Vende & Zakone

Një “dolli” ndryshe… - Nga Vangjush Saro

(Përtej ciklit “Rrëfime nga koha tjetër”)

‘Lufta’ mes psikopatëve të politikës shqiptare, ngarendja e mediave dhe njerëzisë pas tyre, më kujton… më kujton…

Dale, se do ta marr shtruar. Sofra ish ndër gjërat e rëndësishme dikur; sidomos në fshat. Njerëzit mësonin nga njëri-tjetri sjelljen dhe miqësinë, informoheshin ç’bëhej përreth, diskutonin për familjen, motin. Sofra dhe rendi i saj - domethënë kush fliste më parë e kush më pas, kush bënte dolli dhe qysh - ishte institucion i rëndësishëm për kohën. Kjo traditë, dikur u bë e lodhshme; fshatarët prisnin e përcillnin lloj-lloj zyrtarësh. Dollia u vesh me ideologji: ‘E para’ për Partinë... Një pjesë, e bënin me dëshirë dhe krejt natyrshëm; kishte që luanin pak teatër, për t’u dukur sa më të afërt me pushtetin. Nuk ka asgjë për të gjykuar, sidomos kur ish pa ‘zarar’ për të tjerët. Jeta diktonte.

Mbrëmjet i kalonim te mensa (Vidhan) duke kthyer ndonjë gotë e duke bërë muhabet; ose te Salla e Kulturës, ku kish një televizor. Shpesh mblidheshim te dhomat ku flinim, në një shtëpi që ata e quanin “Pallati i Dimrit” dhe me siguri i qe sekuestruar ndonjë beu apo eksponenti të ‘reaksionit’, siç kish ndodhur në Ermenj me shtëpinë e Abaz Ermenjit. Në këtë shoqëri, ishin: Petro Dollani (agronom), Shaban Toromani (ndihmësmjek), Livan Hoxha (zooteknik), Agim Marishta (veteriner) dhe Daut Ceni (shofer). Në ‘rreth’ me ne, ish ndonjëherë i paharruari Kujtim Hazizi, por dhe Bajram Jonuzi, Shefqet Koçia, Sali Jonuzi e Izet Hoxha; (të gjithë djem fshati, mjaft të ftilluar për kohën dhe elegantë në gjithçka). Anipse përqark, si dhe tani, si dhe këto ditë, bëhej politik’ e madhe, këtu ne i çonim gotat për njëri-tjetrin dhe për familjen. Duke pasur parasysh kushtet e vështira, ajo shoqëri ishte e bekuar; na lehtësoi vetminë, drojen se po na përgjonin, mungesën e vazhdueshme të dritave, misërniken, rrugën e mundimshme poshtë e lart për Gramsh e anasjelltas, nja 3 orë e ca më këmbë. (Ndonjë makinë a zetor më të rrallë dukej andej pari…)

Një mbrëmje, na u shtua në shoqëri Kajo Miraka, nga Kushova, shofer, që sapo kish zëvëndësuar Dautin. Kajo ishte një djalë i gjatë, simpatik, gazmor, i sinqertë. Teksa pihej, në një moment, ai ngriti gotën dhe tha: “Çuna, m’atë vend e kemi!…” Ata ‘dobiçët’ e dinin ose e morën me mend dhe qeshën. (Duhej të kishte qenë ndonjë histori e vjetër.) Çfarë ‘kishim m’atë vend’? Dhe pas pak, prapë: “M’atë vend!” Dikush më shpjegoi se fjala (dollia?!) ishte për... një tabu, domethënë për femrën, për organin intim të saj; (shumica i kishin gratë a të dashurat larg). Kështu shkoi biseda e ‘dollia’ atë natë; me një fjalë, mos na çani kokën me parti e patriotizëm… Ishte aq e pranueshme, larg çdolloj mediokriteti e politizimi fals. “M’atë vend!” thoshte ai njeri i thjeshtë e dinjitoz që në ato kohë, duke përqeshur patetizmin dhe emfazën, 'sëmundje' që ende s’na ndahen…

Fotoja: Në një nga 'festat' e njerëzve të thjeshtë, pa parti, diku ne Vankuver...