Vende & Zakone

Dy anglezë në Ballsh dhe një meditim nga Kanadaja mbi tranzicionin shqiptar - Andrea Bënja

Andrea Bënja - Toronto

“S’kisha menduar të shkruaja për Ballshin, e solli rastësia”. 

Prolog

Udhëtimi me autobuzin e linjës së Ballshit zgjati disa orë. Dy pensionistë anglezë nga Leicester, kishin dërguar një letër, ku shpreheshin se dëshironin të vinin në Shqipëri dhe kerkonin t’i shoqëroja në udhëtimin e tyre. Fillimisht duhet të gjeja një emër fshati në thellësi të Ballshit ku anglezët do të shkonin të shpërndanin ndihmat e shoqatës së tyre të pensionistëve të disa fshatrave të Leicesterit. Nuk e dija përse kishin zgjedhur Ballshin apo emrin tim, por mesa kuptova isha rekomanduar nga një grup hollandezësh që i kisha shoqëruar më parë, si një nga përkthyesit e grupit.

Ndihesha i përzgjedhur, por kërkesa e tyre që fillimisht të mbuloja shpenzimet e mia, nuk më ngrohte shumë. Zonën e Ballshit nuk e njihja fare. Kisha lexuar diçka për qytetërimin e lashtë të Bylisit. Kisha kaluar disa herë në atë rrugë për të shkuar më në Jug. Një herë kishim kaluar edhe me Volkswagenin e Tanit, duke shkuar për pushime në Sarandë. Atëhere automjeti na ishte prishur gjatë rrugës duke na detyruar ta shtynim disa herë në ato të përpjeta kodrinore, të rrethuara nga puset e naftës. Për Ballshin kisha dëgjuar diçka edhe nga Mehmeti, një nga fqinjët, i cili ishte nga Hekali.

Gjatë udhëtimit mendoja se kush mund të kishte qënë rekomanduesi nga grupi i mëparshëm. Ndoshta Alen, anglezi i vetëm midis hollandezëve. Posa isha njohur me të, e kisha pyetur nëse origjina e tij ishte irlandeze dhe ai çuditërisht ishte përgjigjur pozitivisht, duke shkaktuar habinë e të gjithë grupit që ai drejtonte. Grupi ishte i madh, kishim qëndruar tek hotel “Adriatiku”, krenaria e sistemit të dikurshëm. Sa herë kishim dashur dikur të hynim në atë hotel “të ndaluar”, buzë atij plazhi të ngrohtë, të dashur e gjithë kujtime rinore! Një ëndërr, dikur e ndaluar, tani ishte bërë lehtësisht vendi i akomodimit tonë.

Në një nga dhomat pranë, dëgjoheshin britmat eksituese dhe monotone të një vendaseje që ishte sistemuar me një italian. Hotel “Kruja” nuk njihej më, ishte kthyer në një lloj konvikti gjysëm të shkatërruar. Në atë hotel kishim kaluar natën e parë të Vitit të Ri pas hapjes së Shqipërisë. Sa të lumtur ishim e sa shpresa kishim patur në atë kohë, llogarisnim vitet që do t’i duheshin Shqipërisë që t’i afrohej botës së zhvilluar. Nuk e di përse me shokët mendonim se ndoshta do të duheshin 7 apo 17 vjet. Salla e restorantit ishte mbushur me 2-3 fishin e kapacitetit, e megjithatë asnjë incident nuk pati ndodhur atë natë. Kishim shkuar bashkë me komshinjtë, Fredin dhe Elën. Ishte koha e ndryshimeve. Në mëngjesin e ditës së parë të Vitit të Ri dukej sikur edhe moti i butë e gjithë diell merrte pjesë në gëzimin e njerëzve që këndonin së bashku këngën hymn të Toto Cotugnos “Insieme”, thua se ajo këngë do ta shpinte Shqipërinë e dërmuar shpejt e shpejt drejt Europës…

