Vende & Zakone

Në Vlorën pa semaforë - Nga Zejadin Dedinca

Zejadin Dedinca - Montréal

Kur vendosa për pushimet e këtij viti, shumë miq këtu më rekomanduan të shkoj diku afër, në Kuba, Republikën Domenikane ose në Meksikë. I dëgjova të gjitha mendimet e tyre dhe në fund ndoqa zemrën edhe pse shkaku i pandemisë ndryshoi të menduarit dhe zgjedhjet në të gjithë botën. Unë zgjodha të pushoj në Shqipëri e si një shqiponjë u ktheva në fole.

Pas qëndrimit një ditor në Prishtinë e mbajta frymën e pelegrinit të përhershëm në qytetin e flamurit.  Nuk e kisha vizituar asnjëherë më parë Vlorën edhe pse shquhem për dellin tim patriotik.

Mes kërkimeve të mia nëpër faqe të ndryshme në rrjetet sociale dhe në Google kisha krijuar një ide se çfarë më priste. Pritshmëritë e mia ishin të larta, mbase më të larta seç duhet, për të qënë i sinqertë.

Për një vizitor që për herë të parë vjen të njohë këtë qytet që pa frikë për nga bukuritë e natyrës meriton të quhet perlë, nuk ka asnjë udhëzues as në hyrje të qytetit dhe as përgjatë tij. Me sa kursim i kishte Vlora tabelat e qarkullimit rrugor. Për ne që jetojmë prej vitesh në perëndim dhe jemi mësuar me rregulla strikte jo vetëm në qarkullim, vështirë se përshtatemi lehtë me sa pak ditë pushojmë. Ndoshta do të bëheshim njësh me vendasit po të qëndronim më gjatë, ashtu siç u bëmë njësh me vendasit e shteteve ku jetojmë.

Qytetit gjarpëron vetëm një rrugë, e ndarë në bulevarde dhe shëtitore që në hyrje të Lungomares së shumëpërfolur degëzohet në dy drejtime të tjera. Investimet e bëra në çdo prag zgjedhjesh i kanë dhënë një pamje ndryshe, por një kaos i vërtetë mbizotëron çdo ditë në atë qytet, ku më shumë se gjithçka mungon orientimi turistik.

Një sfidë e vërtetë është të jesh një shofer i Europës edhe të të bjerë rruga aty pari.  Kush të hyjë më parë në korsi, cili të mundet të parakalojë në çdo vend, kush të kalojë edhe mbi ndarëset gjatë Lungomares. Më së miri këtu funksionon ligji i “xhunglës”, ku më i forti arrin të dalë në krye.

Të gjithë ishin me nxitim për diku…, të gjithë kishin për qëllim të shmangnin trafikun edhe bënin trafik, të gjithë mendonin se ishin në një pistë garash dhe manovrat e formula 1 mund të bëhen edhe në qytet. Befas aty kupton se ke humbur komplet lidhjen me karakteristikat që mes nesh i dimë që i kemi, nervozohesh aty pari por ke vetëm një zgjidhje…të përshtatesh.

Është e kotë të kërkosh semaforë nëpër kryqëzime apo gjetkë. Dy të tillë gjithnjë të ndalur te e kuqja i gjen si dekor në rrugën Justin Godard, lagja e rindërtuar së fundmi si pjesë e historisë, aty ku kalojnë vetëm këmbësorë. Në ironi të mungesës së semaforëve shikon sidomos në oraret e pikut të trafikut apo gjatë fundjavave policë që kryejnë funksionin e tyre.

Paradokse shqiptarësh fatkeqësisht. Mbase po të kisha qëndruar më gjatë do të më dilnin edhe plagë të tjera brenda perlës që shohim ne nga jashtë. Nuk i shmang dot ca kritika konstruktive. Sado të duash të nxjerrësh më të mirën, nuk mbulohet dielli me shoshë themi ne shqiptarët.

©Zejadin Dedinca