Vende & Zakone

Rikthim shpirtëror në Lajthizë të Oroshit - Nga Ndue Dedaj

Ndue Dedaj

Është mëngjesi i së dielës së 18 Tetorit. Bashkë me Ipeshkvin e dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Metën jemi nisur drejt Lajthizës së Oroshit, fshatit më skajor verilindor të Mirditës, përkufi me Arrnin e Kukësit dhe Pregjë-Lurën e Dibrës. Është një ditë e veçantë sot atje, pasi do të bekohet lteri i ri, thënë ndryshe, kapela e varrezave. Një rikthim në tempullin e besimit. Mesha e fundit, kujton i moshuari, Kol Skana, është dhënë 54 vite më parë, në vitin 1966, nga famullitari i Fanit, Dom Nikollë Luli. Pastaj hyri 67-a, me fjalimin e bujshëm të 6 Shkurtit të Enver Hoxhës dhe besimi u ndal me urdhër të Partisë.

Pasi kemi përshkuar, për më se një orë, me fuoristradë leqet e Oroshit, nga bregu i Fanit të Vogël deri në lartësitë e Malit të Shejtë, mbërrijmë në Lajthizën e mbuluar me një mjegull “mistike”. Suka e vogël ndër varre, para lterit, është plot me njerëz, burra dhe gra, këto të fundit me veshjen tradicionale të zonës, disa dhe “allafranga”, do të thoshte ndonjë reporter i shumë moteve më parë, si dhe fëmijë, që kanë ardhur nga rrethinat e Tiranës e Durrësit, Lezha, Laçi, Rrësheni etj. Kjo tashmë është e pazakonta e këtij fshati, shpërngulur thuajse i gjithi pas 90-s, ndër të parët. Kështu ndodh sot në fshatra të braktisur si Lajthiza, ku ajo që dikur ishte përditshmëria, tashmë është një ditë në vit... si kjo e sotmja, ku njerëzit mblidhën më shumë për një përshpirtje për të ikurit e tyre sesa për të ndërtuar diçka të re aty. Nga më shumë se 50 shtëpi, tash vetëm dy shtëpi qesin tym... Jo se të gjithë janë të kënaqur me atje ku kanë shkuar. “Kemi lënë këto farë bjeshkësh e jemi t’u pi ujë bllaxhash, në “Kënetë”, Bathore e ku ta di unë, ujë me bot, ma!”, thotë njëri prej tyre.

Shkolla ka mbetur gërmadhë, si të jetë diçka prehistorike, ashtu si dhe në fshatra të tjerë oroshianë, Ndërshenë, Bulshar etj. Jemi bashkë me mësues Frrokun, që ka qenë këtu drejtor shkolle, i cili rrëfen jo pa dhimbje të djeshmen. Sa shpejt ia behu historia në këto vende! Ka aq shumë nostalgji në fjalët dhe bisedat e tyre sot. Frrok Gjon Margjini thotë se tash shokët i kam si miq, shihemi rrallë e përmall me ta. Ka pasur status të ndryshëm për shoqin e mikun, sipas zakonit, shoqi ishte “kripa” e miku ishte “mjalti”, çka nuk do të thotë se ky i fundit ishte më i “ëmbël”, pasi për kripën njeriu kishte nevojë për ditë. Dhe për një të papritur, dhe për një gacë zjarri do të trokisje te komshiu...

Ndaj, pas meshës dhe ceremonisë së inagurimit të kapelës, Frrok Margjini i ka ftuar të gjithë bashkëfshatarët e tij për drekë në shtëpinë e tij bujare. Jo më pak se 100 veta. Ajo që për dikë që nuk e njeh nga afër realitetin e pabjerrë të mikpritjes ndër male, mund të duket një “aventurë” - të presësh në kohën e sotme kaq shumë njerëz për drekë, sa në një dasmë, - për këtë familje fisnike është diçka e zakonshme. Aspak një barrë por detyrë. Bujaria s’ka cak, as masë. Mikpritja përcillet nga ati te biri. Gjergji, djali i Frrokut, punon emigrant në Milano prej vitesh dhe s’rresht së ndihmuari në vendlindje. Ai ka qenë dhe kontribuesi për kapelën e kishës së inaguruar sot. Aty në votrën e tij, e urojmë me gjithë zemër për atë që bën pareshtur për njerëzit dhe nderimin e të parëve.

Është kënaqësi të jeshë në një “sofër” me lajthizakët, këta oroshas të përkorë e të vëmendshëm ndaj mikut e shoqi-shoqit, të dëgjosh bisedat e tyre të mençura, me humor e batuta të këndshme, ku politika rutinë e ditës duket aq e “largët” e mjerane për ta. Të kishte qenë ajo e duhura, thonë ata, njerëzit nuk do të kishin ikur i madh e i vogël, pasi do të ishte bërë rruga e makinës në standarde dhe do të ishin shftrytëzuar pasuritë natyrore të zonës e jo grabitur pyjet dhe lumenjtë për të përfituar njerëzit me pushtet. Dita e sotme i ka nxitur për t’u mbledhur dhe herë të tjera për festa e disa, mbase, dhe për rikthim përmes ndonjë veprimtarie private. “Do të mblidhemi sërish me 24 Qershor”, thotë kryeplaku. Kjo datë është dita e Shën Llezhdrit, pajtorit të Oroshit. “Mos harroni të merrni me vete dhe nipat e mbesat”, iu thotë atyre Ipeshkëvi, që ta njohin dhe ata vendin e të parëve të tyre”.