Ato ditë më kishte bërë përshtypje takimi me një të ri kinez, ardhur nga Shanghai. Entuziast për ndryshimet pas Murit të Berlinit, shprehej se Shqipëria do të rregullohej shpejt, pasi si një biçikletë e vogël që ishte, do t’i merte kthesat lehtësisht. Ndërsa Kina, shprehej ai, si një tren i gjatë që ishte, nëse merrte kthesa të shpejta mund të shkaktonte tërmet në mbarë botën! Në të vërtetë Kina nuk kishte pritur të binte muri Lindje-Perëndim. Ajo ishte përgatitur për atë ditë që në fundin e viteve 70’ me ndryshimet dhe futurizmat e të djathtëve u En Lai e Ten Hsiao Pin, kur ndërkohë Shqipëria, ajo biçikleta e vogël, mbeti për një kohë të gjatë në kryqëzim.

***

Mbrritja në Ballsh mi ndërpreu kujtimet. Stacionin e parë e bëra tek kryetari i bashkisë, përfaqësues i partisë “gri”. I paraqita me hollësi arsyen përse kisha ardhur në Ballsh dhe shqetësimin që kisha për ruajtjen e dy anglezëve. Ia spjegova se kjo ishte arsyeja e vetme që nuk dëshëroja ti dërgoja në thellësi të Ballshit. Përgjigja e tij ishte se duhet të zgjidhja një nga fshatrat që propozonte ai, tutje në thellësi dhe qëllimi i vetëm mesa kuptova ishte interesi i tij elektoral.

I pakënaqur pas takimit, ndalova tek shefi i Policisë së Ballshit, një ish i internuar pa shtëpi, që pas internimit banonte në një nga shtëpitë e pushimit në Vlorë, nga ku kishte ardhur. Të bënte përshtypje kultura e thellë dhe mungesa e hakmarrjes në sytë e tij pas një jete të shkatërruar plotësisht. Përsërita ashtu si edhe në takimin e parë qëllimin e vizitës të anglezëve, shqetësimin tim dhe çuditërisht gjeta një reagim krejt të ndryshëm. Nuk përmendi emra fshatrash, pëlqeu mendimin tim për ndonjë fshat diku pranë dhe ofroi ndihmën e plotë për ruajtjen e të huajve. Ofroi një oficer policie që të ishte në dispozicionin tonë gjatë tërë kohës. 

Pas shefit u ngjita lart në fshat dhe fola me kryeplakun e fshatit, i cili mjaft i ri për pozicionin që mbante, më ofroi shtëpinë e tij për të akomoduar mbrëmjeve miqtë anglezë. Nuk kisha ku të gjeja më mirë. Një shtëpi e njohur pranë qytetit, që dukej sikur ishte thellë në malësi.

Më pas u nisa për në Vlorë që të prisja tragetin i cili do të sillte anglezët. Prita gjatë e i vetëm në një mot të keq dhe në ambiente shqetësuese. Trageti mbrriti me lajme jo te mira. Len (Leonard) e Rob (Robinson), dy anglezët kishin ardhur me një kamionçinë të rentuar “Budget” ku kishin ndihmat, por nuk kishin udhëtuar me tragetin e paguar pasi ky i fundit kishte anulluar udhëtimin prej kohës së keqe, kështu që ishin detyruar të prisnin bileta të tjera për një traget tjetër që do të lundronte në atë mot të keq. Biletaria nuk iu kishte pranuar pagesën me kartë krediti, kështu që kishin paguar kesh, duke harxhuar shumicën e parave që kishin patur. Me kërkuan t’iu huazoja disa para për të prerë biletat e kthimit. Iu dhashë ç’kisha në xhep duke ruajtur vetëm ato që më nevojiteshin për rrugën e kthimit në Tiranë, në fund të aktivitetit. Në Bari iu kishte ndodhur edhe një incident tjetër. Iu kishin thyer xhamin e kamionçinës dhe u kishin marrë kamerën që iu duhej për regjistrimet që dëshëronin të bënin gjatë aktivitetit.

