Vende & Zakone

Aty filloi rrugëtimi ynë - Nga Et’hem Ruka

Fëmijërisë tonë i munguan shumë gjera, e megjithatë ajo ishte e bukur.

Mushkëritë tona u rritën në ajër të pastër e plot oksigjen, sytë tanë u ngopën me gjelbërimin e bimëve e luleve te pafundme të pranverës, trupi ynë u kalit në të ftohtë e në të nxehtë.

Ne nuk pimë ilaçe por u mjekuam me farmacinë e natyrës. Ne nuk kishim dritë elektrike, por kundruam kupën qiellore plotë yje e me hënë. Ne nuk patëm pishina, por u lamë në ujrat e kristalta të lumit të Bënçës, Vjosës e Drinos. Ne nuk hëngrëm çokollata, por fruta të mrekullueshme të rritura vetëm nga kujdesi i natyrës.

Ne nuk e dinim se çfarë ishin parfumet, por nuhatëm aromat e pafundme të bimëve. Ne nuk e njohëm filmin, por dëgjuam përrallat magjike dhe me to ndërtuam skenare e filma në trurin tone. Ne nuk pimë ujë të kloruar, por ujin e kristaltë që buronte nga guri. Ne nuk shkelëm në asfalt, por në tabanin natyral të tokës.

Ne nuk përdorëm makinat elektronike, por mësuam t’i bënim veprimet me mend. Ne nuk luajtëm në kompjuter, por luajtëm në natyre dërrakthi, cingël, doke, kala dibrançe, biz e sa e sa lojra të tjera. Ne nuk luajtëm në instrumenta muzikorë, por e ngopëm shpirtin me simfoninë e këngës labe, me tingujt magjikë të flautit tonë fyellit, cylës dyjare, burive me lëkurën e cëmërdelit, bilbilave dhe pipëzave me kercellin e tërshërës së egër.  

Kur ngjiteshim në Qafa ose Majën e Shkëmbit të Turanit, pamja jonë për botën zmadhohej. Shikonim si dredhonte Vjosa e kaltërt drejt detit, dallonim tre Çukat e Gllavës në kufi me Beratin, kodra që ngjanin si tre gjinj të çuditshëm, dallonim së largu kryemalin e shenjtë të Tomorrit dhe atë të Shën Diellit (Shëndëllisë) dhe hidhnim vështrimin kurioz drejt luginës se mrekullueshme të Drinos.

Përtej këtyre kodrave shtrihej nje botë e panjohur. Fluturonim me imagjinatë si në përralla për tu ulur në majën e Tomorrit, notonim në ujrat e Vjosës për të arritur deri në detin e Vlorës, bëheshim njësh me erën për të mbrritur në Gjirokastrën e gurtë dhe kalëronim mbi krahët e tufave të shpendëve për të fluturuar drejt një bote të panjohur. Ay filloi rrugëtimi ynë…

©Et’hem Ruka