pasi ime shoqe, sa herë që kalonim, do të më shtynte me krah dhe unë e dija arsyen. Ishim të fejuar në fillim, më pas u martuam, më pas shtatzani, më pas me fëmijë të vegjël edhe deri sa u larguam nga Durrësi, dyqani i vogël sa herë do të kalonim, do të na hapte krahët duke na uruar mirëseardhjen.

Vjet, në vizitën tonë në Durrës, ime shoqe përsëri e gjeti rastin për të më drejtuar tek ai dyqan, megjithëse kishin kaluar plot 19 vjet pa e vizituar.

Dyqani ishte po aty, pa ndryshuar, megjithëse Durrësi kishte bërë goxha ndryshime.

Hymë në dyqan. Pranë banakut, duke lexuar gazetën, qëndronte ulur në një karrige po i njejti person, ashtu si 19 vjet më parë.

Na vështroi me habi, na buzëqeshi, na uroi mirëseardhjen, por kësaj rradhe vetëm me lëvizjen e buzëve. Në fillim nuk po kuptonim gjë.

E pyeta nëse na kujtonte. Me shenja, na tregoi se na kishte harruar. I tregova kush ishim. U emocionua e i ra ballit me pëllëmbë.

Ai burrë zotni kishte bërë një operacion e nuk fliste më, megjithëse vazhdonte të punonte në lokal.

Porositëm, por ai na shpjegoi me shenja, se do të na përgatiste diçka të veçante, për të na respektuar, si klientë të vjetër të një kohe të largët.

…Tani, besoj se durrsakët e marrin me mend se për cilin po bëj fjalë.

Po bëj fjale për zotni Fahredin Bllacën, i cili vazhdonte të mbante atë biznes të vogël prej vitesh, me një pastërti shembullore, pastërti për t’u patur zili, por më e rëndësishmja, me artin e tij të  të përgatiturit të akulloreve e kasatave.

Pas disa minutash, na serviri nga një kasatë siç di t’i bëjë vetëm mjeshtër Fahredini e mbi to vendosi nga një frut të rrumbullakët, të cilin pasi e provuam, nuk po kuptonim se ç’ishte. Mjeshtri na shpjegoi. Ishte nje kokërr e vogël fiku e papjekur që ai e kishte kthyer në një si sferë magjike. Ëmbëlsia dhe butësia e tij, përzihej me kënaqësinë e kasatës. Me atë veçanti, mjeshtër Fahredini na uroi mirëseardhjen.

…..

Kam lexuar diku, se është bërë një anketim, apo më mirë një survejim, ku janë vëzhguar njerëzit nga të gjitha moshat dhe kanë dale me një përfundim, pa fare konkurencë, se malli për të cilën njerëzit paguanin dhe fytyra vetëm ngazëllente, pa pyetur për paratë e harxhuara, ishte akullorja, e nuk kishte rëndësi, nëse ishe fëmijë i vogël, apo një i moshuar njëqindvjeçar.

Më kujtohet Moma, kështu e thërrisja gjyshen nga nëna. Ishte rreth të tetëdhjetave në atë kohë dhe e kishte të humbur plotësisht shikimin.

Po e shoqëroja një ditë vere, për tek autobuzi i Shijakut, që nisej diku tek shkolla, “Maliq Muço”. Moma e dinte se aty përreth ishte një dyqan akulloreje e më lutet që t’i blija një.

Tek ish-Merkata, shkoj tek dyqani i akullores, në atë kohë kohë shërbente një tjetër Bllaca (në mos gabohem Fetah Bllaca) e blej një akullore me kaush për Momën e një për vete.

E kujtoj shumë mirë Momën, e cila filloi të shijonte akulloren me shumë kënaqësi, por kënaqësia për fat të keq i mbeti gjysmake, pasi shpejt erdhi autobuzi. Tani më duhej të ndihmoja Momën të ngjiste shkallët e ajo nuk e lëshonte që nuk e lëshonte akulloren nga dora!

E ula tek vendi pranë shoferit, pasi shoferët ishin mësuar me të e ajo vazhdonte të gëzohej me akulloren e kur shoferi ndezi motorin, më duhej të largohesha. Moma u tremb nga zhurma e motorit, e me vrull, më ngec akulloren e saj në dorë e më thotë me kënaqësi: “Kaq doja!”

Zbrita me të dy akulloret nga autobuzi e nuk dija ç’të bëja me akulloren e saj.

Doja ta hidhja në koshin e plehërave, por më pas u pendova. Tek e fundit, kisha ndarë shpesh akulloren me shokë, por kësaj radhe… kesaj radhe ishte Moma ime.

…..

Dje, duke dëgjuar lajmet, ndër të tjera u përmend që këta muaj të pandemisë e izolimit, ishte rritur shumë shitja e akulloreve të gatëshme nga supermerkatat.

Edhe familja ime nuk bën përjashtim, por çfarëdo akulloreje që të blejë, në çdo lokal, apo në çdo vend, askërkund nuk na shijon akullorja, më shumë se ajo e përgatitur prej mjeshtërve Bllaca.

©Bamir Bebeziqi