Len e Rob ishin mjaft të njerëzishëm dhe sëbashku u miqësuam shpejt. Rruga për në Ballsh kaloi pa probleme. Kur mbrritëm, lajmëruam shefin e Policisë dhe që nga ai moment oficeri i policise u vu në dispozicion tonë deri në përfundim të operacionit të ndihmave. Detyruar prej datës së kthimit të tragetit që do të kthente anglezët në Itali, plani ynë i qëndrimit në Ballsh u shkurtua. U ngjitëm lart në fshat, ku në njerën nga ndërtesat shpërndamë ndihmat. Kishte shumë ushqime, veshje e artikuj të ndryshëm që ishin vërtet cilësorë. Len e Rob punuan sëbashku me mua dhe oficerin e policisë për përgatitjen e thasëve dhe shpërndarja kaloi pa probleme. Vihej re ndërkohë që ishin afruar disa “shefa” të veshur civilë të cilët mundoheshin të ndërhynin në proçesin tonë. Midis tyre dallohej një shef agresiv “i antikrimit”. Len e Rob qëndruan shumë të prerë ndaj tyre duke më mbështetur plotësisht. Mbrëmja na bashkoi tek shtëpia e kryeplakut ku do të flinin anglezët, por shefat nuk u ndanë përsëri. Hëngrën e pinë sikur të ishin në një dasëm dhe në fund zbrazën pistoletat e tyre, duke e cilësuar veprimin si një traditë shqiptare. Sigurisht u trondita shumë, përpiqesha të kuptoja çfarë mendonin Len e Rob në ato momente.

Më në fund festa kishte mbaruar. Anglezët fjetën në shtëpinë e fshatarit, provuan ushqimin e fshatit, tualetin me gropë dhe në mëngjes u dukën të çlodhur. Aty fjetëm edhe unë e oficeri i policisë. Duke mos patur mënyrë tjetër shpërblimi për kryeplakun që shpenzoi shumë në darkë, dyfishuam ndihmën për familjen e tij. “Shefat” dukej sikur nuk e kishin bërë gjumin mirë. Kërkuan të mernin në dorë komandën e shpërndarjes së ndihmave duke u shprehur se ishte partia e tyre ajo që i kishte sjellë ndihmat. Nuk i dëgjuam por vazhduam punën e nisur siç ishte planifikuar. Në fillim ndihma në një shkolle, më pas në një jetimore, por në fund bezdisja e “shefave” na detyroi që të ndryshonim planin për në destinacionin e fundit të Ballshit. Ndihmat e mbetura i dërguam në jetimoren e Vlorës. Falënderuam shefin e Policisë për mikpritjen dhe shërbimin profesional të oficerit shoqërues dhe u ankuam për “shefat” dhe sjelljen e tyre. Udhëtimi në kthim kaloi si midis miqsh. Len e Rob ishin mjaft të kënaqur nga ndihma e afruar.

Kur u larguan nga Shqipëria, dërguan paratë e huazuara dhe më ftuan të shkoja me gjithë familjen time për vizitë tek ta, në Leicester. E përsëritën disa herë këtë kërkesë, duke na ofruar një shëtitje nëpër Angli me “trailerin” e tyre. Më dërguan edhe një kopje të raportit të udhëtimit që kishin përgatitur për shoqatën e tyre të pensionistëve, ku diku në atë raport e krahasonin veten me Neil Armstrong, sikur të kishin realizuar zbritjen e parë në hënë. Sigurisht që nuk u ndjeva mirë.

Vite më vonë mu dha mundësia të takoja miqtë anglezë. Kjo ndodhi kur isha në Angli në një program, dërguar nga vendi ku punoja në Shqipëri. Lëvizëm në disa qytete në atë kohë, na shoqëroi edhe një kushërirë e bukur e Dionisit, shokut të zyrës. Epo kur kthehemi në institucion ma kthente ai, për kafe na shoqëron kushërira jonë e bukur. E në një nga ato ditë kur pinim kafen, ndaloi edhe titullari “fisnik” i institucionit tonë, i cili duke parë mjekrrat e mustaqet që mbanim ne në atë kohë, preku mjekrën e tij duke na thënë me cinizëm se edhe ai do të rriste diçka.     

