Gjetja e parasë dhe “Njeriu i Vitit”- Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla
Nuk është fjala këtu për personalitete të politikës, të shkencës apo artit që nominohen çdo vit si “Njeriu i Vitit” për shkak të kontributit apo veprimtarisë së veçantë të tyre gjatë vitit kalendarik, por për “Njeriun e Vitit” në një familje tradicionale korçare, që “nominohej” i tillë në drekën tradicionale të Vitit te Ri, sepse ishte ai që gjente “paranë” e fshehur në ëmbëlsirën që përgatiste familja për këtë festë kaq popullore.
Mbase pak e dinë që festa e Vitit të Ri është një festë relativisht e re, e lidhur me Kalendarin Gregorian, sipas të cilit 1 Janari shënon fillimin e vitit të ri kalendarik. Më parë Krishtlindja ishte festa e vërtetë për të krishterët, katolikët dhe ortodoksët, ndërsa 1 Janari ishte dita e Shën Vasilit.
Po ku e ka zanafillën rituali tradicional i “gjetjes të parasë”? Kjo ngjarje lidhej me Shën Vasilin, një shenjtor kristian që jetoi ne shekullin IV pas Jezu Krishtit dhe që ndërroi jetë pikërisht në 1 Janar të vitit 379. Historia, e përzierë me legjendë, është e lidhur me ritualin e “gjetjes të parasë”. Në atë kohë ishte zakon që, sa herë perandori romak kalonte në një qytet, përfaqësuesit e atij qyteti duhej t'i dhuronin dhurata të shtrenjta, kryesisht ar ose gurë të çmuar.
Kur Perandori Julian Apostati, nip i perandorit Kostandin, po kalonte nëpër Qesari (qyteti ku banonte Vasili), ai i dërgoi disa bukë elbi. Perandori, i cili priste dhurata të çmuara, i ktheu mbrapsht me përbuzje duke i dhuruar qytetit disa tufa me bar në shenjë talljeje. Vasili i çoi fjalë: "Ne të dërguam atë që hamë vetë, të shpresojmë se dhe ti na dërgove atë që ha vetë...". Kjo ironi ishte aq e madhe sa perandori premtoi që, pasi të kthehej nga beteja ku po shkonte, do ta shkatërronte këtë qytet.
Njerëzit e trembur u mblodhën në Kishën e qytetit dhe Vasili i inkurajoi të luten dhe të mos tremben se Zoti do e mbronte këtë qytet të krishterë. Përveç kësaj u kërkoi që secili të sillte ar dhe bizhuteri që t'ia jepnin perandorit që të zbutej dhe mos e shkatërronte qytetin. Por fati e solli që të nesërmen mbërriti lajmi se perandori Julian Apostati ishte vrarë në betejë. Qyteti u gëzua që shpëtoi nga inati i perandorit por çështja ishte se si do të rishpërndaheshin monedhat e arta që populli kishte sjellë.
Vasili propozoi që të bëhej nga një kulaç për secilin ku të futej një monedhë dhe çdokush të merrte një kulaç dhe ajo që do i binte, do ishte monedha që i takonte. Dhe kështu u bë. Për çudinë e të gjithëve, u pa se secilit i kishte rënë monedha që kishte sjellë në Kishë për t'ia dhënë perandorit.
Kjo çudi kujtohet çdo vit, kur njerëzit në datë 1 Janar vendosin një monedhë në byrek, kulaç ose ëmbëlsirë dhe kjo monedhë i bie njërit prej anëtarëve të familjes. Kjo është historia, e përzierë me legjendë, që ende ruhet në shumë familje të vjetra korçare edhe sot e kësaj dite dhe ai që gjen paranë konsiderohet me fat për vitin që porsa ka ardhur.
©Klodi Stralla










