Vende & Zakone

Saranda ime - Nga Sulejman Mato

Sulejman Mato

Kam lënë peng zemrën time aty

te një shtëpi e vjetër, e harruar,

rrethuar nga ndërtime te ra, të larta, shumë katëshe

babëzi biznesmenësh.

Saranda ime e peshkarexhave që niseshin herët në agim

Saranda e barba Gaqos, marinarit të vjetër me llullë në buzë.

Saranda e prindërve të mi dhe e fëmijëve sarandiotë

që më dalin shpesh në ëndrra…

Tani aty netëve bie shi yjesh…

Në mesditë, mbi syprinën e detit të smeraldë,

bien miljarda brilante pluskuese lartësish.

Saranda ime

Unë erdha te ty një mesnatë te çuditshme.…

Më prite me melodi vajtuese të buzuqeve greke.

Saranda ime, tani e huaj për mua.

E veshur si një prostitutë 

e përlyer me lloj lloj dritash vezulluese.

Saranda ime

e vjetër, e varfër dhe e braktisur,

kishe lindur përgjatë brigjeve Saranda të tjera.

Në atë mesnatë magjike unë kërkoja shtëpinë e vjetër të prindërve, rrethuar nga ndërtesa të reja, të larta, shumëkatëshe

Nuk e gjeta dot

strehezën e rinisë sime.

Dëgjova vetëm zërin e mekur të nënës

ikur nga kjo jetë 24 vite më parë,

zërin e saj të hollë e paskishte lënë te ty,

mall i braktisur.

Saranda ime

Hënëza ime e vjetër e zhytur në det.

Unë prap të dua, dhe kështu si je

e pikëzuar nga shiu i yjeve

e veshur si nje prositutë me drita shumëngjyrëshe

që zgjaten gjer te brigjet e Korfuzit mik.

Dhe kështu si je

plot zëra të huaj dhe këngë buzuqesh

unë prap të dua.

Nuk të harroj kurrë!

©Sulejman Mato