Pasi kishim lëvizur mjaft në Londër, Liverpul, Bristol, qëndruam në Birmingham, nga ku iu bëra një telefonatë miqve të mij Len e Rob, të cilët banonin në një distancë prej disa orësh. Më pyetën për programin që kisha dhe të nesërmen sapo kisha mbaruar programin, më pritën tek ndërtesa ku isha. Iu thashë që s’isha vetëm, se kisha edhe Dionisin. Përgjigja e tyre ishte se shoku im ishte dhe miku i tyre. Shkuam në pub-in e fshatit të tyre në Leicester ku na shpjeguan se Anglia nuk quhet e vizituar pa shkuar në një pub fshati. Të mirëpritur nga njerëzit aty dhe nga pronari që s’dinte si të na kenaqte, kaluam disa orë të këndshme. Më pas shkuam në shtëpinë e Lenit, takuam familjen, pamë edhe “trailerin” që e kishte planifikuar për shëtitjen nëpër Angli. Nuk vumë gjumë në sy atë natë. Ishte një natë e papërsëritshme. Korespondenca vazhdoi gjatë me ta, deri në vitet e fundit kur levizën në një shtëpi më të vogël. Sot nuk dëgjohen më, ndoshta janë “larguar” edhe nga shtëpia e fundit.

Ballshin do ta vizitoja përsëri pas gjashtë vjetësh. Viti 97 ishte i çuditshem. Miku im, Tarasi, më pyeti nëse dëshiroja të shoqëroja një gazetar hollandez ditët e përmbysjes së firmave piramidale. Pranova. Kishte filluar kryengritja e Jugut. Shkuam deri në Fier, por rruga më tej ishte e bllokuar. Flitej për shkatërrimin e urës së Mifolit. Marrëveshja me gazetarin ishte bërë që në një rast të tillë do të ktheheshim në Tiranë, por ai duke parë se gjithë të huajt e tjerë shkonin nga ana tjetër, nga Ballshi, e ndryshoi planin. Shoferi i taksisë kundërshtoi, por në të tilla raste zgjidhja siç duket gjëndet shpejt kundrejt një pagese.

Kishim kaluar Ballshin kur patrulla e fundit e Policisë na njoftoi se më tej ishim të pambrojtur. Zoti ju ndihmoftë, na tha oficeri i policisë. Vazhduam kthesat gjarpëruese anës atyre kodrave ku dikur kishim shtyrë Volksvagenin e Tanit dhe papritur në njërën nga kthesat, në një distancë rreth një kilometër dalluam kryengritësit, djem të rinj me lëkura të zeza, që shkrepnin në ajër armë të shkurtra automatike. Përse ju duhej uniforma, për t’i ruajtur apo për të shërbyer si shënjestër? Ndërkohë plumbi kapte njerëz të thjeshtë e të pafajshëm edhe nëpër ballkone. Përgjigja mund të vonohet, por vjen një ditë dhe del e vërteta. Tek “Pushtimi” Ilir Ikonomi mbas 70 vjetësh paraqet me vertetësi çfarë ndodhi në kohën e pushtimit fashist në Shqipëri, duke përdorur dokumenta të arshivës së Washingtonit, kryesisht të ambasadorit amerikan të asaj kohe në vendin tonë Hugh Grant. Besoj do të flitet në të ardhmen edhe për vitin 97, për periudhën e rëndë të asaj Shqipërie të zbërthyer, që u çbë, për shkatërrimin, ndotjen, humbjen e besimit dhe prishjen e jetës, apo për emigrimin masiv të njerëzve e intelektualëve.