Dreka është e shijshme dhe e bollshme, me gjithçka bio, me “korit” dhe resortet më te mira turistike mirditore, me raki thane shtatëvjeçare, mish të freskët keci rritur në bjeshkë, djath dhie, laknurë me peta të pjekur ne saç e gjithçka tjetër. Nuk do ta kishim përmendur menunë e asaj dreke familjare “princërore”, pasi nuk është në etikën e malësorëve të thuash se çfarë ke ngrenë e pirë aty ku ke qenë, po të mos donim t’iu flisnim të tjerëve, atyre që merren me turizmin malor, se çfarë mundësish ofron jo vetëm natyra, por dhe kuzhina e këtyre anëve, ndonjëherë e paragjykuar me pa të drejtë për pak llojshmëri ushqimesh.

Nuk është hera parë që vijmë në Lajthizë. Tridhjetë e dy vite më parë kemi qendruar këtu një javë me një grup pune të Komitetit Ekzekutiv të rrethit, për të vëzhguar mënyrën e jetesës së këtyre banorëve. Së bashku me inxhinierin e pyjeve Vlash Legisi kemi shkuar shtëpi më shtëpi, duke mbajtur shënim problematikat e ndryshme social-kulturore dhe ekonomike të këtij areali interesant. Inxhinieri ishte si i shtëpisë, pasi shumë nga banorët asokohe punonin në shërbimin pyjor dhe ai i njihte emër për emër. Kurse në vitin 1998 kemi ardhur në Lajthizë për promovimin e monografisë “Monsinjor Zef Skana”, bir i këtij vendi, një nga priftërinjtë më në zë të Mirditës në gjysmën e parë të shekullit XX, që ka shërbyer në disa famulli, si Fan e Kaçinar.

Kujtesa historike e Lajthizës është më të vërtetë e spikatur. Lajthizakët kanë dëshmuar aktin më të lartë të sakrifikimit për mikun, unik në gjithë botën shqiptare. Shtatë burra Lajthize nuk e lëshuan Dedë Gjo Lulin, në vitin 1915, kur ai u rrethua nga forcat pushtuese serbe, por u vranë bashkë me të, duke shkruar një kapitull të pazakontë heroizmi dhe qendrese atdhetare e morale. Trupin e Dedës armiqtë e hodhën në Shpellën e Akullit për të mos u gjetur, por oroshasit nuk e lanë atë shpellë të kthehej në varr të heroit, por e morën dhe e varrosen me nderime te Abacia e Oroshit, për t’u mbartur disa vite më pas për në Shkodër.

Kështu u mbyll e diela e kaluar në Orosh. Rrugës, në kthim, nuk mund të mos qendronim në Fushat e Lugjeve për të bërë fotografi dhe kundruar peizazhin që, ashtu i zhveshur e cunguar, duket si në legjenda të panjohura. Imzot Meta na prin për kah Maja e Shëlbuemit, që është dhe “maja” e tempullit të Malit të Shenjtë, ndërsa Bardhok Pulaj na tregon se përtej atyre maleve, në lindje, është Mulli i Selitës, drejt të cilit shkohet si përmes shtigjeve të vjetra, ashtu dhe përmes shtigjeve të reja të markuara vitet e fundit, që turistët të lëvizin pa e humbur rrugën.

Alfredi vazhdon të bëjë fotografi, e tërheq sidomos liqeni në mes të Fushave të Lugjeve, ndër të paktat ujëra ku shuajnë etjen bagëtitë e shtegtuara për këtu. Por dhe gropat e shumta karstike, pllajave të pafundme, që i japin relievit kullosor një pamje tejet të veçantë, e që megjithatë nuk quhet “mali me gropa”. Themi diçka mes nesh për emrin e kësaj fushnaje të çuditshme, pa qenë të sigurtë nëse bëhet fjalë për “lugjet” e natyrës, apo për lugjet e drunjta që fshatarët vinin gjithandej për të pirë ujë bagëtia. Prej bimësisë së verdhur të vjeshtës e jo prej kreshnikëve, këto lugje ngjajnë sadopak me Lugjet e Verdha. Por tash ky vend nuk ka më gjuhë, nuk ka se kush të rrëfejë për atë që ai ka qenë moteve, as për zanat e dragojtë, as për kuvendin benediktin dhe ultinjtë e moçëm...

Kemi lënë pas Lajthizën dhe, në malet përballë, Pregjë-Lurën, Armallën, Gur-Reçin e Ndërshenën e Reçit, teksa dhe në Orosh është një fshat me emrin Ndërshenë. Me siguri që gjurmuesit dhe studiuesit e toponimisë do të gjenin të përbashkëtat dhe të veçantat e këtyre emërvendeve, sa i kemi ende në jetë të moshuarit...

©Ndue Dedaj