 

Të veshurit me lëkurë prisnin pemët anës rrugës për të bllokuar kalimin. Autokolona jonë përbëhej prej më shumë se dhjetë makinash me gazetarë të huaj. Midis të gjithë përkthyesve dallohej ai i një grupi italian, i cili nuk linte gjë pa sharë kundër qeverisë e partisë në pushtet. Kur mbrritëm tek pemët e prera, njëri nga lëkurat e zeza na u drejtua ne përkthyesve shqiptarë duke na thënë se mund të lejoheshim të kalonim vetëm në rast se nuk ishim agjentë të SHIK-ut, në të kundërt do të pësonim fatin e dy përkthyesve të një dite më parë, të cilët ishin ekzekutuar. Duke e ditur se akoma punoja në një punë shtetërore, gazetari më kërkoi të mos e shoqëroja. Ato momente mendoja çuditërisht se ku mund të ishin vallë “shefat” që nuk u ndanë ato ditë ndihmash atje lart në fshatin e Ballshit. Kjo ishte një arsye më shumë që të mos e kaloja kufirin e kryengritsave. I vetmi përkthyes që i shoqëroi gjithë të huajt sëbashku, ishte ai i grupit të gazetarëve italianë.  Gjatë dy-tre orëve që pritëm në kufirin kryengritës, mësuam se atë natë do të sulmohej Divizioni “X” i tankeve. Po të ishe paksa i kujdesshëm mund të dalloje penetrimin e personave të dyshimtë që kalonin nga të dy anët e kufirit të kryengritjes. Gazetari hollandez u kthye i kënaqur. Gjithshka duhet të kishte shkuar mirë dhe kishte siguruar materialin që do t’ua niste shpejt 14 gazetave të ndryshme, për të cilat ai punonte.

Të nesërmen e kaluam në Tiranë, tek VEFA, si dhe në pjesë të ndryshme të qytetit, por u ndjeva bosh në momentin kur u largua gazetari. Mjaft më i thashë vetes dhe shkova drejt e në Ambasadën Amerikane për të kërkuar viza udhëtimi për familjen. Kur mbrrita atje, punonjësi i saj e mbylli derën duke na thënë të ktheheshim vetëm mbas lufte për viza. Me nxitim u drejtova për tek Ambasada Franceze për viza Shengen dhe munda ti merrja për të gjithë familjen, por ishte vonë, kufiri ishte mbyllur. Rastësisht atë ditë dëgjova tek lajmet, se nga persona të paidentifikuar ishte rrëmbyer shefi i Policisë së Ballshit. Siç duket i internuari i përjetshëm, do të mbetej përsëri i tillë. Njerëz të pafat që si pasojë e një kohe të gjatë persekucioni, nuk gjenin pozicionimin e tyre të duhur politik në zhvillimet e vendit, duke zgjedhur bashkëpunimin me pjesë të sistemit. Vetëm në ato fillime ndodhi ndryshe, kur njerëz të angazhuar në politikë, demokratë, njerëz nga sistemi i kaluar, sëbashku me përfaqësues të shtresës së të përndjekurve politikë, në kushte e rrethana të çuditshme hypën në majat e pushtetit politik në Shqipëri.

Me hapjen e kufijve mbas 97’, nuk e zgjatëm më, lamë gjithshka, emigruam në Kanada dhe u bëmë qytetarë të saj, larg atdheut dhe të të parëve tanë. Në këtë vënd të ri gjetëm një pjesë të mirë të xhiros së dikurshme të Tiranës dhe përjetuam disi “Mall Bulevardin” e Pandi Laços. Në përvjetoret e festave këtu, takon njerëz të njohur e intelektualë shqiptarë që u larguan nga atdheu në atë periudhë të vështirë që kalonte vëndi. Ndodh që në rrugët e Torontos takon rastësisht miq të vjetër mbas një kohe të gjatë.

Në rrugën e Ballshit kalova edhe një herë tjetër. Pas pesë vjetësh emigrimi u ktheva për herë të parë me pushime në Shqipëri. Gjëndja dukej sikur ishte përmirësuar. Air-Transat, një linjë ajrore në rritje, për efekte reklame ofronte çmime mjaft interesante e të lira udhëtimi për në Greqi. Një rrugë e dy punë thamë, vizituam disa miq në Athinë dhe kaluam me autobuz për në Shqipëri. Kur po kalonim Ballshin, përsëri në atë rrugë, dikush nga rruga zgjati dorën dhe meqënëse shoferi kishte vënde bosh e ndaloi autobuzin. Personi që hypi erdhi e u ul pranë meje. Më dukej si fytyrë e parë. Me siguri e kam nga malli mendova. Ai foli diçka për motin e natyrën e bukur, për jetën e përmirësuar, për objektet gjatë rrugës. Kam qënë në këto vënde dikur i thashë i emocionuar, kam qënë atje lart në atë fshat me dy pleq të mirë anglezë. Fytyra e të panjohurit menjëherë u ndryshua, u ashpërsua. Çfarë ke dashur me të huajt në këto anë, mu kthye me egërsi? Mënyra se si foli më kujtoi se ishte përsëri “shefi”, të cilin koha nuk e kishte ndryshuar, ndoshta dhe profesionin e tij. Qeveritë e partitë ndryshonin ngjyrat, por jo shefi, ai mbetej përsëri aty si më parë, në Ballshin e mbetur në tranzicion. Sa të rinj mbarojnë studimet në universitete të mira të botës, sa shkruajnë e vazhdojnë të ndihmojnë vëndin, sa të talentuar të tjerë janë të papunë, e presin për të filluar diku. Por individët si ai, nuk largohen dhe bëhen hallkë penguese. “Ndalo bisedën” sikur më thonte vështrimi i gruas, “ti ke ardhur me pushime!”

Flitet se Ballshi që dikur s’ngopej me ndihma, po braktiset, ashtu si shumë qytete e fshatra të tjera. Mesa duket pritën shumë që të rregullohej vendi. Njerëzit lëvizin kudo botë kur gjejnë punën, shokun apo për arsye të tjera, por me shqiptarët ndodh ndryshe, ata shpërngulen! Dhe të vinë pranë fjalët e “Italiani d’America”, të Luca Barbarosses, një këngë nostalgjike që të sjell pranë periudhat historike të të parëve italianë, ashtu si dhe periudhat e shqiptarëve, që u përplasën dhe filluan jetën nga e para nëpër kohët e vështira që po kalonte vëndi, për tu dhënë një të ardhme më të mirë fëmijve e familjeve të tyre.

Epilog

Kanë kaluar vite. Kur ndjek emisionin “Fshatrat e Shqipërisë” të Top Channel, një program gjithë jetë që e përshkruan bukur fshatin shqiptar, e shikon se sa njerëz janë larguar nga fshati, por ndërkohë gjithashtu kupton që jeta atje është kthyer përsëri. Shtangesh nga ndërtimet e panumërta në fshatra e qytete, nga plazhet e bukura dhe pikat turistike saqë nuk orientohesh dot. Çdo gjë ka ndryshuar duke përfshirë dhe mentalitetin e hapur të të rinjve që e njohin mirë botën sot. Duket që tranzicioni do të jetë një proçes i pandërprerë, që do të vazhdojë gjithnjë, i kombinuar me forcën e ligjit dhe pa diktaturë. Të kujtohen fjalët e “Una Domenica Italiana” të Toto Cotugno-s, që e dëgjon shqip për “Një të Diel Shqiptare”, se Amerika është aty tek vëndi yt, tek Shqipëria që e kemi larg! Pavarësisht arritjeve të shqiptarëve në emigracion, krenaria e tyre mbetet tek shqiponja kuq e zi në orën e dorës, në një poster, në një targë makine apo në flamurin tonë dyngjyrësh.

Qyteti i lashtë i Bylisit, megjithë atë naftë të bollshme, po del dalëngadalë nga mjegullnaja e kohës. Po vjen dita, që Ballshi i “arit të zi” ta çojë më tej qytetërimin e tij të hershëm.

Nuk e di nëse do të kaloj përsëri rrugës së Ballshit, por nëse do të më jepej mundësia, do ta kem të vështirë të gjej gjurmë nga Ballshi i parë i dy anglezëve.

©Andrea Bënja